Nga: ardhmeriaonline
Fëmija qaraman
Fëmija qaraman
Muhamed El-mehdij
Fëmija qaraman… diktator i vogël
Ai është fëmija i parë dhe i vetëm që na lindi, pas një pritjeje të gjatë mbi katër vjeçare. Kur Zoti ma fali atë, e konsideroja si gjënë më të shtrenjtë në jetë, ai ishte vetë jeta ime, e babait të tij dhe e familjes. Për t’iu përkushtuar edukimit të tij, unë lashë punën dhe natë e ditë merresha vetëm me të.
Çdo kërkesë e tij plotësohej në çast dhe pa hezitim. Harrova dhe neglizhova gjithçka tjetër për hir të tij. Nëse kërkonte diçka, e bënte me britma dhe ulërima. Po të vonohesha pak, qoftë dhe një minutë, përplaste kokën për muri, ose për dyshemeje. Ky gjest vazhdon edhe tani që ka mbushur dy vjeç kur edhe të qarat duhet ti reduktojë siç ndodh me fëmijët e tjerë.
Por problemi më i madh është natën, pasi nuk e zë gjumi dhe kërkon prej meje dhe babait të tij të luajmë me të. Kur ndihemi të sfilitur dhe na këput gjumi, ai fillon të çirret, ulërin dhe hidhet përpjetë në krevat derisa të na zgjojë. Nëse e zë gjumi pas disa orvatjeve të njëpasnjëshme, shumë shpejt zgjohet duke ulëritur me të madhe. Unë ose babai i tij menjëherë e marrim në krahë, duke u sjellë rrotull nëpër shtëpi derisa të qetësohet.
Javën e fundit, të qarat e tij janë shtuar aq shumë saqë e kemi të pamundur të flemë gjumë. Kjo, përveç të qarave gjatë ditës dhe insistimit për ta mbajtur në krahë gjithë kohën, edhe pse fëmijët e tjerë përreth tij luajnë dhe dëfrejnë. Me gjithë dashurinë e madhe, ndonjëherë e humbas toruan dhe kontrollin dhe e rrah. Por shumë shpejt pendohem dhe e merr në krahë derisa të qetësohet ai bashkë me mua. E kam vizituar disa herë tek pediatri se mos vuan nga ndonjë sëmundje organike, por ai më ka siguruar se gëzon shëndet të plotë, duke më sugjeruar një psikolog fëmijësh për këtë rast.
Unë mbaj mend që edhe gjatë periudhës së shtatzënisë, ai lëvizte shumë në bark, gjë të cilën unë e interpretoja si reagim normal i gjendjes time psikologjike, pasi gjendesha nën presione psikologjike. Ose ngaqë jam edhe vetë shumë nevrike. Vlen për të theksuar se edhe i ati është nevrik në kulm, saqë zërat tanë gjithmonë janë të ngritur dhe të acaruar për shkaqet më të vogla.
Komenti i specialistit lidhur me këtë rast:
Ky fëmijë ka përjetuar shijen e stresit dhe të çrregullimeve që në embrion, në barkun e nënës së tij. Nëna e tij ka vuajtur nga çrregullime psikologjike, gjë e cila i përcillej fëmijës duke rritur masën e adrenalinës, kortizonit dhe disa lëndëve të tjera kimike. Pas lindjes, ai ka jetuar mes dy prindërve nevrikë dhe që marrin flakë për shkaqet më të vogla. Mesazhi që i ka arritur atij është se jeta është e pasigurt, plot zhurma e acarime që nuk kanë fund. Megjithatë, ai ka konstatuar se të gjithë e mbajnë në krahë, e përkëdhelin, llastojnë dhe luajnë me të gjatë gjithë kohës. Kjo e bën të ndihet i sigurt vetëm kur të tjerët i kushtojnë vëmendje dhe kujdes. Sakaq, ndihet i shqetësuar kur nuk ndihet në qendër të vëmendjes dhe larg rrethit të përkujdesjes.
Me anë të përvojave modeste, ka zbuluar se e qara bën që të tjerët ti kushtojnë vëmendje, sidomos nga nëna. Prandaj, e qara është bërë arma e tij e vetme për të pasur nën pushtet ambientin përreth. Kështu, ai i plotëson nevojat e veta narcizte duke qenë në qendër të vëmendjes gjatë gjithë kohës, sikur ai është qendra e universit dhe se gjithçka sillet rreth tij.
E qara e ka bërë të ndihet më i fuqishëm dhe të ketë nën kontroll gjithçka përreth. Pra, fëmija ndihet si një diktator i cili ka nën kontrollin e tij nënën dhe babanë gjatë gjithë kohës, të cilët i binden dhe i plotësojnë çdo kërkesë dhe nevojë, duke mos ia ndarë sytë për asnjë çast. Me gjithë moshën e tij të vogël, ai e ndjen se e ëma ndihet fajtore kur e neglizhon ose e rreth. Prandaj, ai i provokon ndjenjat e nënës së tij, duke e vënë në pozita hutimi për të zgjedhë mes plotësimit të gjithë kërkesave të tij, ose rrëmujës, të qarave dhe sjelljeve të tij të sikletshme. Rezultati është një akumulim i ndjenjave kontradiktore tek e ëma karshi djalit të saj problematik.
Trajtimi i këtij problemi duhet të fillojë nga nëna, e cila duhet të mësoj si të mbajë nën kontroll ndjenjat dhe emocionet e saj. Ajo duhet të ushtrojë një lloj vendosmërie të butë me djalin e saj të bezdisshëm. Ajo duhet të ndërgjegjësohet se nuk i kërkohet patjetër që ti plotësojë të gjithë kërkesat e djalit dhe kurdo. Nëna mund ta neglizhojë të qarit e fëmijës shumicën e kohës, pa u ndjerë fajtore dhe në konflikt me veten. Me kalimin e kohës, fëmija do e kuptojë se tashmë e qara është një armë e pavlerë. Veç kësaj, në familje duhet të mbizotërojë një atmosferë e ngrohtë, ku fëmija të ndihet i qetë dhe i sigurt. Prandaj kërkohet nga dy prindërit që ta kontrollojnë stresin dhe tensionin e akumuluar nga puna dhe lodhja. Ata duhet të mësojnë gjuhën e dialogut dhe të reagojnë me qetësi dhe maturi.
Atëherë fëmija do të ndihet i sigurt dhe i aftë për ta braktisur prehrin e nënës drejt lojërave me bashkëmoshatarët e tij. Derisa të arrijmë në këtë pikë, mund ti jepen fëmijës sasi të vogla qetësues për ta vënë në gjumë natën dhe për tu dhënë rastin prindërve që të qetësohen.
…