7.9 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Ferri me emrin Srebrenica: Gjenocidi i pandëshkuar (Video)

Më të lexuarat

Njëzetedy vjet pas masakrave të Srebrenicës, autorët e drejtpërdrejt të vrasjeve masive të boshnjakëve ende nuk janë akuzuar dhe s’janë nxjerrë në gjyq.

“Ndenja shtrirë dhe u shtira si i vdekur. Asnjë lëvizje. Nuk guxoja të merrja frymë.”

Mevludin Oriq kujton atë ditë në korrik të vitit 1995, kur rreth 1,000 burra dhe djem nga Srebrenica u qëlluan për vdekje nga forcat serbe të Bosnjës në një fushë afër fshatit Rahovec në zonën e Zvornikut.

“I dëgjova teksa mbushnin pushkët e tyre. Ata bërtisnin, qeshnin dhe pinin. Po kënaqeshin,” tha Oriq për BIRN.

Por kjo nuk është masakra e vetme që ndodhi në korrik të vitit 1995 për të cilën asnjë nga autorët e drejtpërdrejtë nuk është akuzuar kurrë. Dy ditë pasi Ushtria Serbe e Bosnjës mori Srebrenicën, në luginën e Cerskës në brigjet e lumit Jadar u vranë 167 burra dhe djem nga Srebrenica. Shumë vrasje të tjera ndodhën në Luke, pranë fshatit Tisca dhe në Snagovo afër Zvornikut, pas rënies së Srebrenicës, si dhe në Bisinë pranë Sekovicit, ku në korrik 1995 u vranë rreth 60 persona.

Boshnjakët që i mbijetuan masakrave duke u larguar për në Tuzëll nëpërmjet pyjeve i panë këto masakra, por familjet e viktimave ende po presin për drejtësi. Disa nga këto krime janë përmendur në disa çështje të ndryshme në Gjykatën e Hagës dhe janë pjesë e akuzave kundër ish-komandantit serb të Bosnjës, Ratko Mlladiq, vendimi për të cilin pritet të merret në nëntor.

 

Në Gjykatën e Hagës, një total praj 38 ish-anëtarësh të forcave policore dhe Ushtrisë Serbe të Bosnjës mund të jenë dënuar me një total prej më shumë se 400 vitesh burg për gjenocid dhe krime të tjera kundër njerëzimit në Srebrenicë. Shumica e autorëve të drejtpërdrejtë janë dënuar për vrasje në vendet e ekzekutimeve në Kravicë, Pilicë dhe Branjev, por jo për masakrat e tjera.

Mevludin Oriq u ndalua ndërsa përpiqej të arratisej përmes pyllit nga Srebrenica në Tuzëll, e cila ishte nën kontrollin e Ushtrisë Boshnjake në korrik të vitit 1995. Ai u çua në një shkollë në Rahovec ku e futën në një sallë të ngushtë me një burrë tjetër nga Srebrenica dhe u mbajt në kushte çnjerëzore për disa ditë. Oriq kujton se një natë të burgosurve iu lidhën sytë dhe i çuan në një fushë aty pranë.

“Kushëriri im Aidi dhe unë u kapëm prej dore. Ai bërtiti: ‘Do të na vrasin’… Nuk pata mundësi të thosha se kjo s’do të ndodhte para se të fillonin të shtënat,” tha Oriq. “Kushëririn tim e goditi një plumb dhe ra mbi të.”

Ai mban mend që ndjeu ngrohtësinë e gjakut të kushëririt të tij dhe peshën e tij mbi shpinë.

“Ndenja në heshtje. Nuk lëviza. Të shtënat ndaluan. Aidi po dridhej. Qante dhe dridhej. Ai po dridhej. Pastaj heshti.”

Vrasjet vazhduan edhe gjatë natës pasi kushëriri i tij vdiq. Oriq beson se ai më pas humbi ndjenjat dhe kur u zgjua, kuptoi se njerëzit e armatosur ishin larguar. Ai mezi u ngrit në këmbë. Krahët i ishin mpirë.

“U përpoqa të rrija në këmbë, por nuk mundesha. Nuk arrija ta lëvizja dot Aidin. Nuk kisha fuqi. Isha i uritur dhe kisha etje. I pashë në fushë të gjithë ata që ishin në korridor me mua. Askush nuk lëvizte. Kishin vdekur të gjithë. Kuptova se duhej t’ia mbathja. Nuk kisha zgjidhje tjetër.”

Pastaj filloi të qante.

Në gjyqin e Ratko Mlladiçit në Hagë, një ish-ushtar serb i Bosnjës dëshmoi se pa një fëmijë gjashtë apo shtatë vjeç që i mbijetoi masakrës në Rahovec. Ky krim u përmend edhe në vendimin kundër ish-oficerëve të Ushtrisë Serbe të Bosnjës Vujadin Popoviq dhe Lubisha Beara, të cilët janë dënuar të dy me burgim të përjetshëm për rolin e tyre në gjenocid. Vendimi thotë se dy ekzekutimet e para masive të gjenocidit ndodhën në luginën e Cerskës dhe në bregun e lumit Jadar më 13 dhe 14 korrik 1995.

Zulfo Salihoviq ishte një nga burrat në vargun e boshnjakëve që u arratisën nga nga Srebrenica në Tuzla. Ai tha për BIRN se ai pa burra të kapur pranë Cerskës dhe disa të vrarë pranë një ure në lumin Jadar. Një ditë më vonë, ai pa trupa të vdekur në luginën e Cerskës.

“Ishte një grumbull i madh njerëzish të vdekur dhe aty pranë pashë vrima municionesh. Rrotullova disa nga trupat, por nuk munda të njihja asnjë. Ata kishin filluar të gërmonin një varr të madh masiv aty pranë,” tha ai.

Sipas Institutit për Personat e Zhdukur dhe bazuar në dëshmitë e burrave që i mbijetuan arratisjes nëpërmjet pyjeve, 150 trupa të vdekur u gjetën në Cerska.

Fadila Efendiq tha për BIRN se ajo u përshëndet me djalin dhe bashkëshortin e saj më 11 korrik 1995 kur ajo çoi të bijën në bazën e paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara në Potoçari pranë Srebrenicës, duke kërkuar strehë nga forcat serbe të Bosnjës.

Të dy burrat u nisën përmes pyllit dhe vite pas luftës, ajo ende mendonte se ata kishin humbur, por ishin gjallë. Megjithatë, ajo i gjeti eshtrat e bashkëshortit të saj në Zeleni Jadar dhe pastaj disa nga eshtrat e djalit të saj në Kamenica, pranë Zvornikut.

“Ata nuk më thanë asgjë. Thjesht më thanë se ata kishin vdekur. I kishin qëlluar me armë apo copëtuar… Meqë koka e tim shoqi u gjet në një varr të dytë, më thanë se ekzistonte mundësia që t’ia kishin prerë kokën,” tha Efendiç e cila fajëson autoritetet boshnjake që nuk e kanë hetuar si duhet vdekjen e bashkëshortit të saj.

Ajo është gjithashtu e zemëruar që askush nuk është paditur për vdekjen e djalit të saj edhe më shumë se dy dekada pas krimit.

Ndërsa udhëtonte me BIRN-in drejt vendit të varrit në Jadar ku u gjet bashkëshorti i saj, Efendiq thotë se ky ishte një vend në të cilin ajo kaloi një fëmijëri të mrekullueshme.

“Kush do ta kishte menduar se aty një ditë do të kishte një varr masiv?” pyeti ajo.

Abdulkadir Veliq ishte një punonjës urgjence 20 vjeçar në spitalin e Srebrenicës gjatë kohës së luftës. Ai refuzoi të linte pas burra të plagosur dhe qëndroi me ata ndërsa transportoheshin nga forcat serbe nga Srebrenica në një shkollë në Luke në korrik 1995.

Njëri nga burrat që ishte në grupin e burrave të plagosur ishte Sadik Selimoviç. Ai mban mend që ushtarët serbë i ndanë burrat në Luke. Disa prej tyre u dërguan në Kladanj te Ushtria Boshnjake, disa u rikthyen në Bratunac dhe disa qëndruan në shkollë.

Familja e Veliqit zbuloi se ai ishte detyruar të rrinte në Luke kur disa nga të burgosurit arritën në Kladanj. Ata kishin shpresuar se s’do të ndodhte asgjë e keqe, pasi ai mbrohej nga ligji ndërkombëtar si punonjës urgjence.

Kjo shpresë u zhduk kur eshtrat e Veliqit u zbuluan pak kohë pas luftës, bashkë me ato të rreth 25 burrave të tjerë në fshatin Tisca.

Admir Veliq, vëllai i Abdulkadirit, më pas u përpoq të zbulonte të vërtetën.

“Mësuam se një burrë i kishte mbijetuar kësaj masakre. Ai ishte në shkollë dhe na dha një libër që tregonte historinë e asaj që kishte ndodhur. Ai përshkruante se si para vrasjeve, Abdulkadiri ishte abuzuar më shumë sesa të tjerët. Kjo derisa ai kishte humbur ndjenjat,” tha Veliç.

Haska Veliq, nëna e Abdulkadirit dhe Admirit, thotë se jeta e saj s’mund të jetë më kurrë e njëjta dhe se autorët e vrasjeve, të cilët janë ende të lirë, duhet të identifikohen më në fund dhe të gjykohen.

“Do të doja të zbulonin se kush e bëri këtë. Më pas ta ndëshkonin, që ai të mos jetë më kurrë i lirë përsëri,” tha ajo. /BIRN/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit