-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Fejesa

Më të lexuarat

Nga: Amer Halid

Fejesa

Në një anketim të bërë mbi shkaqet që çojnë në dështimin e fejesës, votuan 9.357 të rinj dhe të reja. Zgjedhjen e gabuar e votuan 44 % e votuesve. Problemet ekonomike 15 %, fejesën e gjatë 14 %, orientimi i lidhjeve mes të fejuarit dhe të fejuarës drejt kontakteve seksuale 13 %, ndërhyrjet e prindërve 14 %.
Kështu, shohim që shumica e të rinjve shohin si shkakun kryesor të prishjes së fejesës, një zgjedhje të gabuar dhe të nxituar.
Siç kemi theksuar dhe në temat e mësipërme, përzgjedhja e shokut të jetës ka lidhje me:
1 – Caktimin e kritereve të kërkuara, ku përmendëm tre kritere të rëndësishme:
a) Përkushtimi fetar.
b) Pamja e jashtme.
d) Barazia shoqërore.
Këto janë kriteret më të rëndësishme, të cilët garantojnë një martesë dhe jetë familjare më të lumtur.
2 – Kërkimi.
3 – Këshillimi dhe falja e namazit të istihares.
4 – Pëlqimi i familjes.
 
Lidhjet mes të fejuarve.
Pasi të jenë hedhur të gjithë hapat që përmendëm më sipër dhe të jetë marrë dhe pëlqimi i prindërve të vajzës për fejesë, do të përmendim mënyrën si konceptohet sot fejesa dhe mënyrën si konceptohet në islam.
Kryesisht, sot kemi dy lloje fejesash:
1 – E hapur dhe liberale, ku çdo gjë është e lejuar dhe e pranueshme.
2 – E mbyllur dhe konservatore.
Në llojin e parë, gjithçka pranohet dhe pritet të ndodhë nga dy të fejuarit. Lidhjet e tyre fillojnë me kapjen për dore, shëtitjet dhe udhëtimet jashtë qytetit, xhirot me makinë deri në orët e vona të natës, vizita të shumta…
Lloji i dytë është një person i mbyllur, i cili e viziton të fejuarën vetëm një herë në javë. Edhe kur e viziton të fejuarën në shtëpi, ai nuk flet vetëm kur t’a pyesin. Por edhe kur flet, ai ndihet keq, emocionohet dhe djersitet.
 
Koncepti i fejesës në islam
Fejesa në islami përkufizohet dhe konceptohet si premtim për martesë. Nga ky premtim nuk rrjedh asnjë obligim dhe detyrë.
Nëse fejesa konceptohet thjesht si një premtim për martesë, atëherë cili është objektivi i fejesës?
Në një anketim të bërë me disa të rinj, rreth objektivit dhe qëllimit të fejesës, dukej që shumë prej të rinjve nuk e kishin të qartë synimin e fejesës.
Një e re përgjigjej se objektivi i fejesës është njohja më e mirë mes dy kandidatëve për t’u martuar dhe kjo njohje arrihet duke u takuar dhe ndejtur me njëri-tjetrin më shumë.
Një i ri përgjigjej se fejesa është një rast dhe shans i mirë për të njohur natyrën e vajzës me të cilën do të martohem.
Kurse dijetarët muslimanë, pohojnë që qëllimi dhe objektivi i fejesës është: që të arrihet pëlqimi dhe qetësia shpirtërore për kandidatin/en për martesë.  
Nëse gjatë periudhës së fejesës hyjnë epshet dhe kënaqësitë fizike, nuk është e mundur që të arrihet pëlqimi dhe qetësia shpirtërore, të bazuara në fakte dhe realitet.
Në islam, e fejuara konsiderohet e huaj dhe trajtohet si gjithë femrat e tjera. Gjatë fejesës, të dy partnerët kërkojnë dhe mbledhin informacionin e duhur, me anë të cilit arrihet pëlqimi dhe qetësia shpirtërore, ose e kundërta.
Nëse fejesa konceptohet si formë e afrimit fizik, duke dalë të kapur përdore, duke gjetur një apartament për të ndejtur sa më shumë bashkë etj… objektivi nuk do të realizohet.
Po të shohim, martesa në islam kalon në disa faza. Faza e parë është kur djali kërkon dorën e vajzës. Faza e dytë është fejesa, e treta është lidhja e martesës (nikahu) dhe e katërta ceremonia martesore. Të gjithë këto faza, janë me qëllim që si djali ashtu edhe vajza të marrin informacionin e duhur dhe t’ju qetësohet zemra me këtë lidhje. Kështu, me këtë lloj shkallëzimi, islami synon që njohja mes dy kanditatëve për t’u martuar të vijë duke u shtuar derisa ata t’a pëlqejnë njëri-tjetrin dhe të vendosin për martesë. Me këtë, si llogjikës ashtu dhe zemrës i jepet koha e duhur, për t’a njohur partnerin. Nëse epshet do të ndërhyjnë në këtë lidhje, atëherë as llogjikës dhe as zemrës nuk u lihet kohë për të gjykuar siç duhet.
Shumë vajza, pas martese pohojnë se bashkëshorti u duket si dikush tjetër, krejtësisht ndryshe nga ai që kishin njohur gjatë fejese.
Kjo ndodh pasi nuk janë respektuar ligjet dhe normat e fejesës, objektiv i së cilës është njohja dhe prezantimi sa më i mirë.
Dikush mund të thotë që shokët e Profetit a.s dhe muslimanët e tjerë martoheshin brenda një periudhe shumë të shkurtër. Ashtu është, por ata jetonin në një shoqëri shumë të lidhur dhe të konsoliduar.
Kurse sot, nëse të rinjtë nuk informohet mbi njëri-tjetrin duke repsektuar dispozitat islame gjatë fejesës, padyshim që do të ndodhin probleme.
Duro o vëlla dhe o motër derisa të martoheni dhe të vini kurorë! Ruajeni nderin, derisa t’a njihni dhe të informoheni mirë për njëri-tjetrin! Këto që i them, i kam të bazuara në shumë ankesa që më vijnë nga vajza të braktisura gjatë fejesës. Shumë prej tyre më pohojnë se u janë përgjigjur kërkesave dhe epsheve të tyre nga frika se mos i braktisin. Shumë të tjera pohojnë se u janë përgjigjur dëshirave të tyre duke dashur të hiqen moderne dhe të sillen si gjithë të fejuarit e tjerë.
Të panumërta janë telefonatat që marr nga vajza të reja, të cilat ankohen dhe kërkojnë këshillën time në raste prishje të fejesës. Pasi kanë bërë ç’ju ka dashur qejfi, ata i braktisin të fejuarat dhe nuk pranojnë të martohen me to. Problemet dhe ndarjet që ndodhin gjatë fejesës, janë më të shumta se problemet dhe ndarjet që ndodhin para fejesës në lidhjet jashtëmartesore. Kjo, pasi shumë vajza e konsiderojnë të fejuarin si bashkëshortin e tyre dhe u plotësojnë çdo dëshirë dhe kërkesë.
Dije o motër se dispozitat islame dhe koncepti islam mbi fejesën, është për të mbrojtur dhe ruajtur nderin por dhe krenarinë tënde.
Përveç nderit dhe humbjes së dinjitetit tënd, një fejesë e shthurrur është dhe pakësim i bereqetit. E çfarë bereqeti mund të ketë një martesë, e bazuar në lidhje haram dhe imoralitet?
Është një rregull që thotë:”Kush nxiton të përfitojë nga diçka para kohe, privohet nga ajo.” Mos e shkatërro jetën tënde familjare dhe bashkëshortore që në fejesë.
Një rregull tjetër thotë:”Kush privohet nga një kënaqësi thjesht për hatër të Zotit, Ai do ia kompensojë me diçka tjetër më të mirë.” Durimi dhe ruajtja e nderit gjatë fejesës, garanton lumturinë dhe qetësinë bashkëshortore më vonë.
Qëllimi i fejesës është marrja e informacionit të nevojshëm,  gjë e cila do bëjë që dy pretendentët për t’u martuar t’a pranojnë njëri-tjetrin dhe të ndihen të qetë në këtë zgjedhje.
Kur e dënojmë një fejesë liberale, të hapur dhe të lirë për të vepruar gjithçka, nuk do të thotë që jemi për fejesa konservatore, ku të fejuarit nuk e shohin njëri-tjetrin.
Me këtë rast, më kujtohet një i ri i sapofejuar, që kishte vendosur  që gjatë fejesës të mos e shohë fare të fejuarën, të mos e vizitojë në shtëpi dhe as të mos e marrë në telefon. Kjo e bëri të fejuarën të dyshojë mbi sjelljet dhe komunikimin e tij.
Kështu, ne nuk jemi as për një fejesë të hapur dhe plotësisht liberale por as dhe me një fejesë të mbyllur dhe konservatore. Që të arrihet njohja dhe prezantimi sa më i mirë mes dy të fejuarve, padyshim që ata duhet të shihen dhe bisedojnë.
Ne jemi kundër shprehjeve dhe fjalëve të ulëta dhe me përmbajtje erotike, por jemi për shprehje të tilla që tregojnë simpati dhe dashuri si:”E lus Zotin që të na bashkojë në një strehë të vetme! Ndihem shumë i lumtur kur jam me ty…!” dhe fjalë të tjera të ngjashme, të cilat janë larg epsheve.
 
Periudha e fejesës.
Në një anketim të bërë, u pa që të rinjtë kishin mendime të ndryshme mbi periudhën kohore të një fejese. Disa prej tyre mendonin se ajo duhet të jetë gjashtë muaj, të tjerë mendonin se ajo duhet të jetë një vit deri në dy. Të tjerë mendonin se diçka e tillë varet nga kushtet dhe rrethanat e secilit nga të fejuarit. Disa të tjerë mendojnë se kjo periudhë duhet të zgjasë aq sa dy të rinjtë të informohen dhe t’a njohin njëri-tjetrin. Ndërkohë që të tjerë mendojnë se sa më e shkurtër të jetë, aq më mirë.
Në fakt, të caktosh një periudhë kohore të fejesës është diçka pa vend. Fejesa mund të zgjasë ose të shkurtohet, sipas rrethanave dhe kushteve të secilit. Kështu, nëse realizohet synimi dhe objektivi i fejesës, atëherë martesa mund të bëhet kurdo.
Zgjatjen e fejesës pa ndonjë shkak të justifikueshëm, unë e shoh si diçka të rrezikshme. Kjo, pasi vetë fejesa në vetvete është një fazë kalimtare dhe e përkoshme, e cila është ligjëruar për të kryer një funksion dhe qëllim të caktuar. Zgjatja e periudhës së fejesës pa arsye, do të krijojë probleme, pasi natyra njerëzore e kërkon që njeriu të kalojë nga një fazë në tjetrën.
Në këtë drejtim, edhe prindërit duhet të luajnë një rol të rëndësishëm. Ata duhet t’i ndihmojnë fëmijët e tyre të fejuar të martohen dhe të mos bëhen pengesë. Ata nuk duhet t’ia lejojnë vetes t’a vonojnë fejesën e fëmijëve të tyre – si të djalit dhe të vajzës – thjesht ngaqë ajo akoma nuk e ka përfunduar shkollën. Në fund të fundit, të dy janë të rinj dhe jetojnë në një ambjent të mbushur me tundues seksualë. Kështu, atyre u duhen krijuar kushtet e nevojshme, që këto nevoja t’i përmbushin nën strehën martesore dhe jo të detyrohen të ndërmarrin zgjidhje të tjera.
 
Pesë pika.
Vallë cilat janë ato pika, mbi të cilat duhet të informohem gjatë fejesës? Çfarë duhet të zbuloj tek i fejuari im, gjë e cila do më bëjë t’a finalizoj me martesë fejesën, ose t’a anulloj atë? Cilat janë ato virtyte, të cilat duhet t’i zbuloj tek i fejuari?
Ti o motër dhe o vëlla, duhet të kërkoni pesë pika të rëndësishme tek partneri që ke zgjedhur për fejesë. Nëse këto pika i konstaton tek ai/ajo, atëherë gjithçka është gati për të hedhur hapin e martesës. Këto të pesta janë:Përkushtimi fetar. Moralet.Mënyra si mendon. Pasi koj ndikon drejtpërdrejt në marrëdhëniet tuaja.Vizioni i tij/saj mbi të ardhmen. Kjo është e rëndësishme o motër, pasi ti mund të jesh shumë ambicioze, ndërkohë që ai mjaftohet me pak dhe kjo ndikon në marrëdhëniet tuaja. Përputhshmëria e traditës dhe zakoneve. Këto ishin pesë kritere të cilat çdo djalë dhe vajzë duhet t’i kërkojë dhe konstatojë tek njëri-tjetri gjatë fejesës. Nëse i konstaton këto pesë pika tek personi që ka kërkuar dorën tënde, padyshim që fillon t’a duash dhe të ndjesh simpati për të, gjë e cila do të të qetësojë shpirtërisht dhe do e pranosh si bashkëshort.
Diçka e tillë ndodh edhe mes shoqërisë, ku secili prej nesh ka zgjedhur për shok një person të cilin ka filluar t’a njohë gradualisht derisa është bindur që ai ia vlen të shoqërohet me të. Vetëm një shoqëri e tillë, vazhdon gjatë dhe krijon lidhje të forta deri vëllazërore.
Asnjë dashuri dhe simpati, nuk mund të ketë rrënjë të ngulura thellë në tokë, pa u krijuar më parë një bindje llogjike dhe më pas t’a pranojë dhe zemra. Një dashuri të ndërtuar në këtë formë, e forcon më shumë martesa. Më vonë, me lindjen e fëmijëve, rrjeta e dashurisë fillon të forcohet më shumë.
Kështu, para se të hedhësh hapin e martesës, unë të këshilloj ty o motër dhe o vëlla që të informoheni mirë mbi personin me të cilin do të martoheni.
Mos e hidh hapin e martesës pa u siguruar mirë. Mbi 40 % e martesave vjetore në botën arabe përfundojnë me divorc. Unë besoj se kjo ndodh për shkak të lidhjeve martesore të pa llogaritura mirë.  Martesa nuk ka përse të ndodhë spontanisht dhe rastësisht, thjesht duke u bazuar mbi pamjen e jashtme.
 
Si t’i zbulojmë këto pesë kritere?
Për këtë, duhet që si vajza ashtu dhe djali, t’i drejtojnë njëri-tjetrit disa pyetje. Dhe secili prej tyre duhet të përgjigjet çiltërsisht. Normalisht, këto pyetje nuk duhet të bëhen në formën e një provimi të sikletshëm për të fejuarit. Ato duhet të bëhen në një kohë të përshtatshme për të dy të fejuarit, madje mund të bëhen dhe veç e veç, sipas rrethanave. Ato duhet t’i drejtohet partnerit ndërkohë që mund të jeni duke biseduar rreth një teme që ka lidhje me njërën nga pikat që kërkoni të zbuloni tek tjetri.
Fejesa dhe mbledhja e informacionit, ndihmojnë që si vajza ashtu dhe djali të bëhen të pranueshëm llogjikisht nga njëri-tjetri. Nëse ata e pranojnë dhe pëlqejnë njëri-tjetrin në bazë të kushteve dhe kritereve që kemi caktuar deri tani, padyshim që edhe zemrat e tyre do e pranojnë dhe pëlqejnë njëri-tjetrin. Dhe nëse edhe zemrat e pranojnë njëri-tjetrin pa mëdyshje, garantohet dashuria dhe respekti i ndërsjelljtë mes çiftit. Këto janë hapat dhe kriteret që islami vendos në përzgjedhjen e shokut dhe shoqes të jetës, hapa të cilët garantojnë një jetë bashkëshortore dhe familjare të lumtur.
Ne nuk kemi përse t’i besojmë filmat dhe telenovelat që flasin mbi dashurinë në shikim të parë dhe jetën e lumtur që lind më pas.
Lidhje të tilla që lindin nga një shikim, bisedë apo takim, përfundojnë me divorc dhe dhimbje. Lidhje që lindin ngaqë të dy e kanë pëlqyer njëri-tjetrin vetëm nga aparenca, flokët bjondë, sytë e kaltër, gjatësinë dhe elegancën, humorin … shumë shpejt përfundojnë me divorc. Kjo, pasi ata e zgjodhën njëri-tjetrin vetëm duke u bazuar në kriterin e pamjes së jashtme. Vetëm në filma dhe telenovela një lidhje e tillë vazhdon e lumtur dhe e gëzuar. 
Pyetjet që të fejuarit mund t’ia drejtojnë njëri-tjetrit për të zbuluar natyrën dhe karakterin e tij janë:Cili është qëllimi dhe objektivi yt në këtë jetë? Cilat janë ëndërrat e tua? Çfarë shpreson të arrish dhe të bëhesh?
Sigurisht që këtë pyetje duhet t’a bësh gjatë bisedës mbi këtë temë dhe jo me t’u takuar për herë të parë. Mund të ndodhë që njëri nga të fejuarit nuk din çfarë të thotë dhe nuk përgjigjet dot për arsye të ndryshme. Atëherë tjetri duhet t’a ndihmojë dhe nëse e shikon që reagon pozitivisht, ky është tregues i mirë. Çfarë planesh ke për të ardhmen dhe si e shikon atë? Nëse e shikon që e/i fejuari ka plane të qarta për të ardhmen, atëherë kjo tregon që ai me të vërtetë planifikon. Nëse ai ose ajo të thotë se pret që babai t’a ndihmojë, ky është tregues dobësie.  Këtu hyn dhe edukimi i fëmijëve, si mund të rriten dhe edukohen. Cilat janë ato veti dhe cilësi që i kërkon tek bashkëshorti/tja e ardhshme?Është bërë zakon që secili prej nesh të shprehë cilësitë dhe karakteristikat e bashkëshortes së ardhshme, por asnjëri prej nesh nuk e pyet të fejuarën dhe të fejuarin mbi mënyrën se si e koncepton shokun e jetës.
Pyetja e mësipërme të ndihmon shumë në vlerësimin e shokut të jetës. Me anë të kësaj pyetjeje e zbulon të fejuarin/të fejuarën si mendon dhe arsyeton.
Me anë të kësaj pyetjeje ti o vëlla dhe o motër zbuloni shumë cilësi tek partneri. Çfarë të pëlqen dhe çfarë nuk të pëlqen? Këtu hyjnë llojet e ushqimeve,veshja, sportet, pasionet… Si e shikon dhe koncepton përkushtimin në fe? Këtu hyn niveli i tij në njohuritë rreth fesë, mësimi përmendësh i Kuranit, sa vite ka që është e veshur me hixhab, përse e ka veshur hixhabin, cilat janë pengesat që ka hasur, cilat janë librat që lexon, cilat janë ligjëratat që dëgjon, kush janë dijetarët dhe ftuesit më të preferuar, shkakun etj…
 
 E rëndësishme është që përveç këtyre pyetjeve, të hetohet dhe mënyra si sillet me prindërit, me vëllezërit dhe motrat, me komshinjtë, të varfërit dhe të vobektët etj…
Nëse ti o motër e shikon të fejuarin duke rrahur motrën, frikësoju një sjelljeje të tillë. Nëse e shikon duke ofenduar dhe sharrë një të varfër, mos e neglizho këtë sjellje. Nëse e sheh të sillet ashpër me prindërit e tij, frikësoju kësaj sjelljeje. Të gjithë këto janë matës të karakterit dhe tipit të fejuarit tënd.  Madje, heto edhe prindërit e tij si sillen me njëri-tjetrin.
Mos ia lejo vetes që ndjenjat  dhe dashuria të verbojnë llogjikën tënde. Ne duam dhe kemi nevojë të ndërtojmë një familje të fortë. Për këtë, periudha e fejesës është shumë e rëndësishme. Prandaj, periudha e fejesës duhet të ruhet nga epshet dhe dëshirat e shfrenuara. E  gjitha kjo, me qëllim që të garantohet dashuria dhe një jetë bashkëshortore e fortë.
Një grua vajti tek Umer ibnul Hattabi dhe i tha:”Filani ka kërkuar dorën time, por unë nuk e pëlqej atë njeri.”
Umeri e pyeti:”A ke ndonjë vërejtje për moralin e tij?”
Gruaja i tha:”Jo, është njeri shumë i mirë.”
Umeri e pyeti:”Po për përkushtimin fetar të tij?”
Gruaja iu përgjigj:”Jo. Është njeri i përkushtuar dhe shumë fetar.”
Umeri e pyeti sërish:”Po mbi familjen dhe farefisin e tij?”
Gruaja sërish iu përgjigj:”Rrjedh nga një familje dhe farefis i respektuar.”
Atëherë Umeri i tha:”O bija ime! Njerëzit bashkëjetojnë me anë të islamit, familjes dhe moraleve.”
Me këtë, Umeri i thoshte:”Nuk është kusht që t’a duash dikë që ditën e parë që të kërkon dorën. Dashuria është diçka që lind dhe forcohet me kalimin e kohës. Padyshim që dashuria dhe simpatia fillon me moralet e mira, respektin, vlerësimin, përkushtimin fetar etj…
Fjalët që tha Umer ibnul Hattabi janë fjalë të një të sprovuari dhe eksperti.  
Të gjithë ato martesa që janë realizuar në bazë të fejesës islame dhe në përputhje me dispozitat fetare, janë martesa të mbushura me dashuri dhe respekt.
 
 
Balancim i duhur
Një gjë shumë e rëndësishme gjatë fejesës është peshimi i të mirave dhe të këqijave të partnerit. Diçka të tillë na e mëson gruaja e profetit Muhamed a.s. Nuk ka përse t’a gjykojmë si të mirë dikë thjesht ngaqë kemi parë një sjellje të mirë. Gjithashtu, nuk ka përse t’a gjykojmë të keq dikë, vetëm nga një sjellje jo e mirë.
Veç kësaj, të fejuarit duhe të kenë parasysh diçka tjetër të rëndësishme. Asnjëri prej tyre të mos përpiqet që t’a ndryshojë tjetrin dhe t’a bëjë si vetja. Kurrë nuk do të gjesh dhe kurrë nuk mund t’a bësh tjetrin si vetja. Fejesa është një periudhë e cila u mundëson dy të fejuarve që të gjejnë hapësira të përbashkëta për të bashkëjetuar më vonë. Secili prej të fejuarve duhet të pranojë gjëra që nuk i pëlqejnë tek pala tjetër, duke bërë lëshime. Vetëm kështu anija e martesës mund të vazhdojë të lundrojë në detin e trazuar me probleme.
 
Sinqeriteti dhe çiltërsia gjatë fejesës.
Të fejuarit duhet të ruhen nga gënjeshtrat dhe mashtrimet. Mos pretendo se je bujar dhe zemërgjerë ndërkohë që nuk je. Mos pretendo se rrjedh nga një familje e fisshme nëse nuk rrjedh nga një familje e tillë.  Nëse ke qenë i fejuar ose i martuar më parë, është mirë që t’ia tregosh të fejuarës dhe anasjelltas.
Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:”Cili është më i mirë, ai që themelet e godinës së vet i vë në përkushtimin ndaj Allahut dhe në kënaqësinë e Tij apo ai që themelet e godinës së tij i vë në bregun e gërryer dhe që rrokulliset me të në zjarrin e Xhehenemit?!” (Teube 108)
Fejesa dhe martesa janë amanet dhe amaneti duhet të respektohet.
Ditën e Kijametit, kur të gjithë të kalojmë mbi urën e Siratit, të gjithë do të mund të kalojnë, përveç atyre që e kanë tradhëtuar dhe përdhosur amanetin.
Të pretendosh diçka që nuk e ke, është dhe tradhëti për vajzën dhe familjen e saj. Nëse e bën këtë, ditën e Kijametit do të dalësh duke mbajtur në dorë një flamur, mbi të cilin është shkruar:”Kjo është tradhëtia e filanit.”
Kurrë nuk është zemëruar i dërguari i Zotit dhe ka refuzuar të falë, siç ka ndodhur në rastin kur janë fshehur të dhëna dhe të meta gjatë një lidhje bashkëshortore.
Një herë, Profeti a.s u martua me një grua, familja e të cilës i mbajtën të fshehta disa të meta themelore të kësaj gruaje. Pasi u martua me të dhe i zbuloi të metat e kësaj gruaje, i dërguari i Zotit e divorcoi menjëherë dhe u tha familjarëve të saj:”Më mashtruat!”
Emri i kësaj gruaje është i panjohur, ngaqë shokët e Profetit a.s dhe muslimanët e parë nuk donin që t’a lëndojnë familjen e saj.
Nëse ke qenë i/e martuar më parë, mos gënje, por trego të vërtetën. Trego që ke qenë i/e martuar dhe je divorcuar. Edhe nëse nuk të pyesin.
 
Sinqeriteti dhe çiltërsia me gjynahet e të kaluarës.
A duhet që të fejuarit t’i tregojnë njëri-tjetrit edhe gabimet dhe gjynahet që mund të kenë bërë në të kaluarën?
Në këtë rast, duhet të dimë nëse ai ose ajo janë penduar nga gjynahu që kanë vepruar më parë. Nëse janë penduar, atëherë më mirë është që këtë të metë t’a mbajnë të fshehtë. Nëse je penduar, është më mirë që të mos e zbulosh dhe publikosh këtë të metë.
Disa të rinj, edhe pse janë penduar nga veprat e ulëta që vepronin më parë, mburren me shokët e tyre mbi atë që kanë vepruar. Thotë Profeti a.s:”I gjithë umeti im do mëshirohet, përveç atyre që i publikojnë gjynahet.”
Por nëse ti o vëlla dhe o motër keni vepruar diçka të rëndë dhe ia mbani të fshehtë partnerit, por pa u penduar, ndëshkimi juaj do të jetë dyfish. E para për gjynahin, e dyta për tradhëtinë ndaj të fejuarit.
Por një e penduar për gjithçka ka ndodhur dhe ka vepruar në jetën e saj, është më mirë që të mos ia tregojë të fejuarit dhe ansjelltas.
Nëse ti o vëlla të pëlqen një vajzë, je fejuar me të dhe kërkon të martohesh, unë të këshilloj që të mos e pyesësh mbi lidhjet e saj të mëparshme. Edhe nëse e pyet, ajo ka të drejtë të mos përgjigjet. Diçka të tillë e kam të bazuar dhe në fetvanë që ka dhënë vetë myftiu i Egjyptit, Ali Xhum’a.
Pyetja që lind në këtë rast është:”Po nëse unë informohem që e fejuara, ose bashkëshortja ime, ka pasur një lidhje të fshehtë në të kaluarën, si duhet të veproj? A nuk është goditje e fortë për mua kjo?”
Kësaj pyetje unë do i përgjigjem me dy pyetje:
E para, a je i bindur që ajo është penduar për atë që ka vepruar më parë? Nëse nuk është penduar, atëherë divorcoje dhe braktise menjëherë.
Nëse je i sigurtë që ajo është penduar dhe tashmë ka një jetë tjetër, dhe ti je i bindur për këtë, vjen radha e pyetjes së dytë:
A je shumë xheloz? A do të ndikojë në lidhjet e tua pasmartesore, duke i përkeqësuar ato? Nëse po, atëherë më mirë prishe fejesën që tani. Por nëse e ndjen që ajo është penduar dhe e pranon këtë pendesë siç ia ka pranuar dhe vetë Zoti, atëherë vazhdoje fejesën dhe martohu me të. Unë personalisht njoh disa çifte të tillë, të cilët u martuan, kanë fëmijë dhe jetojnë të lumtur. Gjithësesi, kjo varet nga fakti nëse është penduar ose jo. Nëse ajo është penduar sinqerisht, atëherë kjo do të duket në veprat e saj. Nëse veprat duket që janë të mira, atëherë mbuloje dhe mos ia publiko gjynahun.
Gjatë Kalifatit të Umer ibnul Hattabit, një grua vajti tek ai dhe u ankua për të vëllanë e saj. Dikush kishte ardhur dhe kishte kërkuar dorën e saj dhe ajo kishte pranuar. Vëllai i saj, kishte vajtur tek familja e djalit dhe u kishte thënë se e motra kishte pasur një lidhje jashtëmartesore më parë, por që tani ishte penduar. Menjëherë ata dërguan fjalë dhe e refuzuan këtë fejesë.
Umeri, u nervozua shumë nga ky fakt dhe e thirri menjëherë të vëllanë e saj dhe e pyeti:”A nuk është penduar?!”
Ai iu përgjigj:”Po o Prijës i besimtarëve.”
Umeri i tha:”Atëherë përse e demaskove?! Përse nuk ia mbulove atë gjynah?!”
Një qëndrim i tillë i islami ndaj gruas, a nuk është në kontradiktë të hapur me ata që thonë se islami e ka shtypur dhe përdhosur figurën e gruas?! Ku tjetër përveçse në islam mund të nderohet gruaja? Kush tjetër përveç islami ia mbron nderin dhe dinjitetin? Kush tjetër e mëshiron gruan siç e mëshiron islami?!
Kështu, fillimisht ti o vëlla nuk ke përse e pyeti mbi të kaluarën e saj. Së dyti, nëse informohesh mbi diçka dhe e din që ajo tashmë është penduar, pranoje ashtu siç është.
Ti o motër, nëse ke vepruar diçka haram, nuk je penduar dhe pranon të fejohesh dhe martohesh me dikë, ndëshkimi yt Ditën e Kijametit do të jetë i dyfishtë. Nëse ke gabuar në të kaluarën, pendohu sinqerisht. Në të kundërt do të vuash në këtë botë dhe në tjetrën.
Të njëjtat fjalë dhe këshilla vlejnë dhe për ata djem që kanë gabuar në të kaluarën e tyre, para se të fejohen dhe martohen.
Kijeni gjithmonë parasysh ajetin e Kuranit:”Cili është më i mirë, ai që themelet e godinës së vet i vë në përkushtimin ndaj Allahut dhe në kënaqësinë e Tij apo ai që themelet e godinës së tij i vë në bregun e gërryer dhe që rrokulliset me të në zjarrin e Xhehenemit?!” (Teube 108)
 
Një çështje tjetër që merriton të diskutohet dhe sqarohet është nëse i fejuari e gëzon të drejtën e bindjes së shoqes. Gjatë fejesës, i fejuari nuk gëzon asnjë të drejtë dhe pushtet. Ajo vazhdon të jetë në kujdestarinë e familjes së saj dhe nuk të detyrohet asgjë. Ti dhe ajo mund të pranoni nga njëri-tjetri vetëm këshilla që ofrohen në formë të pranueshme dhe me mirësjellje. Këto, nëse nuk bien në kundërshtim me familjen e secilit.
E lusim Zotin që këto që thamë të jenë zanafilla dhe bërthama e lumturisë së familjeve muslimane.
 
 
 
 
 
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit