0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Fekalizimi i komunikimit publik

Më të lexuarat

AGIM BAÇI

Mund të thuhet se ba naliteti ka qenë kryefjala e teknikës së komunikimit të Kryeministrit Rama në të dy mandatet qeverisëse. Po të shohësh, madje, komunikimet e fundit, përfshi dhe atë dy netëve më parë përballë analistëve Gjekmarkaj e Abilekaj, vihet re një tendencë bullizmi e shefit të qeverisë shqiptare ndaj gazetarëve kur ata i drejtonin pyetje lidhur me qeverisjen dhe menaxhimin e pandemisë, apo qoftë edhe ballafaqimi me mendimin e disa prej specialistëve më të mirë të shëndetësisë, siç ishte dr. Mezini e dr. Sulçebe. Por përse i nevojitet ky banalitet Ramës dhe ky bullizëm kaq i hapur në komunikim, ku shumica e përgjigjeve janë sharje, fyerje dhe delegjitimim i kundërshtarëve? Përse Rama ka nisur fushatën e “fekalizimit të diskursit publik”, duke përdorur fyerjet dhe akuzat si argument?

Së pari, banaliteti e ndihmon Ramën që të shmanget nga çdo llogaridhënie për atë që ka ndodhur në ekonomi, në shëndetësi, në punët publike e sidomos në menaxhimin e pandemisë. Pas gati tetë vjetësh në pushtet, duket qartësisht se Rama nuk mund t’i ofrojë publikut asgjë të re. Madje, i distancuar edhe nga socialistët tradicionalë, të cilët prej kohësh perceptohen si shtojcë e dëshirave të Kryeministrit, Ramës tanimë i ka mbetur vetëm të dalë e të bëjë fushatë promovimi për thirrje të reja për aplikime për deputetë në PS, pasi prej kohësh ai është shumë larg PS-së që kemi njohur dhe se ai po kërkon të ndërtojë në mënyrë të hapur një lëvizje, që nuk do të kërkojë më asnjë investim serioz nga anëtarët e partisë, përveç përdorimit të tyre në votime. Do të mjaftonin ato që thotë dhe bën vetëm nëse do të kishte premtuar katër vite më parë se “në mandatin tim të dytë do tall t…n me shqiptarët!”. Jo se nuk ka vepruar çdo ditë me këtë moto, por thjesht nuk e ka prezantuar hapur si program dhe qëllim të tijin.

Ndërkaq, banaliteti si mënyrë komunikimi nuk vlen për të fshehur vetëm llogaridhënien dhe mungesën e ideve për të nesërmen. Banaliteti më së shumti dekurajon qytetarët të bëhen pjesë e debateve reale. Ndërkohë, përmes banalitetit, Rama tenton të shndërrojë audiencën në turmë dhe të përcaktojë më pas debatin në bazë të termave banalë. Një qëndrim i tillë publik në takimet me qytetarët dhe në thuajse çdo takim apo konferencë me median, i bën përgjigjet ndaj bullizmit dhe banalitetit ose të pamundura, ose joefektive, pasi tashmë njerëzit nuk arrijnë dot më të arsyetojnë, por vetëm të futen në llogore politike për të mos qenë me “kundërshtarin”.

Por, Rama synon banalizimin e gjithë debatit publik që të përforcojë qëndrimet e tij aktuale e jo t’i sqarojë ato. Duke banalizuar, ai gjithashtu nxit shijet e turmave, që zgjedhjet e tyre të mos jenë alternativë politike në dritë të shifrave dhe fakteve, por vetëm konfirmim i gjendjes aktuale. Ai kërkon që përmes fekalizimit të gjithë gjendjes, për të cilin po shfrytëzon edhe modelin e kryebashkiakut të Tiranës në takimet elektorale, të krijojë bindjen se nuk ka alternativë tjetër që duan shqiptarët. Për të arritur këtë, është përpjekur që të zhdukë nga çdo nivel komunikimi shoqërinë civile, duke tentuar që debati të duket sikur ekziston vetëm mes dy kampeve dhe se nuk ka shqiptarë të tjerë që duan të shohin një debat me alternativa. Me këtë mënyrë komunikimi Rama po tenton që me çdo kusht t’i shmanget çdo tendence, e cila do të shkonte drejt analizimit të qeverisjes dhe sidomos të premtimeve të tij. Synimi është të shmangë analizimin e dështimit në premtimin e shëndetësisë falas, që ishte premtimi më i bujshëm, e më pas edhe mënyrën e menaxhimit të pasojave të tërmetit të nëntorit të vitit të kaluar.

Kjo mënyrë e komunikimit është e gërshetuar mes gënjeshtrave dhe gjysmë të vërtetave, të cilat përhapen nga disa nivele të medias sociale dhe tradicionale. Dhe në këtë furi të debatit banal, shumë nxitojnë të nxjerrin përfundime përmes një “shiu informativ” që prodhohet çdo ditë nga propaganda ideologjike, e cila si kryeargument ka një reklamë që transmetohej për një biznes bojërash: “Ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk keni parë!”. Një slogan gati me këndvështrim erotik, ku e paraqet alternativën e qeverisë si një “alternativë seksi”, që duket më e bukur se kundërshtari.

Kjo fushatë fekalizimi nga Kryeministri do të ishte e pamundur në fakt pa mbështetjen e një pjese të medias, e cila, prej kohësh, ka humbur sensin e të qenit në krah të atyre që qeverisen. Duke mos arritur dot të jetë në unison përballë fyerve dhe bullizmit të vazhdueshëm, media ka luajtur rolin e viktimës, duke shtuar dekurajimin e shqiptarëve për të kërkuar një ballafaqim me ide, me alternativa. Duke rrezikuar debatin me alternativa, banaliteti do të vijojë të jetë kryefjalë e dialogut, të paktën deri në zgjedhje.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit