1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Fëmijëri e vështirë, një brez i braktisur

Më të lexuarat

Ergys Mërtiri
1 Qershori është një ditë e dashur për fëmijët, të cilët mezi presin ta festojnë, duke u përgatitur me javë para. Dhuratat, këngët, lodrat e argëtimet do t’i shoqërojnë shumë prej tyre gjatë kësaj dite ndërsa të rriturit do të përpiqen ti bëjnë të ndjehen të lumtur. Nuk do të mungojnë, mbi të gjitha, shfaqjet e politikanëve, të cilët do të sfilojnë babaxhanë përkrah tyre për të demonstruar dhembsurinë që kanë për ta. Parku i liqenit, si sheqerkat sintetike me ngjyrosës e konservantë u inagurua sot, si për të blatuar me beton këtë marrëdhënie mendjeprishese të politikës me qytetarët, sidomos ata më të pafajshmit. Është prototipi i politikës së pehlivanllëkut, joshjes së publikut me marketing ushqimor, që servir ëmbëlsira të pashëndetshme, pasi ka shkatërruar çdo mundësi për produkte BIO.
Fëmijët kanë magjinë ta zbusin njeriun dhe politika nuk mund të hezitojë ta përdorë këtë për të zbutur sadopak indinjatën popullore ndaj një qeverisjeje të mbrapshtë që nuk kursen askënd: të rritur e fëmijë. Sidomos shkollat dhe institucionet e arsimit parashkollor, do të jenë instrumentet kryesore të përdorura në makiazhin e pushtetit për t’u dukur sa më human. Ato do të jenë zbukuruar plot ngjyra e drita duke pritur krahëhapur gëzimin e fëmijëve. Kjo, vetëm sot. Të nesërmen do të vijojnë sakatimin përditshëm të këtij brezi, me paaftësinë e tyre për të ofruar edukim, arsimim apo shoqërizimin e duhur.
Sigurisht, asgjë më shumë se fëmijët nuk e meriton vëmendjen tonë, ndaj nuk do t’ua kursenim atyre asgjë për t’i bërë të ndjehen të lumtur. Por po kaq e vërtetë është se ata kanë nevojë të ndjehen të lumtur çdo ditë, jo vetëm sot. Mbi të gjitha, ata kanë nevojë për dashuri, përkujdesje si dhe edukim, arsimim dhe një mjedis shoqëror më human, gjëra këto që, fatkeqësisht, shumica prej tyre nuk do të kenë ku ti gjejnë. Mjerisht, herët apo vonë ata do të mësojnë, si shumë prej paraardhësve të tyre sot, se e ardhmja nuk do të jetë aq premtuese.
Megjithatë, ashtu si çdo ditë përkujtimi në këtë vend, nuk pritet ndonjë reflektim as sot. Përveç ndonjë organizate për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, të cilat, edhe ato, prodhojnë më shumë ideologji sesa sensibilitet, asnjë angazhim për reflektim shoqëror nuk pritet të ndodhë. Nuk do ta ketë ende njeri vullnetin të ndalet dhe të tregojë se shoqëria jonë është një mjedis i pashëndetshëm për rritjen e fëmijëve dhe ku prindërit më të përkushtuar gjejnë si të vetmen rrugë për të ardhmen e tyre, emigrimin.
Sot, familjet shqiptare po shthuren dhe rrënohen në mënyrë progresive. Prindër të ndarë, të dhunuar, të alkolizuar, të paangazhuar në familje, janë tashmë pjesë e përditshmërisë sonë. Familja shqiptare po bëhet gjithnjë e më shumë e paaftë të rrisë dhe edukojë njerëz, gjithnjë e më shumë ajo po humbet funksionet e saj, ndërsa problemet shtohen në mënyrë të frikshme. Familja po bëhet çdo ditë e më shumë një vatër e parehatshme, një mjedis konfliktesh, tensionesh, pakënaqësish e mosmarrëveshjesh, në të cilat fëmijët rriten të traumatizuar dhe të deformuar.
Gjithashtu, familja, si dhe shkolla, po humbet peshën e saj në edukimin e fëmijëve. Vendin e tyre po e zenë gjithnjë e më shumë televizioni, interneti dhe bota e konsumit, të cilët janë edhe burimet kryesore të epidemive dhe sëmundjeve shoqërore. Prindërit mendojnë gjithmonë t’iu garantojnë fëmijëve gjithçka materialisht, por shumica duken të varfër në çdo aspekt tjetër. Shumë prej tyre nuk e kuptojnë se prindërimi kërkon pikë së pari të sakrifikosh egon tënde, për të krijuar mjedisin e duhur ku fëmija mund të ushqehet me dashuri dhe vlera. Përkundrazi, bujaria financiare e prindërve ka më shumë gjasa të ndikojë për keq.
Gjeniu i vogelFëmijët sot gëzojnë jopak të mira materiale, por gëzojnë shumë pak mundësi për t’u rritur në një shoqëri të shëndetshme. Ata sot nuk gëzojnë të drejtat për të pasur edukim të mirë, arsim të mirë dhe marrëdhënie të shoqërore të pranueshme. Në një masë të madhe ata janë njëkohësisht të llastuar e të dhunuar, të privuar e të velur, të rritur para kohe e të vonuar, për shkak se modelet që shohin tek të rriturit nuk ofrojnë shembujt e duhur si dhe për shkak se shpesh bëhen zgjatime të ëndërrave, ambicieve, problemeve, fantazive, komplekseve apo tekave prindërore.
Paradokset ku ata jetojnë janë të shumtë. Është e trishtueshme të shohësh një brez që rritet para televiziorit, ku prindërit ia kanë besuar edukimin e tyre BangBang-ut, i cili i trullos me kartona që nuk do ishin të këshillueshme as për të rritur. Detyra prindërore, në një vend ku kanalet televizive nuk kanë thuajse asnjë produksion për fëmijë, mbaron tek pagesa e rrjeteve televizive kabllore, ku fëmijët mund të ndjekin një recycle bin global filmash të animuar kinezë e koreanë, pa asnjë standard artistik apo edukativ. Edhe kur ata bëhen pjesë në ndonjë spektakël televiziv, shfrytëzohen si objekt argëtimi për të rriturit, ku jorrallë prezantuesit i ngacmojnë me pyetje të tilla idiote si: “Ke ndonjë të dashur aty te shkolla?”, – pas të cilës audienca shpërthen së qeshuri.
Nuk mungojnë gjithashtu as shfaqje, pothuaj pedofilike, spektaklesh kërcimi ku fëmijët ekspozohen me veshje striptize aerobike apo belly dance, të cilat, në çdo vend të botës do ti çonin producentët në dyert e gjykatave. Spektaklet e “gjenive të vegjël” mbushen me këngë nga Rihanna, Shakira, Lady Gaga, të cilat do të duhet ta kishin të ndaluar edhe vetëm ti dëgjojnë, e jo t’i këndojnë e interpretojnë. Në të vëtetë këta fëmijë do të duhet të jenë vërtetë gjenij, nëse arrijnë t’ia dalin në një mjedis si ky.
Megjithatë, fëmijët kanë të drejtë të festojnë, sepse nuk është detyra e tyre të mendojnë për të gjitha këto. Eshtë detyra e prindërve që sot të mendojnë pak më shumë për nevojat sesa për festimin dhe argëtimin e tyre. Është detyra e të rriturve të mendojnë pak më shumë për veten e tyre dhe të përpiqen të kuptojnë se çfarë modeli u japin fëmijëve të tyre.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit