3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Fëmija i shpërqendruar dhe nervoz

Më të lexuarat

Fëmija i shpërqendruar dhe nervoz

Pyetje: Fëmija im është shumë nervoz dhe nuk i respekton dy prindërit e tij, sidomos babanë. Ky problem është përkeqësuar së tepërmi në vitin aktual, por si problem ka qenë prezent edhe më parë.
Problemi tjetër i tij është, se ai studion dhe nxë me shumë vështirësi. Nëna e tij qëndron gjatë me të, por rezultati është më pak nga ç’pritet. Përveç kësaj ai gjithmonë ndihet i pakënaqur, ndjen se të gjithë njerëzit janë në një gjendje më të mirë se ai, se është i dhunuar dhe se gjykimi ynë ndaj tij është jo i përpiktë.
E dërguam atë tek një psikolog, i cili i vuri diagnozën se vuan nga fakti, që vepron pa menduar dhe është i shpërqendruar.
Allahu ju shpërbleftë me të mira dhe desha të më tregoni se ç’lidhje ka situata e tij me moralet e këqija që dalin prej tij dhe se si duhet të sillemi me të unë (babai) dhe e ëma e tij?
Përgjigjet d. Amar Abdul Gani, konsulenti i faqes “Së bashku të edukojmë fëmijët tanë”:
Vëlla i nderuar, je i mirëpritur. Allahu të dhëntë jetë të gjatë!
Nervozizmi tek fëmijët ndryshon nga njëri fëmijë tek tjetri.
Nervozizmi mund të përkufizohet si një defekt emocional dhe sjellje, që reflektohet në gjendje çekuilibri. Nervozizmi, siç thonë ekspertët e fushës, lind tek fëmijët me egoizmin dhe dashurinë e vetes, gjë pas së cilës fëmija nuk bashkëpunon në shtëpinë e tij.
Vëlla i nderuar, duhet ditur se ka nga ata fëmijë që anojnë tek qetësia, izolimi dhe mospërzierja me të tjerët. Ka të tjerë që dallohen për faktin se janë aktivë dhe anojnë tek pjesëmarrja me moshatarët e tyre në aktivitetet dhe ushtrimet e tyre. Ka edhe të tjerë, tek të cilët spikat nervozizmi, provokimi i menjëhershëm, zemërimi dhe destabilizimi. Por gjenden edhe disa fëmijë në lëvizjen instiktive të të cilëve spikasin disa nga simptomat e qarta të nervozizmit si: kafshimi i thonjve, ose konjuktiviti i syve (skuqje e syve dhe ngjitja kapakëve të tyre prej sklepave), ose lëvizja anësore e kokës, ose thithja e gishtave, ose kafshimi i lapsave, ose të tjera gjëra prej lëvizjeve instiktive të pavetëdijshme. Këto lëvizje ndodhin gjithmonë dhe vazhdimisht dhe janë të sojit të lëvizjeve nervore instiktive, burimi i të cilave është tensionimi i ashpër shpirtëror, prej të cilit fëmija vuan.
Nëse duam që t’i klasifikojmë shkaqet e nervozizmit tek fëmija, mund të themi se gjysma e shkaqeve bie mbi prindin dhe gjysma tjetër bie mbi fëmijën.
Po fillojmë me shkaqet, që kanë të bëjnë me ju si prindër, pasi nuk ka dyshim në faktin, se familja në përgjithësi ndikon fuqishëm në personalitetin e fëmijës. Lloji i raporteve dominuese në familje përcakton në një nivel të lartë klasifikimet e personalitetit të fëmijës.
Fëmija e formon vizionin e tij mbi veten përmes raporteve me familjen. Kur e sheh veten e tij në familje se është i dashur dhe i dëshiruar, ai rritet i kënaqur me veten. Ndërsa kur e sheh veten e tij, se nuk është i dëshiruar dhe nuk e duan, atëherë ai rritet i pakënaqur me veten e tij dhe pa patur besim në vetvete, gjë që bëhet shkak që jetën e tij ta dominojnë tensionet dhe konfliktet shpirtërore, ku spikasin ndjenjat e nervozizmit dhe shqetësimit.
Shkencëtarët shohin se shkaqet më të rëndësishme të nervozizmit të fëmijëve janë ndjesia e paaftësisë dhe ajo e urrejtjes. Kjo vjen si rezultat i privimit të tyre nga ngrohtësia prindërore në shtëpi. Shkak i kësaj është vrazhdësia e etërve, dallimi që bëhet midis vëllezërve e motrave, ose gjëra të tjera të kësaj natyre.
Nëse flasim shkoqur, ne gjejmë se ju si prindër ndoshta ia keni privuar fëmijës tuaj një pjesë të ngrohtësisë prindërore familjare. Kësisoj, nuk është e habitshme që nga ky privim të zhvillohen ndjesitë e urrejtjes, agresivitetit, vetëmbylljes, ndjesitë e paaftësisë dhe mosngopja e nevojës për dashuri dhe pranim. Ndoshta ju e ushtroni pushtetin tuaj mbi të, gjë kjo që çon kategorikisht në ndjesinë e tij, se është i paaftë dhe se nuk është i lirë dhe për pasojë fëmija zemërohet dhe rebelohet.
Më beso vëlla i nderuar, agresiviteti verbal që fëmija tregon ndaj prindit, vjen si një lloj kundërveprimi dhe kjo është sigurisht një gjë e papranueshme, por në realitet është një tip i konfirmimit të vetvetes tek fëmija. Teksa fëmija shan, shfryn dhe ofendon, në realitet ai do të thotë: “Unë jam këtu”.
Sa i përket pjesës së shpërqendrimit që i takon fëmijës, që ju e përmendnit në pyetjen tuaj, i cili mund të bëjë që fëmija të ndihet i paaftë për të ndërvepruar me moshatarët e tij, sidoqoftë në arritjet arsimore ose në lojë, diçka e tillë e vendos atë në siklet të madh, i cili shfaqet përmes simptomave nervore. Ky nervozizëm i fëmijës shfaqet dukshëm, sidomos në shtëpi me ju. Fëmija shprehet kësisoj si inerci e pamundësisë së tij për të shprehur shqetësimin dhe merakun e vet.
Vëlla i nderuar! Krahas kësaj që u tha më herët, duhet të marrësh në konsideratë se shpërqendrimi që ai ka, është shkaku kryesor, që e bën atë të sillet në këtë formë. Çdonjëri prej nesh dëshiron që fëmijët e tij të jenë më të zgjuarit, më të përqendruarit dhe më të vëmendshmit. Ndoshta ju i mëshoni me të madhe kësaj tendence, e cila në fakt kthehet në një gjendje komplet tjetër për fëmijën. Ndoshta kjo shoqërohet me mosinteresim dhe moskokëçarje nga ana e fëmijës, si hakmerrje nga ana e tij. Ajo që duhet ditur është fakti, se fëmija nuk duhet konsideruar një vegël, të cilën mund ta komandojmë sipas tekave dhe dëshirave tona prindërore.
Nuk është gjë e lehtë të evitohet një zakon i caktuar. Edhe të mëdhenjtë vuajnë, kur tentojnë të eleminojnë një zakon të synuar, por me kalimin e kohës dhe duke bërë durim, është e mundur ta ndihmoni fëmijën tuaj, që ta mundë zakonin e keq.
Duke qenë se rruga e transformimit dhe reformimit fillimisht ka nevojë për çelësa, po ju paraqesim më të rëndësishmit prej këtyre çelësave, për të shmangur zemërimin para se ai të ndodhë dhe për t`ia prerë rrugën përpara se xixat e tij të fluturojnë:
1. Brenda mundësive, duhet të sillemi qetësisht me zakonin e nervozizmit të fëmijës, pa i dhënë atij rëndësi shumë të madhe, duke qenë se zakoni i nervozizmit është një çështje e përhapur tek fëmijët.
2. Njohja e shkakut të nervozizmit. Është shumë e rëndësishme që të verifikoni, nëse fëmija juaj ndihet person i dashur dhe i dëshiruar tek ju, pavarësisht nga çdo lloj zakoni nervozizmi që gjendet tek ai. Duke i dhuruar fëmijës tënd shumë dashuri dhe mbështetje, kështu ti do e ndihmosh atë të triumfojë mbi problemin e nervozizmit.
3. Foli fëmijës tënd në një formë të tillë, që ai të qetësohet dhe siguroje atë se ti gjithmonë do jesh me të. Përqafoje fort vogëlushin tënd dhe shoqëroje këtë me sa më shumë ndjesi të çliruara dhe përkujdesje preokupuese, freskuese dhe relaksuese për fëmijën tënd.
4. Dialogu, dialogu dhe sërish dialogu. Ti duhet t’ia vësh veshin mirë fëmijës dhe me arsyen e gjykatësit e shpirtin e nënës, të konstatosh shkaqet e tronditjes së fëmijës. Qetësoje fëmijën tënd nga ajo gjë, të cilës ai i trembet dhe përmendi se ti je i gatshëm ta dëgjosh atë, t’ia zgjidhësh problemin e tij dhe t’ia eliminosh shkaqet e tronditjes.
5. Shpërblimi i fëmijës, duke e lavdëruar dhe stimuluar. Kur fëmija të shprehet mbi shqetësimin e tij në një mënyrë të saktë, të cilën ti ia ke mësuar në momentet e qetësisë dhe kthjelltësisë midis jush, në këtë rast stimuloje atë dhe shpërbleje, me qëllim që ai të kuptojë se veprimi i tij është i bukur. Nëse fëmija nuk të përgjigjet kur ti e qetëson dhe i tërheq vërejtje 4-6 herë, atëherë ndëshkojë përmes privimit nga një gjë që atij i pëlqen, sikurse shëtitja për shembull.
6. Gjeji fëmijës tënd shfryrës të saktë, ku ai të mund t’i zbrazë ngarkesat e zemërimit dhe tronditjes që ka, në një formë të tillë që këto shfryrës të korrespondojnë me aftësitë e tij aktive. Silli atij lodra dhe sende që ia zhvillojnë aftësitë që ai disponon dhe mos i kërko atij më shumë nga sa mund të mbajë. Nxirre atë në shëtitje ose në ambiente shoqërore.
Gjithashtu mund ta vësh atë të të ndihmojë në kryerjen e disa shërbimeve në shtëpi, sikurse në pastrimin e xhamave, rregullime të ndryshme në shtëpi, jo në formë ndëshkimi por në formë afrimi dhe pjesëmarrje. Këto aktivizime i mësojnë fëmijës dashurinë për të kontribuar dhe e ndihmojnë atë të shkarkojë tensionimet e tepërta.
 
Sa i përket mungesës së përqendrimit, po të jap disa nga çelësat e ndërveprimit të suksesshëm me fëmijën, në këtë kontekst:
1. Konsultimi dhe shqyrtimi i çështjes me mësuesin. Sidomos nëse problemi në fjalë ndodh me fëmijën tënd vetëm në shkollë. Ndoshta problemi qëndron tek mësuesi, tek  mënyra sesi ai e shpjegon mësimin. Në një situatë të tillë duhet të takohesh me mësuesin dhe duhet të diskutosh e të konsultohesh me të për problemin dhe zgjidhjet e mundshme.
2. Mbikëqyrja e trysnive të pranishme brenda shtëpisë. Nëse problemi në fjalë ndodh me fëmijën tënd në shtëpi, një gjë e tillë mund të jetë pasojë e trysnive të caktuara të pranishme në shtëpi.
3. Të shtohet hapësira e argëtimit dhe zbavitjes. Aktivitetet e fëmijës domosdoshmërisht duhet të përmbajnë lëvizje, novacion, larmi, kontakt fizik dhe stimulim. Kështu për shembull që ta ndihmojmë fëmijën në fjalët satirike, këtë mund ta bëjmë duke i shkruar këto fjalë mbi karta me laps ngjyrash. Këto karta përdoren më pas kur duam t’i përsërisim këto zbavitje, apo kur duam ta mësojmë dhe ushtrojmë fëmijën.
4. Praktikumi i ushtrimeve që nxisin përqendrimin e lartë. Për shembull të presësh një copë të madhe kartoni me një pamje të caktuar dhe ta vendosësh atë në një zonë, ku i bie në sy fëmijës, mundësisht përballë tavolinës së fëmijës. Pastaj i kërkojmë fëmijës të përqendrohet dhe të shikojë brenda kësaj kornize apo imazhi. Kjo e ndihmon fëmijën të rrisë përqendrimin.
5. Kontaktimi me sy. Që të përmirësosh kontaktimin me fëmijën tënd të papërqendruar, duhet që të kontaktosh me sy me të, para se t’i flasësh apo të hysh në bisedë me të.
6. Largohu nga pyetjet bezdisëse. Bëje zakon përdorimin e fjalive dhe shprehjeve në vend të pyetjeve. Diktimet e thjeshta dhe të shkurtra janë më të lehta për t’u kryer nga fëmija… Kështu për shembull mos i thuaj fëmijës: “A edhe librin tënd nuk mund ta gjesh?!, por thuaji: “Shko tani, ma sill librin tënd dhe hajde!”, ose thuaji atij: “Ma sill ta shoh librin!”.
7.  Përgatitja e listës së detyrave. Përgatitja fëmijës listën e detyrave dhe aktiviteteve që duhet të bëjë. Vendos shenjën (e kryer) përbri çdo pune që fëmija e kryen. Punët që nuk janë kryer, tregoja fëmijës në listë, me qëllin që ai t’i dijë.
8. Stimulimi i fëmijës që të përpiqet dhe vlerësimi i tij kur ai e bën këtë. Duhet të jesh durimtar me fëmijën tënd, pasi ai në fakt shpenzon maksimumin e mundësive të tij. Shumë prej fëmijëve e kanë shumë të vështirë të nisin një aktivitet të caktuar dhe të kenë vazhdimësi në të.
Krahas gjithë kësaj, shpresoj të kesh një konsultë të vazhdueshme me psikologun, që ai ta diagnostifikojë siç duhet gjendjen e fëmijës dhe të përcaktojë atë që nevojitet prej trajtave të kurimit të tij, sidomos për ato gjëra që kanë të bëjnë me shpërqendrimin.
Së fundi mos e harroni duanë (lutjen) drejtuar Allahut.
Ne si prindër, baballarë dhe nëna, na takon që t’i lutemi Allahut për fëmijët tanë, që Allahu i Lartësuar t’u japë atyre mirësi, mbarësi, sukses dhe prosperitet në rrugët e diturisë. Gjithashtu na takon që të tregohemi të përmbajtur me fëmijët tanë dhe të reflektojmë karshi tensionimeve të tyre me zgjuarsi, mjeshtëri dhe ekperiencë.
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit