9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Fetarët dhe prijësit kontributdhënës – Islam Gjakova.net

Më të lexuarat

Në historinë tonë kombëtare ekzistojnë shumë prej figurave fetare që dhanë kontributin e rrallë, por që historianët e studiuesit shpesh janë të prirur t’i mohojnë apo së paku t’u fshehin titullin fetar, me pretendimin e ruajtjes së imazhit kombëtar laik. Pavarësisht nga përkatësia fetare, ata ditën të rreshtoheshin e të pozicionoheshin si duhet nëpër kohë e ngjarje historike.

Qëllimi im për rolin e hoxhallarëve në çështjen kombëtare kërkonte konsultime

e hulumtime në literaturën që posedoj, po edhe teknologjia bashkëkohore sot ofron material të shpërndarë nëpër Ueb-faqe e artikuj të ndryshëm. Nëse studiojmë me kujdes, në të gjitha ngjarjet me karakter historik e politik kombëtar, do të vëmë re se prania e hoxhallarëve është kudo e pashmangshme. Andaj, në gjithë rrjedhën e ngjarjeve që përcaktuan fatin e Shqipërisë e të shqiptarëve , pa dyshim, gjen edhe prijësit e besimit mysliman, me të gjithë prijësit e besimeve të tjera. Fati i tyre ishte i njëjtë me të popullit që i shërbenin, por pozita dhe roli i tyre në shoqëri i obligonte të ishin në radhët e luftëtarëve jo vetëm për të qenë model e për t’u pasuar, po ata i nxiste dhe dashuria për atdheun e kombin si dhe amshueshmëria që shpesh të viheshin në ballafaqime me armikun ballë për ballë.

Prirja për t’u ngritur mbi ndasitë dhe përkatësitë fetare, në interes të çështjes kombëtare, zë fill gjatë Rilindjes Kombëtare. Deviza e Vaso Pashës “Mos shikoni kisha e xhamia, se feja e shqiptarit është shqiptaria”nuk kishte qëllim të fyente e të injoronte ndjenjat fetare të popullit, por të tërhiqte vëmendjen për rreziqet që i vinin kombit nëse shqiptarët nuk bashkoheshin rreth kauzës së tyre të përbashkët,çlirimit dhe bashkimit të vendit. Si italianë, ashtu edhe gjermanët, u munduan të kishin në konsideratë prijësin fetar, sidomos atë islam, por ata ishin mjaft të përgatitur vetëm nga emërtimi me karakter islam, ngase struktura popullore ua dedikonte zotërimin e ndjenjave kombëtare. Mehdi Frashri deklaronte se shteti shqiptar nuk ishte fetar dhe të gjitha fetë këtu kishin të drejta të barabarta.

Myslimanë, ortodoksë e katolikë kishte si në frontin e rezistencës shqiptare, ashtu edhe midis përkrahësve të Qeverisë së Tiranës si dhe të organizatave të Ballit Kombëtar e të Legalitetit.

Qëndrimi politik nuk varej nga feja, po nga mendësitë, nga traditat lokale, nga gjendja shoqërore, nga fisi, nga ideologjia etj.. Bashkësitë fetare, jo vetëm ajo islame,megjithëse nuk kishin qenë protagonistë të ngjarjeve, mirëpritën dhe përshëndetën përfundimin e Luftës dhe Çlirimin e vendit. Prijësit shqiptar nga të tri komunitetet përkatëse më të mëdha të Shqipërisë, u përfshi në fillet e luftës për pavarësinë e Shqipërisë, kurse disa nga autorët e konsiderojnë aspektin kryesor, ngase, po të mos ishin vetë përfaqësues të nderuar, prijës Mysliman, Katolik e Ortodoks, që morën pjesë vetë duke dhënë kontribut e deri edhe jetën e tyre, Pavarësia e Shqipërisë nuk do të vinte. Por injorimi i bëmave të tyre gjatë historisë komunist-ateiste si edhe ai bashkëkohor, na obligon të bëjmë përpjekje të mëdha për ta ndriçuar realitetin rreth tyre, kontributin, persekutimet dhe fatet e tyre nëpër kohë.

Prijësit fetarë për bashkimin e trojeve shqiptare

Prijësit fetarë nuk ishin lokalistë dhe as të përkufizuar nga rajone përkatësia e tyre fetare, ata synonin dhe ishin të angazhuar për bashkimin e gjithë shqiptarëve pa dallim feje a rajoni. Prandaj kontributi i tyre ishte i madh, pavarësisht se tendencat për minimizimin e këtij angazhimi ishin dhe janë aktuale.

Në këtë shkrim do të provoj të paraqes rolin e besimtarëve në përgjithësi dhe të prijësve fetarë në veçanti, në çështjen kombëtare nëpër etapa të ndryshme historike. Më pastaj edhe shfrytëzimin e tempujve fetarë e të shtypit apo ligjërimeve të tyre, për disa nga figurat më të rëndësishme fetare islame, ngase numri i tyre është tejet i madh, dhe hapësira e këtij shkrimi është e kufizuar. Hardisku i kompjuterit historik shqiptar është pa dyshim një tolerancë fetare e përfolur shumë, por jo e studiuar dhe e argumentuar sa duhet. Vijimi i punës na orientoi drejt nëntitujve për injorimin e kontributit të tyre, mbulimin e titujve dhe të rolit fetar si dhe të persekutimeve të tyre në etapën komuniste shqiptare, si edhe në atë sllave në viset jashtë Shqipërisë natyrore. Në fund, përmes një kronologjie, kam paraqitur disa nga figurat kryesore dhe konkretisht veprat e rolin e tyre.

Roli i fesë

E tërë shoqëria njerëzore ka shumë gjurmë historike nga ata që sakrifikuan e kontribuan për të drejtën e lirinë e njerëzimit. Edhe historia kombëtare shqiptare është e mbushur me ngjarje të ndryshme, me data e personalitete, që kanë lënë gjurmët e tyre në periudha të veçanta kohore. Këto gjurmë të theksuara janë të atyre që besuan, ngase feja a besimi në Zotin stimulon besimtarët me diçka të shenjtë më të madhe sesa interesi i jetës. Ajo i nxit besimtarët për punë të mira humanitare e çlirimtare, duke i obliguar me misionin e kontributit për paqe e liri, në dallim nga ideologjitë njerëzore që ofrojnë diçka më të ngushtë, më të vogël sesa ofron bindja fetare, edhe amshueshmërinë.

Zakonisht fetarët a prijësit e feve ndodhen në ballë të përpjekjeve,luftërave për liri si dhe të nxitjes drejt prosperitetit, integrimeve shoqërore dhe një shoqërie të organizuar. Përveç borxhit, nënshtrimit dhe prirjes së natyrshme, dini (feja, R.G.) shënon edhe drejtësinë, gjykimin e drejtë, masën e drejtë, harmoninë dhe drejtpeshimin.(1)

Përvoja historike e pjesës më të madhe të popujve dëshmon se njësia e fesë ishte ndër faktorët e rëndësishëm në procesin e integrimit të perandorive mesjetare, kurse roli i feve në integrimin e njësive etnokulturore e gjeopolitike kombëtare do të shfaqej në fillet e kohës së re në periudhën e renesancës, me një rëndësi të shtuar gjatë humanizmit, ilimunizmit dhe rilindjes kombëtare.(2)

Në qarqet historike është studiuar aktiviteti i shumë figurave që lanë gjurmë në jetën shoqërore në shoqërinë njerëzore në përgjithësi, ose dhe në atë shqiptare në veçanti, por ata ishin të nxitur nga bindja për amshueshmërinë apo edhe nga obligimi që t’i ofrohej njeriut e drejta, liria, informimi e integrimi, duke qenë ky mision i krijimit nga Zoti. Në këtë kategori hyjnë ferrëfyesit, të zgjedhurit apo të dërguarit nga Krijuesi, misioni i të cilëve ishte informimi, edukimi dhe orientimi në rrugën e drejtë. Predikimet e tyre kishin për qëllim ndriçimin e së vërtetës, siç thuhet në librat e shenjtë. Në ngjarjet e mëdha historike ekzistonte gjithnjë edhe momenti shpirtëror, i cili lidhej me figurat e hoxhallarëve a priftërinjve të kohës. Besimtarët janë ata që ditën të qëndronin pranë shumë figurave të mëdha intelektuale dhe luftëtarëve të kohës, për të sjellë integrim, liri dhe edukim.

Prijësit fetarë model dhe ndikues në shoqëri

Duke qenë i paracaktuar që të jetë model i shoqërisë dhe që të pasohet nga publiku, Kleri*ishte gjithnjë pjesëmarrës i ngjarjeve të mëdha historike, si ishin, fjala vjen: Kryengritjet për Çlirim, kontribute për gjuhë e kulturë etj.. Në këtë skenë hyjnë dhe luajnë pjesën e tyre, në varësi nga rrethanat e kohës aktorë të mëdhenj, që vazhdojnë të rrezatojnë edhe sot e kësaj dite nga thellësitë e kohëve, po edhe aktorë të harruar, aktorë dytësorë në dukje, pa të cilët nuk realizohet drama historike.(3)

Populli respekton me bindje e sinqeritet,prijësit e besimeve, që kanë qenë gjithherë dhe janë mbështetja shpirtërore dhe morale e besimtarëve të tyre. Por, nga ana tjetër, prijësit kishin detyrat e tyre ndaj popullit të vet besimtar,përveç detyrave shpirtërore, edhe detyrën e rëndësishme patriotike ndaj besimtarëve të vet në lidhje me lëvrimin e gjuhës shqipe, si një nga elementet e rëndësishme të identitetit shqiptar. Kështu, kontributi i prijësve fetarë shqiptarë, i priftërinjve e hoxhallarëve, në orientimin e popullatës për të drejtën, të vërtetën, lirinë, bashkimin, pajtimin e tolerancën, është i pakrahasueshëm. Ata me modesti hyjnë në analet shoqërore e historike, e pasimi i tyre është ndikues dhe shpesh bëhet masiv. Si prej prijësit mysliman, ashtu edhe atij katolik, pati të atillë që kuptuan drejt Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe rolin e saj pozitiv, që e simpatizuan atë, e ndihmuan dhe morën pjesë aktive në të”.

Një numër i ulemave** u angazhuan edhe drejtpërdrejt në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, duke marrë pjesë aktive në aksione”.(4)

Pati shumë figura të prijësve fetarë shqiptarë, të cilët në përgjithësi patën të njëjtin fat me popullin, në viset ku jetonin e vepronin, dhe u bënë krahu i djathtë i prijësve të kryengritjeve(5) popullore për çlirim. Edhe pas lirisë ata ishin inkuadruar në qarqe udhëheqëse dhe i prinin popullit në ndërtimin dhe edukimin e vendit. Edhe pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit për Alfabetin e shqipes, mbajtur më 14 -21 nëntor 1908 ishin fetarë myslimanë, katolikë dhe ortodoksë, si intelektualët më të ndritur të të tri feve.

Prijësit fetarë shqiptarë nga të tri komunitetet përkatëse u përfshinë në fillet e luftës për pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Këta qenë ndër figurat kryesore, dhe – pa intelektualët më të mirë të prijësit mysliman, katolik dhe ortodoks, pjesëmarrës në këtë ngjarje, “duke dhënë kontribut e deri duke dhënë jetën e tyre, pavarësia e Shqipërisë nuk do të vinte”.(6)

Në të gjitha ngjarjet me karakter historik dhe politik, prania e prijësve fetarë ishte e pashmangshme në ruajtjen dhe kultivimin e traditës dhe identitetit, prandaj ata kanë dhënë një kontribut të veçantë për ekzistencën e kombit shqiptar. Duke numëruar disa prej tyre si: Hoxha Tahsini, Ymer Prizreni, Hafiz Ali Korça, Mulla Idriz Gjilani, Hafiz Ibrahim Dalliu, Fan Stilian Noli,Papa Kristi Negovani, At Stathi Melani, Dhimtër Dhimitruka, Gjergj Fishta etj., të cilët, edhe pse ishin të religjioneve të ndryshme, punuan bashkërisht për çështjen madhore shqiptare.

Numërimi i emrave dhe bëmave të tyre është i pafund.

Liderët shpirtërorë fetarë kanë qenë modele për popullatën duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në historinë tonë kombëtare.

1) Xhemaludin Latiç ”Islami dhe religjionet botërore. Urim Poshka, Tiranë ,16.

2) Dr. Muhamet Pirraku, Roli i Islamit në integrimin e Shqipërisë etnike dhe të kombit shqiptar” Seminari “Feja, Kultura dhe tradita Islame ndër Shqiptarët” Prishtinë, 1995. f 41.

3) Mr. Nuridin Ahmeti, Roli i ulemave në kryengritjet shqiptare të viteve 1910-1912 në vilajetin e Kosovës. ardhmeriaonline.com.

4) Mr. Nuridin Ahmeti Ibid.

5) Mr. Nuridin Ahmeti. Ibid.

6) www.wikipedia.org

*Në qarqet islame nuk është adekuat termi klerë për prijësit fetarë. Ngase në islam nuk ka ndërmjetësues mes Zotit e njeriut. Andaj në vend të këtij termi do të përdorë termin Prijës

**Ulema është term islam që përdorët për dijetarët në përgjithësi, por tek ne shqiptarët preferohet më shumë hoxhëve, prijësve fetarë.

Refik Gërbeshi

DituriaIslame 274

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit