Fetahi 10 vjeçar së bashku me nënën e tij po shkojnë në banesën e re.
Loti i vogëlushit preku shumë zemra, andaj vetëm 4 ditë pas publikimit të lajmit nga TV21 kur familja Muharemi kërkonte ndihmë, Fetahit ju plotësuan të gjitha ëndrrat.
Atij tani më nuk i mungon asgjë. Fetahi falënderon të gjithë njerëzit që i dolën krah në kohën kur kishte nevojë. Ndërsa tani ai ka plan që t’i përkushtohet shkollës.
“Banesa e re më dukët shumë mirë. Shumë e bukur. Tani kemi kulm mbi kokë. Jam I gëzuar shumë. Tani I kam të gjitha kushtet. Jo tani nuk më mungon askush. Faleminderit shumë, shumë faleminderit, Zoti ju dashtë më shumë. Ju përshëndes të gjithëve”, u shpreh Fetah Muharemi.
Kryefamiljarja Sherizade Muharemi, falënderon njerëzit që i ndihmuan duke ia larguar të gjitha brengat për kohë rekord.
“Të gjitha kushtet i kemi të plotësuara, për të hëngër e për të pirë kemi, kulm mbi kokë kemi, tash më nuk kemi nevojë për ndihmë. Fetahut i janë plotësuar të gjitha dëshirat që i ka pasur. Keni ndihmuar shumë që Fetahu të strehohet në shtëpi të vetë, dhe të jetë i lumtur si shokët e tij, Fetahit më nuk i mungon asgjë. Ju falënderohem të gjithëve, së pari këtu tek na në Maqedoni, në diasporë e në të gjithë rruzullin tokësorë, telefonatat nuk janë ndalur hiq. I falënderohem edhe stafit të TV21”, tha Sheherzade Muharemi.
Pas publikimit të lajmit të TV21 për gjendjen e rëndë ekonomike të familjes Muharemi, qindra mijëra shpërndarje të lajmit nëpër rrjetet sociale, bënë që të mobilizohet një pjesë e madhe e shoqërisë duke mos kursyer asgjë për t’ia ndalë lotët vogëlushit 10 vjeçar. Fetahi tani posedon një banesë të re 65 metra katrorë, ushqimin e paguar për dy vite dhe një shumë simbolike të të hollave të mbetura në xhirollogari, të cilat i janë afatizuar me kusht, që të mund të merren vetëm kur Fetahi të mbush 18 vjet.