Shadi Farah, 15-vjeçar, i cili kujton abuzimet në duart e hetuesve izraelitë në burg, thotë se Izraeli përdor të gjitha metodat e liga gjatë marrjes në pyetje
Qindra fëmijë palestinezë vuajnë në burgjet izraelite dhe përballen me abuzime dhe tortura pasi arrestohen nga forcat e Izraelit me akuza të ndryshme.
Sipas një deklarate të muajit të kaluar të Komitetit të të Burgosurve Palestinezë, ushtarët izraelitë arrestojnë fëmijët palestinezë duke i marrë ata nga shtëpitë ku qëndrojnë me familjet e tyre gjatë bastisjeve që organizojnë në mesnatë.
Një prej të miturve që ka ka qëndruar në burgun izraelit është edhe 15-vjeçari Shadi Farah, i cili kujton abuzimet në duart e hetuesve izraelitë në burg.
“Izraeli po përdor të gjitha metodat e liga gjatë marrjes në pyetje, duke filluar nga mbytja, rrahja dhe dhënia e pilulave hallucinogjene”, tha Farah duke folur për Anadolu Agency (AA).
“Më kujtohet që kaloja ditë duke vuajtur nga ankthet e këqija dhe kokëdhimbjet për shkak të barnave që detyroheshim t’i pinim”, shton Farah.
Farah ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2015 dhe ishte dënuar me tre vjet burgim me akuzën “përpjekje për të shkaktuar dëm të rëndë” mbi izraelitët.
Ai gjithashtu ishte urdhëruar të paguante një gjobë ekuivalente me 1.400 dollarë.
Sipas Grupit për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve Palestinezë, të miturit palestinezë shpesh detyrohen të nënshkruajnë dokumente të shkruara në hebraisht, pavarësisht faktit se ata nuk e njohin gjuhën.
Ata gjithashtu merren shpesh në pyetje në mungesë të prindërve apo avokatëve të tyre, ka njoftuar grupi në fjalë.
Shpeshherë, fëmijët gjithashtu mbahen në arrest së bashku me të rriturit dhe raportojnë shpesh se goditen dhe u lidhen sytë gjatë arrestimit dhe marrjes në pyetje.
“Rreth 90 për qind e fëmijëve të arrestuar janë subjekt i abuzimit verbal dhe poshtërimit nga oficerët e ushtrisë izraelite”, tha Khaled Quzmar, kreu i grupit.
Ai tha se 30 për qind e të miturve palestinezë të mbajtur nga Izraeli kanë qenë viktimë e abuzimit fizik gjatë kohës në arrest.
Sipas Quzmar, 80 për qind e fëmijëve të ndaluar u është mohuar të kenë qasje në këshilla ligjore përpara marrjes në pyetje.
– Rrahje
Ahmad al-Zatari, një i mitur 15-vjeçar, tha se ishte rrahur dhe i ishte zënë fryma nga një hetues izraelit gjatë marrjes në pyetje.
“Më kujtohet shumë mirë”, tha al-Zatari duke u përpjekur t’i frenojë lotët.
“Isha vetëm 12 vjeç gjatë marrjes në pyetje dhe pyetjet nuk ishin të qarta për mua, kështu që nuk mund t’i përgjigjesha asnjërës”, tha al-Zatari.
Tridhjetë minuta më vonë, kujton ai, hetuesi izraelit kishte fikur kamerat dhe kishte filluar ta rrihte.
“Ai u hodh mbi mua dhe vuri duart rreth qafës sime dhe filloi të më bërtiste”, tha i mituri palestinez.
“Ishte përvojë e tmerrshme. Mendova se do të më vriste. Në atë moment fillova të mendoj për familjen time dhe se nuk do ta shihja më nënën”, shton al-Zatari.
Sipas Komitetit të të Burogsurve Palestinezë, rreth 900 të mitur palestinezë janë arrestuar nga forcat izraelite këtë vit, ndërsa rreth 270 vazhdojnë të vuajnë brenda burgjeve në të gjithë Izraelin.
Në vitin 2015, Izraeli miratoi një ligj që lejon arrestimin e fëmijëve nën moshën 12 vjeçe, nxjerrjen e tyre para gjykatës dhe heqjen e lirisë nën masën e quajtur “burgim administrativ”.