13.1 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Fëmijët refugjatë – “viktimë” e lehtë e bandave evropiane

Më të lexuarat

Vetëm vjet, sipas statistikave, 96.500 të mitur të këtillë kanë arritur në Evropën Perëndimore, prej të cilëve një e treta e tyre janë bërë viktima të trafikut me njerëz.

Ljubomir Kostovski

Evropoli këto ditë publikoi se të pakën 10 mijë fëmijë prej atyre që kanë arritur në Evropën Perëndimore janë rrëmbyer nga banda që merren me tregti me qenie njerëzore. UNICEF- i këtë shifër e zmadhoi për 27.000. Vetëm në Itali, 5.000 fëmijë janë viktima të këtyre bandave, ndërsa në Suedi në kërkim janë 1.000 fëmijë.

Evropol konsideron se refuzimi i 3.000 fëmijëve pa prindër ose persona të rritur të cilët kanë qenë kujdestarët e tyre të përkohshëm, nga Britania e Madhe, në masë të madhe e lehtësoi “korrjen” e kriminelëve, por kryeministri Kameron është i shqetësuar nga fakti se nëse pranon 3.000 do të vinë edhe të tjerë… Nga kjo organizatë vlerësojnë se pre më e lehtë e kriminelëve kuptohet, janë, fëmijët të cilët vijnë pa asnjë shoqërim nga më të moshuar, ndërsa të tillë ka shumë.

Vite të mira për bandat kriminele

Këta fëmijë vlejnë me miliona e miliona euro, ndërsa Evropoli konsideron se bandat kriminele, tani nuk kanë nevojë vetë të organizojnë transport të rrezikshëm për fëmijë, por vetëm rrinë në pritë dhe i presin këta të mitur të shkojnë në qendrat e strehimit. Statistikat flasin se në një milion refugjatë, 27 për qind janë fëmijë të mitur. Sipas të dhënave për vitin 2015, vetëm në Suedi ka pasur 37.000 fëmijë të këtillë! Në Slloveni për shembull, më tepër se 80 për qind e fëmijëve pa shoqërues janë zhdukur nga vendet e strehimit, ndërsa në Suedi deri në 10 fëmijë paraqiten si të zhdukur çdo javë. Vitin e njëjtë 4.700 fëmijë pa shoqërues janë evidentuar si të zhdukur në Gjermani.

Disa prej tyre janë tjetërsuar dhe krijojnë banda të vërteta, të vogla të cilat operojnë rreth hekurudhave dhe stacioneve të autobusëve në vendet skandinave. Kjo para së gjithash vlen për fëmijët nga Maroku.

Raporti i fundit i UNICEF-it, i cili u paraqit nga mesi i majit të vitit 2016, kur po përfundohej ky tekst, flet se 96.500 fëmijë pa shoqërim, vitet e fundit kanë paraqitur kërkesë për azil në Evropë. Shumica janë tinejxherë meshkuj nga Afganistani. Sirianët janë grupi i dytë për nga madhësia, ndërsa nga Iraku janë në vendin e tretë. Në disa vende, fëmijët pa shoqërues përbëjnë gjysmën e numrit të të gjithë fëmijëve të cilët kanë arritur gjatë vitit 2015. Në Suedi, adoleshentët pa shoqërues përbëjnë 50 për qind të të gjithë fëmijëve – refugjatë, ndërsa në Itali kanë arritur 12.300 fëmijë pa shoqërim, ndërsa 4.000 më pas u janë bashkuar familjeve të tyre.

Sipas Xhastin Forsajt nga organizata “Save the children”, vetëm vitin e fundit, në Evropën Perëndimore janë rrëmbyer 26 mijë të mitur. A duhet të kujtojmë se ruta ballkanike e cila kalon nëpër Maqedoni është një nga hyrjet kryesore të këtyre fëmijëve. Së këndejmi, nuk duhet të habisë as shifra zyrtare e MPB, se vetëm pas qershorit të vitit 2015 janë vërejtur 18.000 fëmijë të këtillë tek ne.

Fluksi i refugjatëve

Heshtja e institucioneve

A kemi te ne heshtje të institucioneve, pjesërisht edhe të organizatave joqeveritare, si dhe të të gjitha palëve të përfshira në kujdesin për refugjatët, në lidhje me këtë gjendje alarmante? A kemi të drejtë të rrahim kraharorin dhe të themi se kemi shpëtuar nga kriza e refugjatëve, por në llogari të cilësisë së mbrojtjes së refugjatëve?

Duhet përmendur se shumë nga ata të cilëve u jemi drejtuar, që kanë kontakt me këtë problematikë, nuk ishin të disponuar të japin të dhëna ose qëndrime në lidhje me këtë temë. Përveç MPB-së, Kryqi i Kuq, Komiteti i Helsinkit, Porta e Hapur, për të gjitha institucionet e tjera dhe organizatat joqeveritare që merren me refugjatët mund të thuhet se evitojnë diskutimin në lidhje me këtë temë të pakëndshme.

“Këtu të gjithë fëmijët janë cak i lehtë. Fëmijët raportojnë se janë të përdhunuar, janë rrahur në rrugën drejt Evropës. Ndërsa këta janë fëmijë të dukshëm, të cilët kanë kaluar nëpër kampet – thotë drejtori i përgjithshëm i “Save the children”, Karolin Majlls.

“Fëmijët pa shoqërim të rrëshqasin nëpër duar. Shumë prej tyre thjeshtë ikin nga qendrat e strehimit që t’i bashkëngjiten familjes më të gjerë, ndërsa presin sepse nuk kanë pasur proces të plotë gjyqësor për përcaktimin e interesit të tyre më të mirë, ose po, nuk kanë marrë sqarim për të drejtat e tyre” – thotë Mari Pjer Poare, koordinator special i UNICEF-it për krizën emigrante-refugjate në Evropë.

Sipas të dhënave të marra nga MPB-ja maqedonase, pas monitorimit të situatës në bazë të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Azil të datës 18 qershor 2015, kur Ministria praktikisht filloi me lëshimin e vërtetimeve për qëllimin e shprehur për paraqitjen e kërkesës për pranimin e të drejtës për azil në shtet, nga shtetas të huaj, të cilët në mënyrë ilegale kanë hyrë në territorin tonë – gjatë periudhës nga 19 qershori i vitit 2015 deri më 31 dhjetor i vitit 2015, janë lëshuar vërtetime për gjithsej 388.233 shtetas të huaj. Prej tyre 208,914 janë të gjinisë mashkullore, 65.893 janë femra, 95.303 janë fëmijë të cilët e shoqërojnë bartësin e vërtetimit, ndërsa edhe 18.123 fëmijë të cilët kanë udhëtuar pa prind, të cilëve u është lëshuar vërtetim për qëllimin e shprehur të paraqesin kërkesë për njohjen e të drejtës për azil.

Është mirë që kemi statistika evropiane

Shumica e atyre me të cilët biseduam shprehën dyshim në lidhje me atë se sa relevante është shifra e përmendur se për gjashtë muaj mbi 18 mijë fëmijë kanë kaluar kufirin tonë pa pasur shoqërues – person të rritur. Por, krahasimet me të dhënat evropiane tërësisht e arsyetojnë këtë statistikë.

Elena Brmbevska nga Komiteti i Helsinkit, vlerëson se problemi me fëmijët refugjatë pa prindër ose kujdestar të rritur, nuk trajtohet seriozisht tek ne. Ajo thekson se ky paraqet problem shumë më të madh, në krahasim me interesin dhe pasqyrimin që ekziston për të.

“Kishim rast para më tepër muaj, dy meshkuj u paraqitën kinse ishin prindër të 12 fëmijëve të mitur, të gjithë në moshë prej 4 deri në 11 vjet. Të gjithë kishin mbiemrin e njëjtë ndërsa sipas dokumenteve të lëshuara në Greqi të gjithë kishin lidhur më 1 janar! Marrja e tyre në pyetje, me ndihmën e përkthyesve tregoi se deklaratat e tyre (të të rriturve) ndryshonin nga minuta në minutë. Në fund të dy pranuan se djali i tyre është vetëm një prej fëmijëve, ndërsa të tjerët janë fëmijë të fqinjëve të cilët ua kanë besuar fëmijët “t’i çojnë në vend të sigurt”. Përgjigjet e fëmijëve nuk sugjeronin se ata njihen me “kujdestarët”. Situata ishte tepër e dyshimtë, por përfundoi në mënyrë që të dy personat e rritur dhe 11 fëmijët u hipën në trenin i cili shkonte për në veri”, thotë Brmbeska.

Ajo e ndan përshtypjen se secili shtet sheh masën e refugjatëve ta shtyjë më tutje, duke i zvogëluar maksimalisht situatat problematike të cilat do të kishin rezultuar deri te ajo që refugjatët për çfarë do shkaku do të kishin qëndruar (sëmundje, operim eventual, i mitur pa shoqërim i cili duhet të presë të paraqiten prindërit ose të kërkojë bashkim).

Sipas Brmbeska, shumë shpesh kur ka pasur situata të shoqëruesve të dyshimtë, janë zhdukur edhe përkthyesit nga kampi, në veçanti kur bëhej fjalë për të mitur më të rritur (por megjithatë të mitur) për të cilët çdo herë janë gjetur “kushërinj” jo shumë më të rritur se ata dhe për vërtetimin e moshës të së cilëve kanë pasur dokumente të dyshimta. Zakonisht hetimet e tilla rezultojnë me përgjigje konfuze dhe përsëri nëse paraqitet situatë e dyshimtë, ajo përfundon me hyrjen e të ardhurve në trenin për Tabanovc!

Refugjatët e Felluxhas

Atmosfera e mos përshkallëzimit

Për raportin e qeverisë dhe përgjegjësve ndaj refugjatëve, aludohet në situatën në kampin në Tabanovc. Pas ndërprerjes së pranimit të refugjatëve në Serbi, atje ka pasur 1.500 persona, ndër të cilët edhe persona të moshave të ndryshme. Sot atje ndodhen vetëm 500 persona! Askush nuk e di ku janë larguar të tjerët dhe si?!

Është përhapur mjaft atmosfera e mos përshkallëzimit. Kur nga Komiteti i Helsinkit kanë sugjeruar se në kampin “Vinojug” në Gjevgjeli ka raste të zgjebes, reagimi i parë ishte mohimi kategorik. Pas një kohe, prezenca e kësaj sëmundje ngjitëse, megjithatë, është konstatuar… Udhëhiqeshin nga logjika: “mos përshkallëzoni”!

Jasmina D. Rajkovska nga “La Strada”, në bisedë telefonike thotë se ata nuk e dinë se sa fëmijë pa shoqërues kanë kaluar nëpër shtetin tonë. Ajo thotë se këta fëmijë trajtohen në mënyrën siç është vlerësuar se është më mirë për ata. Sipas saj numrat që i jep MPB-ja janë të ekzagjeruar dhe janë si pasojë e mungesës së eksperiencës respektivisht zbatimit të gabuar të kritereve. Nuk besoj se numri i të miturve të cilët janë viktima të tregtisë me njerëz është në rënie (ai ekziston dhe do të ekzistojë edhe më tej si dukuri) vetëm se tani organet kompetente janë të preokupuar me refugjatët, si dhe me krizën aktuale politike.

Në këtë drejtim është edhe informata që e siguruam nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) e cila aludon se gjendjet në këtë Ministri kompetente janë vërtet dëshpëruese. E kanë parashikuar atë që u ka ndodhur para syve me vite të tëra ose, nuk i ka interesuar?! Ndoshta, janë shtirur sikur nuk e shohin problemin në tërësi?!

Të dhënat statistikore të MPPS-së në raport me fëmijët refugjatë – kërkues të azilit (persona të mitur pa shoqërim) të cilët janë vendosur në Qendrën Strehimore për Azil Kërkues në fshatin Vizbeg, janë si vijon: 2008 – 1 person i mitur pa shoqërues, 2009 – 11 persona të mitur pa shoqërues, 2010 – 28 persona të mitur pa shoqërues, 2011 – 33 persona të mitur pa shoqërues, 2012 – 32 persona të mitur pa shoqërues, 2013 – 107 persona të mitur pa shoqërues, 2014 – 86 persona të mitur pa shoqërues, 20015 – 91 persona të mitur pa shoqërues, 1 janar – 3 maj 2016 – 18 persona të mitur pa shoqërues.

Gjithsesi, të dhënat janë vetëm për ata persona të mitur të cilët janë trajtuar në Qendrën Strehimore dhe nuk e reflekton gjendjen e përgjithshme e cila fillon në Bogorodica dhe përfundon në Tabanovc.

Qeveritarët maqedonas, evidentë nuk dëshirojnë të merren shumë me këtë kategori të udhëtarëve transit. Këtë e dëshmon edhe shifra e personave të marrë nën përkujdes e cila është e barabartë me vitet kur nuk kishte krizë me refugjatë.

“Gjendja me persona të mitur të pashoqëruar në kushte të krizës së refugjatëve mund të thuhet se ndryshon në raport proporcional me vendimet aktuale të Bashkimit Evropian për intensitetin e mbylljes së kufijve. Muajt e kaluar, kur numri i personave që kanë hyrë në shtetin tonë ka arritur deri në 10.000 në ditë, u vërejt numër më i madh i personave të mitur pa shoqërues, të cilët kanë udhëtuar në grupe prej 4 deri në 15 anëtarë. Shumica e tyre nga Afganistani dhe nga Siria”, thotë Maja Varoshlija, nga Organizata joqeveritare Porta e Hapur (La strada).

Kushtet e siguruara për mbështetje

Sipas Varoshlija, nga gushti i vitit 2015 deri në maj 2016, organizata e saj ka ofruar ndihmë dhe mbështetje të rreth 3.000 të miturve të pashoqëruar që kanë kaluar nëpër vendin tonë.

“Që nga fillimi i krizës së refugjatëve Porta e Hapur punon në terren dhe ofron ndihmë dhe mbështetje për grupet e cenuara siç janë gratë, fëmijët, viktimat e dhunës në bazë gjinore, viktimat e trafikimit, duke përfshirë edhe të miturit pa shoqërim. Shërbimet e ofruara për këto kategori përfshijnë kujdesin dhe mbështetjen fillestare, këshilla psikosociale, ndihmë humanitare (ushqim, veshje, mjete për higjienë), bashkëpunim me Qendrat për punë sociale për caktimin e kujdestarit, udhëzim për kujdes mjekësor nëse është i nevojshëm etj. Përveç kësaj sigurohen informacione adekuate për udhëtim të sigurt, kontakte të ofruesve të shërbimeve në vendet e destinacionit dhe bëhen përpjekje për bashkim me familjet e tyre.

Refugjatët në pritje

Sa për krahasim, Ministri i Punës së Serbisë, Nenad Ivaniseviç tha se gjatë vitit të kaluar, kufirin e kanë kaluar 230 të mitur pa shoqërim nga të rriturit. Ai ka folur këto ditë në një tubim të titulluar “Mbështetja e të miturve pa shoqërim.” Kjo sigurisht është një pasqyrim i shtrembëruar – janë vetëm ata të mitur që i kanë mbajtur në qendrat pranuese dhe jo ata të cilët janë “shtyrë më tutje”.

Në Serbi, raste janë zgjidhur me ndihmën e OJQ-ve dhe agjencive të specializuara të OKB-së. Secili prej fëmijëve ka marrë një kujdestar të caktuar nga Ministria dhe personat kompetentë në kufi kishin udhëzime të qarta se çfarë të bëjnë në qoftë se paraqitet një fëmijë i tillë në hyrje të shtetit. Të tre vende kishte stacione – në Nish, Beograd dhe Suboticë. Kapaciteti i përgjithshëm i këtyre qendrave është i dedikuar për 50 fëmijë. Serbia për këtë qëllim ka marrë 4.3 milion franga zvicerane nga Zvicra, prej të cilave vetëm për fëmijët e mitur kanë marrë ndihmë prej 600 mijë franga.

Nga Porta e Hapur shpjegojnë se me anë të informimit ekipet e pranishme në kampet e vendit në Tabanovc dhe Gjevgjeli janë duke u përpjekur të identifikojnë njerëzit në rrezik trafikimi. Fakti se këta njerëz janë refugjatë i vë ata në një pozitë shumë të rrezikuar për t’u bërë viktima të trafikimit me qenie njerëzore, kontrabandës dhe eksploatimit.

“Identifikimi është i vështirë në rrethana ku refugjatët kalojnë vetëm disa orë në të gjithë vendin. Në periudhën e kaluar janë regjistruar gjithsej 150 persona si viktima të mundshme të trafikimit. Me këta njerëz është punuar në dhënien e informacionit për parandalimin e trafikimit me qenie njerëzore ose si ta mbrojnë veten e tyre që të mos bëhen viktima të trafikimit gjatë udhëtimit të tyre. Në të njëjtën kohë u jepen informacione se ku të drejtohen për ndihmë dhe të paraqesin abuzime dhe shfrytëzime “, tha Maja Varoshlija.

Ajo thotë se organizata e tyre bashkëpunon me institucionet e tjera për ta luftuar këtë fenomen dhe ofron ndihmë për viktimat e trafikimit nëpërmjet programeve dhe shërbimeve që përfshijnë strehim të sigurt, mbështetje psikosociale, ndihmë juridike, ndihmë mjekësore, përfshirje në arsim.

Tre fazat e valëve të refugjatëve

Kryqi i Kuq i Maqedonisë është më i angazhuar në terren në kontakt me refugjatët ndërkaq në korniza të kësaj edhe me grupet që janë shënuar si të mitur pa prind/kujdestar një pjesë e të cilëve kanë përfunduar në tregti me qenie njerëzore në vendet perëndimore. Kjo organizatë ka kapacitet, por edhe shumë vullnetarë të profileve të ndryshme. Konsiderojnë se janë në lartësinë e detyrës dhe situatën e shohin si një fluks refugjatësh në tri faza.

“Faza e parë zgjati deri më 19 qershor të vitit të kaluar, kur u ndryshua baza ligjore e refugjatëve dhe kur ata morën statusin e azilkërkuesve. Së pari refugjatët i hasim duke ecur në këmbë përgjatë rrugëve, nëpër hekurudhat, etj. Ndërhymë në 80,000 refugjatë. Në binarët kishim edhe 29 refugjatë të vdekur “, kujton Susana Paunovska, sekretare e organizatës së Kryqit të Kuq të qytetit të Shkupit. Ajo thekson se për vendin të gjithë ata njerëz ishin të paligjshëm dhe u trajtuan si të tillë.

Në fazën e dytë e cila vijoi pas 19 qershorit, në Kryqin e Kuq ishin regjistruar 430 mijë persona, deri në mbylljen zyrtare të itinerarit ballkanik më 19 shkurt. Në këtë fazë refugjatët nuk mbaheshin në vend për më shumë se 6 deri në 10 orë, gjatë së cilës 4 orë i kalonin në tren. Ishin përfshirë të paktën 60 për qind e njerëzve që kaluan transit dhe atë me 210 vullnetarë që punonin në tri ndërrime.

Faza e tretë zhvillohet nga shkurti deri më sot (maj 2016) dhe ajo do të vazhdojë edhe më tutje. Ndryshe nga perceptimi i përgjithshëm i qytetarëve se nuk ka më kalim të refugjatëve nëpër Maqedoni, në baza ditore regjistrohen rreth 150-200 njerëz që kalojnë përmes vendit tonë!

Kur autoritetet kompetente në Maqedoni i kapin këta emigrantë të paligjshëm i kthejnë mbrapa në Greqi. Vetëm se tani qëllimi i refugjatëve nuk është linja Kroaci – Austri – Gjermani, por ecet nga e para drejtë kufijve të Hungarisë, sepse refugjatët që aktualisht janë në Greqi e dinë që ky vend herë pas here hap kufijtë dhe pranon 50-100 njerëz, kryesisht nënat me fëmijë nga zonat e luftës dhe kjo për shkak të bashkimit familjar. Në këtë fazë të tretë, në skenë kthehen kontrabandistët të cilët sipas dëshmisë së refugjatëve të kapur u marrin mesatarisht nga 2,000 euro për person për t’i çuar në Evropën Perëndimore.

Refugjate

Kryqi i Kuq në të gjitha tri fazat (15 muaj) ka marrë 5 milionë franga zvicerane dhe përdor fondet e marra për ngritjen e kapaciteteve të organizatës. “Problemi i fëmijëve të pashoqëruar ekziston edhe pse në atë turmë njerëzish është e vështirë të gjesh se kush i kujt është prind i vërtetë, kujdestar dhe cili fëmijë është viktimë e bandave të organizuara, ose mund të bëhet viktimë. Kishim persona me dokumente dhe shumë prej tyre kishin dokumente false për identifikim. Ekzistonte një barrierë serioze gjuhësore. Kishim përkthyes nga gjuha arabe, por kjo është një hapësirë ​​e gjerë, në të cilën ka shumë variacione lokale të gjuhës që e vështirësojnë komunikimin. Përkthyesit nuk ishin të trajnuar për punën e tanishme. Një problem i veçantë ishin refugjatët nga Afganistani, gjuha e të cilëve është (farsi) krejtësisht ndryshon nga arabishtja “, shpjegon Paunovska.

Dëmtime të qëllimshme

Për çështjen e dëmtimit të qëllimshëm të fëmijëve të cilët përgatiten për të lypur në Evropën Perëndimore, Paunovska thotë se ata kanë pasur edhe nga 70 transporte në spitale, në ditë kur ka pasur rasteve më të rënda të pacientëve. Edhe lindjet ishin të shpeshta. Por, askush pas ndërhyrjes së parë nuk donte të qëndrojë në spital, për shkak se i prisnin të afërmit dhe miqtë të cilët duhej të shkonin më tej apo thjesht më e rëndësishme për ta ishte të qëndrojnë sa të jetë e mundur më në perëndim të kufirit tonë, se sa të trajtohen ose të shërohen plotësisht. Rregulli ishte që të respektohet dëshira e pacientit. Kjo vlente madje edhe për nënat që sapo kishin lindur, e sidomos për të miturit, sepse askush nuk dëshironte të qëndrojë në funksion të kujdestarit, nëse nuk është prind i tyre.

Paunovska di edhe për situata ekstreme, si për shembull për rastin kur një refugjat fëmijë erdhi në Beograd me një nofull të thyer dhe mjekëve u kishte thënë se e kishte goditur një makinë taksie në Gjevgjeli (për këtë rast flitej dhe nga organizatat jo-qeveritare). Fëmija në rrugën për në Beograd kishte pasur dhimbje të tmerrshme, ndërkaq në 48 orët e fundit kishte marrë vetëm një aspirinë! Në spitalin e Beogradit, ku ai ishte vendosur vinin individë të ndryshëm që paraqiteshin si vëllezërit e tij, kushërinj dhe ngjashëm. Ata kërkonin ta merrnin edhe pse vlerësimi i mjekëve ishte se pacienti i ri duhet të trajtohet. Mbi të gjitha, ata dyshonin në faktin se ata që vijnë pas tij a janë me të vërtetë të afërmit e tij.

Gjendje dhe çështje

Jo vetëm ky fëmijë, por edhe disa fëmijë të tjerë udhëtonin për në Beograd me thyerje në duart dhe këmbët. Mjekët supozojnë se janë lënduar qëllimisht që në të ardhmen të shërbejnë si lypës në qytetet e Evropës Perëndimore. Sipas kohës kur janë bërë plagët mund të konkludohet se dhuna kishte ndodhur ndërsa ata ishin në territorin e Maqedonisë!

Shtrohet pyetja se si përgjegjësit mund ta dinë këtë rast me nofullën e dëmtuar të fëmijës pesë ose gjashtë vjeçare dhe asnjë të mos mbajë përgjegjësi? Nëse me të vërtetë bëhet fjalë për një goditje me makinë (është krim i taksistit), atëherë pse nuk ka shkresë zyrtare të policisë dhe pastaj të ngrihet procedurë? Për çfarë arsye nuk ka asnjë rast të regjistruar të fëmijëve të lënduar nga ky lloj?

“Telegraph” shkruan për dy fëmijët nga Siria, për të cilët ka pasur dyshime se janë viktimat e trafikimit, dhe mbaheshin në vend. Siç citojnë për këtë portal aktivistë të cilët nga fillimi i krizës së refugjatëve janë në mesin e refugjatëve, kjo tregon se edhe Maqedonia nuk është imune nga përpjekjet për ta shfrytëzuar gjendjen e vështirë të refugjatëve.

Jeta e vështirë e refugjatëve afganë në Iran

Ka dyshime se me valën e refugjatëve ndodh dhe trafikimi i fëmijëve. “Ka pasur raste kur një burrë udhëtonte me dhjeta fëmijë përafërsisht të moshës së njëjtë dhe thoshte se të gjithë janë të tij. Kishte situata edhe të fëmijëve me dokumente që kanë 21 vjet (sipas gjasave të bëra në Turqi) dhe i shihnim se janë djem qose. Vetë refugjatët tregojnë se në mesin e tregtarëve me organe kishte edhe një grua, ndoshta nga Turqia. Ka përpjekje të kalohen edhe fëmijë me përcjellje të dyshimtë. Fëmijëve u është futur frika në palcë dhe kanë frikë të thonë me kë udhëtojnë “, tha Lençe Zdravkin, një humanitare nga Velesi që u ndihmon refugjatëve që nga fillimi i krizës së refugjatëve.

Sipas të dhënave të UNHCR-së, aktualisht në Maqedoni ka 68 fëmijë nën moshën 18 vjeç të pashoqëruar nga një prind apo të afërm, ose të ndarë nga familja. Nga këta, 26 janë regjistruar si fëmijë të pashoqëruar (23 janë nga Afganistani, tre nga Siria) dhe 42 fëmijë janë të ndarë (31 nga Afganistani, 8 nga Siria, 3 nga Iraku). Gjashtë prej tyre janë vajza. Gjithashtu ka edhe dy fëmijë në rrezik – një është prind fëmijë, tjera është një shtatzënë tinejxher. Këta fëmijë janë më shumë se një muaj në Maqedoni.

E gjithë kjo sikur e ka zgjuar ndërgjegjen e Këshillit të Evropës, UNICEF dhe organizata “Save the Children”. Kriza në vendin tonë nuk mund të jetë alibi për qëndrimin jo mjaft të interesuar ndaj këtij problemi, pasi kjo sië është vendosur i kontribuon vetëm Mafies të vijë lehtësisht në përfitime për shkak se fëmijët u shkojnë vetë në rrjetë atyre.


Artikulli është punuar në suazat e Projektit “Demografia – cilësia e jetës” e NVO Infoqendrës, Qendrës Maqedonase për Arsim Evropian, Tetë Shtatorit dhe Qendrës për Zhvillim të Mediave me mbështetje nga Projekti i USAID-it për shoqëri qytetare, të cilin e zbaton Fondacioni Shoqëria e Hapur – Maqedonia.

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorit dhe nuk i shpreh qëndrimet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit