-2.9 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Fëmijët palestinezë që në moshë të vogël njihen me dhunën e Izraelit

Më të lexuarat

Fëmijët, të cilët duhet të kenë një status mbrojtjeje sipas ligjit ndërkombëtar, ata që në moshë të vogël njihen me dhunën dhe shkeljet e të drejtave nga ana e Izraelit në territoret e pushtuara dhe të rrethuara palestineze

Fëmijët, të cilët duhet të kenë një status mbrojtjeje sipas ligjit ndërkombëtar, ata që në moshë të vogël njihen me dhunën dhe shkeljet e të drejtave nga ana e Izraelit në territoret e pushtuara dhe të rrethuara palestineze.

Sipas Institutit Palestinez të Statistikave, në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Rripin e Gazës të bllokuar ka 2.3 milionë fëmijë nën moshën 18-vjeç, përfshirë 1.2 milionë djem dhe 1.1 milionë vajza. Fëmijët përbëjnë rreth 44 për qind të popullsisë palestineze.

Fëmijët palestinezë përballen me pengesa të Izraelit në aksesin në arsim, ushqim të shëndetshëm, kujdes shëndetësor dhe adekuat mundësi punësimi dhe ëndrra për një të ardhme më të ndritshme. Përveç kësaj shumë fëmijë palestinezë ndalohen dhe arrestohen.

Për këtë arsye, “Dita e Fëmijëve Palestinezë”, ku çdo vit më 5 prill mbahen ngjarje të ndryshme, filloi në vitin 1995 nga lideri legjendar i Palestinës, Yaser Arafat, si kundërpërgjigje ndaj shkeljeve të të drejtave me të cilat përballen fëmijët nën pushtimin izraelit.

Sipas të dhënave të përmbledhura nga Anadolu nga raportet e organizatave të të drejtave palestineze dhe izraelite, shkeljet e të drejtave dhe dhuna ndaj fëmijëve palestinezë që jetojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor si dhe në Rripin e Gazës të bllokuar, janë shtuar me kalimin e viteve.

150 fëmijë palestinezë të burgosur në burgjet izraelite

Ndërsa organizatat kryesore ndërkombëtare të të drejtave të njeriut e përcaktojnë Izraelin si regjimin e “aparteidit” që shpreh diskriminim sistematik racor, ndërkaq një nga problemet më të mëdha të cilave fëmijët palestinezë janë të ekspozuar përballë këtyre praktikave nga qeveria izraelite janë arrestimet dhe ndalimet.

Çdo vit, qindra fëmijë palestinezë arrestohen nga forcat izraelite me akuza të ndryshme. Pas këtyre ndalimeve, disa nga fëmijët palestinezë dënohen me burg nga gjykatat izraelite.

Sipas të dhënave nga organizatat përgjegjëse për të drejtat e të burgosurve, si Shoqata e të Burgosurve Palestinezë dhe Komisioni i të Burgosurve të qeverisë palestineze, numri i palestinezëve të arrestuar nga forcat izraelite në vitin 2022 arriti në 7.000 dhe 4.700 janë ende brenda. Nga të arrestuarit vitin e kaluar, 882 janë fëmijë dhe 150 prej tyre janë ende në burgjet izraelite.

Shtatë nga këta fëmijë mbahen në burg si pjesë e vendimit të Izraelit për “arrest administrativ”. Izraeli mund të ndalojë palestinezët për 1 deri në 6 muaj pa bërë asnjë akuzë penale, me atë që e quan “arrest administrativ” dhe nëse gjykatat ushtarake vendosin se i arrestuari “është një rrezik për sigurinë e Izraelit”, kjo periudhë mund të zgjatet deri në 5 vjet.

Fëmijët palestinezë të ndaluar janë të privuar nga arsimimi i tyre në kushte që shkelin ligjin ndërkombëtar dhe konventat për të drejtat e fëmijëve.

Nga sulmet e forcave izraelite dhe hebrenjve fanatikë, që nga fillimi i vitit kanë humbur jetën 95 palestinezë, 17 prej tyre fëmijë. Mes palestinezëve të tjerë të vrarë ishin të rinj të moshës 19-20 vjeç.

“Fëmijët, shtëpitë e të cilëve janë shkatërruar ndihen të pafuqishëm”

Si rezultat i prishjes së shtëpive të palestinezëve nga Izraeli në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, duke përdorur arsyetime të ndryshme dhe kushte të vështira, shumë fëmijë mbetën të pastrehë me familjet e tyre.

Sipas organizatës izraelite të të drejtave të njeriut “B’Tselem”, 14 nga 30 palestinezët e mbetur të pastrehë pasi Izraeli shkatërroi 15 shtëpi palestineze në Kudsin Lindor të pushtuar në janar të këtij viti ishin fëmijë.

Një studim i publikuar nga “Save The Children” në vitin 2021 zbuloi se katër nga pesë fëmijë, shtëpitë e të cilëve Izraeli ua shkatërroi, kishin “humbur besimin te komuniteti ndërkombëtar, autoritetet, madje edhe familjet e tyre për ndihmë ose mbrojtje dhe ndiheshin të pafuqishëm dhe të pashpresë për të ardhmen”.

Sipas studimit, 7 nga çdo 10 fëmijë ishin në izolim social dhe humbën kontaktin me rrethin e tyre pasi iu shkatërruan shtëpitë. Theksohet se shumica dërmuese e fëmijëve shfaqën simptoma të tilla si “frikë, stres, depresion, ankth dhe pasiguri”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit