-1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Ferdi Kamberi:‬‬‬‬‬‬ Sot shoqëria vuan nga një hedonizëm i theksuar, kjo hetohet në të gjitha segmentet, pothuajse…

Më të lexuarat

Ferdi Kamberi është PhD. Candidat në Universitetin e Prishtinës në degën e Sociologjisë. Ai është anëtar i Shoqatës së Sociologëve të Kosovës, themelues i Qendrës për Studime Humane, i certifikuar në programin e USAID & AUK – R.I.T lidhur me zhvillimin e politikave publike dhe lidership.  Ai është edhe trajner i certifikuar nga IKAP & GIZ në hartimin dhe menaxhimin e politikave publike në kontekstin e integrimeve evropiane.

Kamberi është edhe autor i librit ‘Fundamentalizmi i Religjioneve të Mëdha Monoteiste dhe Globalizmit’, ndërsa ka qenë edhe asistent në Kolegjin Universitar Iliria. Është po ashtu autor dhe bashkëautor i disa botimeve shkencore me impakt faktorë në revistat ndërkombëtare dhe rajonale.

Në këtë intervistë për Gazeta e Re Kamberi përqendrohet më shumë te fenomenet dhe dukuritë të cilat e kanë karakterizuar shoqërinë kosovare në veçanti, por edhe atë shqiptare në përgjithësi. Ai e trajton, me shumë kompetencë, rolin e familjes, ndryshimet që i ka pësuar ajo në vitet e pasluftës, duke i parë në kontekstin e ndryshimeve të vazhdueshme socio-kulturore e deri te ato politike.

GER: Z. Kamberi, nga perspektiva e një sociologu, si i shihni vitet e tranzicionit, veçanërisht në rrafshin kulturor e social?

F.Kamberi: Në kuptimin logjik tranzicion do të thotë ndryshim, transformim prej një procesi në procesin tjetër dhe shpeshherë ky term ka nënkuptuar një transformim të sistemit politik, ekonomik, social dhe kulturor në një sistem të ri. Tranzicioni është parë si nevojë e domosdoshme e shteteve të Evropës Juglindore të cilat kaluan nga një sistem monist në atë demokratik dhe një gjë e tillë pothuajse u kurorëzua me shembjen e Murit të Berlinit që nga sociologët konsiderohet edhe si: «Datëlindje e Globalizmit». Secili shtet, secila shoqëri apo kulturë me rastin e periudhës së tranzicionit ka pasur probleme dhe sfida të ndryshme, me të cilat është ballafaquar. Kosova që nga viti 1999 e këtej në vazhdimësi është atakuar nga shumë sfida dhe probleme tranzitore, përfshirë këtu: sfidat politike, ekonomike, sociale, kulturore, fetare, e të tjera.

Teoria e tranzicionit kulturor thekson se ndryshimet vijnë atëherë kur shoqëria krijon një mjedis të ri dhe vlerat kulturore të mëparshme gradualisht zbehen. Në këtë kontekst, tranzicioni në dioptrinë sociologjike, del se shoqërisë kosovare i ka shkaktuar një çakordim të vlerave morale, etike, profesionale dhe ka ndikuar që shumë virtyte të cilat dikur kanë qenë pjesë e trashëgimisë dhe identitetit shqiptarë siç janë: humanizmi dhe solidariteti social, të zbehen apo të jenë fare pak prezentë, virtyte këto të cilat sipas Ibën Haldunit janë «çelësi i mirëqenies materiale dhe shpirtërore në një shoqëri». Andaj, ky tranzicion në rrafshin kulturor dhe social ka prodhuar më shumë kuantitet se sa kualitet, ka prodhuar një muzikë e cila shikohet por nuk dëgjohet, ka bërë që libri më shumë të shikohet sipërfaqësisht se sa lexohet. Gjithashtu, ky tranzicion ka prodhuar një masivizim të artit, por jo edhe të kualitetit, ka prodhuar një shoqëri të teknologjisë, por jo një teknologji për nevoja të shoqërisë, thjeshtë ka prodhuar më shumë mediokritet se sa vlerë.

Sot, shoqëria kosovare si rezultat i këtij tranzicioni është në mes të ngërçit ndërmjet solidaritetit mekanik dhe atij organik siç pohon Dyrkemi. Kjo do të thotë se ky tranzicion ka ndikuar që lidhjet e vjetra të ndryshohen goxha shpejt me lidhjet e reja dhe gjatë këtij rrugëtimi procesi ka çaluar diku dhe kjo pastaj ka prodhuar pasoja të cilat vetëm kemi filluar t’i bartim. Me fjalë të tjera, si duket shoqëria sot vuan nga një hedonizëm i theksuar i cili vërehet pothuajse në të gjitha segmentet dhe ky është një problem goxha serioz dhe sfidë edhe për të ardhmen, që mund të shpërfaq pasoja.

GER: A është dashur ta krijojmë “njeriun e ri” hatri i demokracisë?

 

F.Kamberi: Periudha e tranzicionit ka qenë periudha nëpër të cilën kanë kaluar shtetet e Evropës Juglindore gjatë shekullit XX-të dhe ideja e transformimit të tillë ka qenë pikërisht nga një sistem autoritar dhe totalitar në një sistem demokratik. Madje, vetë profesori i njohur Fukyama thekson se «demokracia është faza e fundit e evolucionit ideologjik», që nënkupton se njerëzimi deri më tani ka provuar një sërë sistemesh me të cilat është zhgënjyer. Megjithëse, edhe demokracia që sot në pjesën e vendeve të zhvilluara njihet si demokraci liberale ka evoluar dukshëm, prapë se prapë edhe ky sistem ideologjik-politik ka të metat e saj, të cilat po sjellin kriza në shumë shtete. Ndoshta, do të ketë edhe një «valë të re të demokracisë» siç pohon Huntingon ose jo. Mirëpo, një gjë është e sigurt se, shoqëria aktuale ka nevojë për një sistem të mirëqenies sociale, një sistem i cili do të garantonte një «lumturi» dhe kohezion social më të fuqishëm në mes të komuniteteve të ndryshme brenda shoqërive dhe kulturave mbi bazën e një universalizmi.

 

Prandaj, krijimi i njeriut të ri si metamorfozë për hir të demokracisë, themi se ka qenë e nevojshme për rrethanat dhe kohën, sidomos gjatë mijëvjeçarit të ri. Kështu, përderisa sistemi komunist ka krijuar një të tillë për qëllim të modelimit, personifikimit, sakrificës për kauzën ideologjike, sot demokracia ka njeriun e saj «të ri» i cili rezulton me besim, shpresë dhe ka bërë një transformim shoqëror, në veçanti në shtetet perëndimore. Siç pohon Fukyama sot mbi 200 shtete kanë përqafuar demokracinë liberale, qëllimi i së cilës është liria e individit. Në anën tjetër, sfidat me të cilat ballafaqohen sot demokracitë liberale nuk janë të pakta, sidomos me rritjen e populizmit, demokracitë janë duke u përdorur si instrument si nga partitë e djathta po ashtu edhe nga ato të majta, me qëllim të zëvendësimit të demokracisë dhe shpeshherë nga sociologët populizmi është parë si sfidë serioze për Bashkimin Evropian, duke sfiduar kështu konsolidimin e shteteve demokratike, mbi bazën e të cilit është ngritur edhe vetë BE-ja.

 

GER: Një frymë konservatore, me të cilën me gjasë identifikohen pjesa më e madhe e qytetarëve, ndihet e rrezikuar, sidomos kur bëhet fjalë për disa segmente të shoqërisë, si fjala vjen: familja, bashkëshortësia etj. A ka arsye për shqetësim në këtë drejtim?

 

F.Kamberi: Nëse shikojmë në analet historike të jetës shoqërore dhe kulturore tek shqiptarët, do të shohim se një prej elementeve që ka qëndruar stoikisht deri më tani ka qenë familja. Si agjent i parë i socializimit, familja ka qenë ajo shtylla fundamentale e cila ka ruajtur kombin shqiptar nga jashtë. Kjo ka bërë që përmes ruajtjes së familjes, të ruhet uniteti, të ruhet tradita kombëtare, fetare, kulturore, e kështu me radhë. Sociologu i njohur Parsons thekson se «familja është fabrikë e cila prodhon personalitete njerëzore» dhe mbi bazën e kësaj, familja shqiptare ka ruajtur një dozë patriarkalizmi, që është i kombinuar me konservatorizëm i cili për rrethanat sociale ndoshta ka qenë modeli i duhur. Por a mund të thuhet e njëjta gjë për sot? Pa dyshim se jo, sepse ndryshimet dhe zhvillimet sociale të cilat kanë ndodhur në familjen shqiptare, sidomos pas vitit 1999 si në Kosovë, po ashtu edhe në Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe në vendet tjera të banuara me shqiptarë, ka shpërfaqur një ndryshim shoqëror si rezultat edhe i procesit të globalizmit, që ka të bëjë me ndryshmet e mekanizmave brenda strukturës shoqërore dhe që është karakterizuar nga ndryshimet kulturore, rregullat e sjelljes, organizatat shoqërore dhe sistemet e vlerave. Lirisht mund të thuhet se vlerat konservatore të familjes sfidohen nga (post)modernizmi i cili si duket duke u munduar që të krijon një model unik, ka krijuar pa qartësi, një mjegull e cila ka prekur krizën e vlerave që për pasojë ka reflektuar në krizën e identitetit.

Jemi dëshmitarë që sot familja ka ndryshuar, si për nga struktura po ashtu edhe për nga roli dhe përgjegjësia që ka pasur dikur. Familja si celulë e shoqërisë, sot sfidohet nga një: planifikim familjar, rënie e natalitetit, divorceve të shumta (me një mesatare rreth 1000 brenda vitit), aborti, mungesa e raporteve brenda familjes, çakordimi i vlerave familjare, shpërfaqje e fenomenit të “ejxhizmit”, që ka të bëjë me diskriminimin në bazë të moshës, etj. Prandaj, mund të thuhet se shoqëria shqiptare sot ka nevojë për një familje komunitare që është pjesë e Programit të Komunitarizmit e cila ka për detyrë jo vetëm plotësimin e nevojave materiale të fëmijëve, por që është e obligueshme, gjithashtu, të përcjellë te gjeneratat e ardhshme edukimin moral dhe krijimin e karakterit.

GER: Si mund të mbrohet gruaja nga dhuna e vazhdueshme, e cila synon ta vendosë atë në një pozicion më të ulët në raport me burrin?

F.Kamberi: Dhuna si fenomen social është produkt i shoqërisë e cila e përcjellë atë në çdo segment të jetës. Të dhënat flasin se në Kosovë kemi mbi 1000 raste të dhunës brenda një viti dhe si fenomen përbënë një ndër sfidat serioze të shoqërisë kosovare në këtë periudhë tranzicioni. Madje, nga OSCE është cilësuar se 13 vdekje të grave kanë ndodhur vetëm gjatë periudhës janar-shtator 2018 në Kosovë, gjë që është shqetësuese për shoqërinë. Me siguri se kjo ka ardhur nga disa faktorë, si: mungesa e komunikimit e cila ka dalë si nevojë emergjente për riparimin e raporteve në mes të bashkëshortëve. Një gjë e tillë është vërejtur dukshëm edhe gjatë bashkëbisedimit me shumë çifte të cilat kanë pasur raste të dhunës në familje, pastaj faktorët individual të cilat ndërlidhen ngushtë me përdorimin e substancave psiko – aktive, përdorimi i alkoolit, lojërat e fatit që tashmë e një kohë janë shndërruar në trend, me gjithë faktin që qeveria e Kosovës ka nxjerrë ligjin për mbylljen e tyre. Pastaj, faktorët socio – ekonomik, papunësia e cila ka prodhuar një varfëri të lartë, mungesa e pavarësimit ekonomik të gruas, toleranca ndaj dhunës në familje, e të tjera. Problemet shfaqen më tej, sidomos në periudhat afatgjate, ku për pasojë do të kemi: një numër të lartë të divorceve, krizë në familjen bërthamë, aborte të panumërta, depresion, mungesë të integrimit shoqëror, si dhe pasoja të tjera.

Gruaja edhe pse është shtyllë kryesore e familjes, komunitetit, shoqërisë dhe shtetit, ajo sot ballafaqohet me shumë probleme të theksuara që nga dhuna për të cilën folëm shkurtimisht më lartë, e deri tek ngacmimi seksual. Pastaj portretizimi i saj në media vetëm si objekt seksual dhe mos ndarja e trashëgimisë në bazë të barabartë, ku të dhënat flasin se deri më tani kemi rreth 18% të grave të cilët kanë përfituar nga ndarja e trashëgimisë, gjë që është tepër e ulët në krahasim me përqindjen (%) e grave të cilët jetojnë në Kosovë. Konsiderojmë se si shoqëria po ashtu edhe institucionet relevante, duhet dhënë kontribut më shumë në aspektin e krijimit së pari të një drejtësie sociale dhe së dyti involvimin e gruas në poret tjera të jetës, me qëllim që edhe ajo të jep kontributin e saj në zhvillimin e vetë shoqërisë dhe shtetit. Shoqëria shqiptare duhet kuptuar njëherë e mirë që gjërat nuk mund të zgjidhen përmes dhunës, ato duhet zgjidhur përmes komunikimit, bashkëpunimit dhe sjelljes së mirë.

GER: Përgjithësisht çka e pengon qytetarin tonë të ambientohet me vlerat e vërteta demokratike, pse ai disi, nuk e ndjenë që ai është sovrani i vërtetë dhe jo politikani të cilin e ka zgjedhur për ta qeverisur?

 

F.Kamberi: Mendoj se si shoqëri akoma kemi disa probleme të theksuara, të cilat kohë pas kohe shpërfaqen dhe sfidojnë vetë shoqërinë, për këtë ka disa faktorë, si:

 

  • Së pari, kriza e vlerave e cila ka prodhuar krizë të identitetit dhe sot qytetari në shoqërinë tonë nuk është vetja është thjeshtë një imitim i një imitimi që nuk ekziston apo siç pohon Baudrillard me konceptin «Simulakracioni» ose imitimi i një diçkaje e cila në realitet nuk ekziston. Sipas tij, ky koncept i referohet domethënieve dhe simbolikës së kulturës dhe mediave që ndërtojnë realitetin e perceptuar, kuptimin e fituar me të cilin jeta jonë dhe ekzistenca e përbashkët është dhe janë bërë të lexueshme (nga të tjerët).

 

  • Së dyti, mungesa e zhvillimit të komunitetit, komuniteti sot kryesisht akceptohet si pakicë etnike, gjë që është jo e drejtë dhe parimore. Në fakt, komuniteti është një grup shoqëror i njerëzve të cilët e ndjejnë vetën pjesë e të qenit e një komuniteti, dhe kanë një qëllim të përbashkët, vlera, kulturë, marrëdhënie sociale dhe mbi të gjitha një ndjenjë dhe besim i cili i ndërlidhë ata. Në shumë vende të botës, komunitet e organizuara janë ato të cilët luajnë rol në habituesin në të cilin jetojnë. Shembull në SHBA, komunitetet e organizuara luajnë rol në uljen e sjelljeve devijante, gjë që nëse një individ ka sjellje devijante, komuniteti së bashku me akterët tjerë si: qendra për punë sociale dhe policia, sanksionojnë përmes punës në komunitet apo punëve të tjera për zhvillimin e shoqërisë, në mënyrë që ai/ajo të ketë sjellje më të mira dhe një integrim shoqëror. Në kontekstin kosovar, vërehet qartë se komunitetet e organizuara në pjesën më të madhe të rasteve mungojnë si rezultat i neglizhencës së vetë komunitetit për t’u fuqizuar dhe neglizhencës së pushtetit lokal që të ketë një komunitet stabil me të cilin do të krijonte partneritet. Në disa rajone ekzistojnë komunitetet e organizuara siç është rasti me fshatin Korishë të Prizrenit, ku komuniteti i organizuar participon një shumë të vogël dhe modeste mujore për nevoja të komunitetit dhe për të mirën e përbashkët. Prandaj, përderisa nuk ka komunitete të organizuara në të gjitha rajonet/qytetet/komunat/fshatrat e Kosovës nuk mund të flitet për një qytetari e cila do të kontribuonte përmes pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje dhe politikbërje.

 

  • Së treti, mungesa e një qytetarie aktive e cila do të ishte në bashkëpunim në mes të komunitetit dhe shoqërisë civile. Mungesa e një qytetarie aktive më së miri vërehet me rastin e pjesëmarrjes publike si në nivel qendror po ashtu edhe atë lokal e cila është tejet e ulët. Sherry Arnstein e themeloi idenë e «shkallëve të pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje, ku propozoi tetë nivele të pjesëmarrjes: 8 kontrolli qytetar, 7 vendimmarrja qytetare, 6 bashkëqeverisja/ partneriteti, 5 pjesëmarrja simbolike, 4 konsultimi, 3 informimi, 2 terapia dhe 1 manipulimi». Kjo teori fokusohet në pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe kontrollin shoqëror nga ana e pushtetit. Sa më e lartë që të jetë pjesëmarrja e qytetarëve/komunitetit në vendimmarrje dhe politikbërje aq më e ulët është kontrolli nga ana e pushtetit lokal. Prandaj, të gjitha studimet relevante qoftë nga institucionet qendrore, lokale apo organizatat e shoqërisë civile theksojnë se sot ka një pjesëmarrje të ulët në takimet publike nga ana e qytetarëve dhe një pjesëmarrje e tillë në këtë nivel paraqet një ndjenjë inferiore të qytetarit në raport me pushtetin politik, duke e parë vetën jo si një sovran por më shumë si pjesëmarrës simbolik. Për këtë qëllim dikur Joseph Schumpter-it, theksonte se demokracia «është më shumë sundim i politikanit, dhe jo i popullit, politikanët janë tregtarë votash, ashtu siç janë ndërmjetësit që janë shitblerës të aksioneve në bursë». Kjo për shkak se pushteti kryesisht është i koncentruar tek një grup njerëzish, te një lloj oligarkie, që për interesa të tyre, qofshin ato personale, partiake apo ideologjike, instrumentalizojnë politikën nga arti dhe vlera në kiç dhe shound. Prandaj, të gjitha hulumtimet të cilat janë realizuar deri më tani në këtë segment kanë pohuar se ka rënie të kredibilitetit tek politikanët dhe si pasojë, qytetarët kanë humbur besimin edhe tek institucionet e vendit.

 

GER: Të mençurit thonë që e ardhmja u takon shoqërive të arsimuara, e ndërsa ne, aq shumë e kemi dëmtuar sistemin tonë arsimor. Çka duhet të bëjmë që në të ardhmen ky sistem, të mos prodhojë mediokër me diplomë?

 

F.Kamberi: Sot është më se e nevojshme që shoqëria shqiptare të ketë një sistem të bazuar në parimet e racionalizmit, drejtësisë, virtytit dhe përgjegjshmërisë, sepse vetëm ky sistem do të garantonte një edukim dhe arsimim cilësor dhe të përshtatshëm konform nevojave të tregut. Kam lexuar diku se: njeriu edukohet 20 vite përpara se të lind. Shtrohet pyetja, si mund të edukohet një njeri më herët se sa të lind? Përgjigja është kur prindërit janë të edukuar edhe fëmijët do të jenë po ashtu… Kjo lë të kuptohet se shoqëria zhvillohet vetëm mbi bazën e një edukimi dhe arsimi të shëndosh dhe cilësor. Sot, jemi dëshmitarë që sistemi i arsimit në Kosovë është i brishtë edhe për kundër një sërë reformash të cilat janë bërë deri në tani. Çdo vit në tregun e punës hyjnë rreth 30.000 të rijnë, të cilët pjesa më e madhe e tyre kanë përgatitje shkollore të lartë. Në anën tjetër, sistemi aktual i arsimit në Kosovë nuk është adekuat dhe konform nevojave të tregut, këtë gjë më së miri e vërtetoi edhe testi i PISA-s. Në të gjitha segmentet e arsimit shihet një mediokritet i cili është duke prodhuar diploma me sasi dhe jo cilësi. Kemi kolegje/universitetet të cilat kanë programe dhe nuk kanë cilësi, atyre ju intereson më shumë numri i studentëve se sa cilësia, përjashto këtu disa kolegje.

Disa nga sfidat e arsimit në shoqërinë tonë janë: mungesa e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet trekëndëshit: shkollë, prindër dhe fëmijë; synohet më shumë drejtë mësimit individual, në vend të udhëzimit të grupit të madh që gjendet në klasat e rregullta; ndjekja e një modeli të kurrikulës pa e analizuar me kujdes; mos profilizimi i kuadrove të cilat nuk përkojnë me nevojat e tregut; kuantiteti kundër kualitetit; mungesa e kulturës së leximit; mungesa e fokusimit tek secili nxënës lidhur me rezultatet e të nxënit dhe motivimi i tyre; kultura shkollore e cila reflekton në bashkëpunimin ndërmjet binjakëzimit të shkollave mike për të mirën e nxënësve ose studentëve në rastin e Universiteteve/Kolegjeve; nevoja për ndryshime të teksteve shkollore të cilat janë të stërmbushura me stereotipa dhe paragjykime, etj.

Konsideroj se sistemi i arsimit duhet të fokusohet në profilizimin e studentëve konform nevojave të tregut, duke marrë për model shtetet perëndimore të cilat kanë një mirëqenie sociale të bazuar në idetë komunitare. Kjo do të thotë se jo çdo i ri duhet patjetër të diplomoj në shkencat e ndryshme Sipas profileve ata/ato duhet që të fokusohen edhe në aftësimet tjera profesionale, në zanate të cilat tashmë pothuajse janë harruar, në ato aftësi të cilat janë konform nevojave të tregut.

 

GER: Krejt për fund, me ç’hap mund t’ua kthejmë të rinjve shprehinë e leximit, në këtë epokë kur gjithçka frymon nëpërmjet poreve të teknologjisë?

 F.Kamberi: Kultura e leximit është kulturë e cila zhvillohet dhe ajo bartet brez pas brezi sikurse procesi i një peme e cila lëshon rrënjë. Në shoqëritë e zhvilluara, leximi kultivohet qysh në familje. Çdo shtëpi ka bibliotekë dhe leximi është pjesë përbërëse e traditës dhe vlerave familjare. Lidhur me këtë çështje, në një vend në perëndim është pyetur një nënë se si ia kishte dalë që fëmijës së saj në vend të tabletit t’ia jepte një libër, ajo është përgjigjur thjesht se fëmijët imitojnë. Andaj, duke na imituar, fëmijët si e ardhmja e shoqërisë, mund të kultivojnë vlera të kulturës së leximit.

Në Kosovë, shohim se si së fundi shkopi magjik ose interneti, ka ofruar botën nga një skaj në skajin tjetër dhe përderisa në modernitet ky shkop magjik ka qenë i nevojshëm për zhvillimin dhe imagjinatën sociologjike të njeriut, sot shihet se pikërisht një gjë e tillë e ka pasivizuar njeriun modern, e ka shndërruar në një robot të asaj që ka krijuar vetë. Për qëllim Johan Gunther i ndanë njerëzit sot në dy taborre kryesore:

 

  1. Vendasit digjital dhe
  2. Migrantët digjital.

Të parët janë ata/ato që kanë lindur me këtë teknologji informative, janë zhvilluar, rritur dhe do të plakën me të. Kurse, në grupin e dytë bëjnë pjesë njerëzit të cilët janë rezistencë ndaj ndryshimeve në teknologji. Hulumtimet dhe studimet e fundit të bëra deri në qershor të 2018 nga Internet World Stats, theksojnë se interneti përdoret jashtëzakonisht shumë në kontinentet e ndryshme, ku kemi këto të dhëna, si vijon: Azia me 55.1%, Evropa 17.0%, Amerika Latine/Karaibet 10.3%, Afrika 9.4%, Amerika Veriore 8.6%, Lindja e Mesme 3.8% dhe Oqeania/Australia 0.7%. Në Kosovë sipas disa të dhënave 97% e të rinjve janë shfrytëzues të internetit, gjë që e bën Kosovën lider në këtë drejtim, krahasuar me vendet e zhvilluara. Të dhënat nga STIKK të bëra gjatë vitit 2013 tregojnë se: «Në Kosovë ka për rreth 1.1 milion përdorues të internetit. Kjo shifër është ndër më të lartat në regjion dhe mund të krahasohet gjithashtu me vendet e zhvilluara si Zvicra, Gjermania, Britania e Madhe, etj. Në zonat rurale përdorimi i internetit është 77.7 për qind, kurse në zonat urbane 75 për qind.

Në anën tjetër, studimet tregojnë se ka rënie të leximit gjithandej, përfshirë këtu hapësirat shqiptare. Sipas një studimi që kemi realizuar lidhur me «Kulturën e leximit në Kosovë» me një mostër prej 550 të anketuarve në 7 rajonet e Kosovës, në pyetjen: Cili është mendimi i Juaj lidhur me kulturën e leximit të librit në Kosovë? Rreth 70% e tyre kanë deklaruar se në Kosovë lexohet pak, 27% mesatarisht dhe 3% janë shprehur se nuk e di ose refuzon të përgjigjet» (Studim mbi kulturën e leximit, 2019). Ndërsa, disa nga shkaqet e mos leximit të librit në Kosovë, ku 35% e respodentëve mendojnë se është kultura e leximit, 29% ndikimi i medieve sociale, 14% çmimet e larta të librit, 12% mungesa e këndit të leximit në hapësira publike, 5% mungesa e kohës, 3% tjetër dhe 2% mungesa e titujve të përshtatshëm».

Duke marrë parasysh këto të dhëna nga hulumtimi që kemi bërë, e rrugës është të ketë një kalendar të përdorimit të shkopit magjik, në mënyrë që libri assesi të mos lihet anash. Përdorimi mesatar i internetit sidomos nga të rinjtë dhe monitorimi nga prindërit është hapi i parë që duhet bërë. Së dyti, duhet investuar në krijimin e një kulture të leximit në familje, në komunitet, shoqëri e kështu me radhë. Nevoja për orë letrare, diskurse, lexime të librave, poezive, romaneve në këtë kohë është mese e nevojshme, andaj si hap i radhës duhet të jetë prioritet i shoqërisë, institucioneve të vendit dhe organizatave të shoqërisë civile. Mënyra e mësimit duhet ndryshuar nga mekanikja në atë të diskursit dhe marrjes së shembujve, në mënyrë që të nxitet leximi. Albert Bandura sugjeron që motivimi (ose mungesa e tij) është rezultat i vetë-efikasitetit të një individi lidhur me një detyrë. Bandura përkufizon vetë-efikasitetin si besim që kemi për veten tonë që na bëjnë të bëjmë zgjedhje, të bëjmë përpjekje dhe të vazhdojmë përballë vështirësive. Pra, me fjalë të tjera, kultura e leximit duhet të instalohet në familje, në komunitet, në shkollë dhe në hapësirat publike. Kjo do të thotë se duhet investuar edhe në kënde të leximit në ato hapësira publike të cilat frekuentohet nga njerëzit me qëllim të krijimit të një kulture të leximit./Gazetaere

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit