Një hulumtim i realizuar mbi fenë dhe ndikimin e fesë ka treguar se feja në shtetet e Evropës Lindore dhe Rusi feja luan rol të madh në botëkuptimin
ANKARA (AA) – Një hulumtim i realizuar mbi fenë dhe ndikimin e fesë ka treguar se feja në shtetet e Evropës Lindore dhe Rusi feja luan rol të madh në botëkuptimin politik dhe se ortodoksët ndiejnë simpati për Rusinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Qendra e Hulumtimeve PEW në SHBA ka realizuar hulumtim i cili ka përfshirë 25 mijë persona nga 18 shtete, përfshirë edhe Rusinë.
Qendra ka hulumtuar ndikimin e besimit fetar, sektit dhe përkatësisë mbi botëkuptimet politike, sociale dhe kulturore në shtetet e Evropës Lindore dhe Rusi, duke shpalosur se feja nuk ka humbur ndikimin në këto shtete edhe përkundër ndalesës së fesë dhe arsimit ateist të detyruar me vite të tëra gjatë periudhës së Bashkimit Sovjetik.
Sipas raportit, përkatësia fetare e shumë personave ka filluar të rritet sërish pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 dhe besimi i krishterë ortodoks është rritur në shtetet e Evropës Lindore.
Raporti tregon se teksa 37 përqind e popullatës janë deklaruar ortodoksë në Rusi në vitin 1991, kjo përqindje ka arritur në 71 në vitin 2015.
Ndërkaq, theksohet se numri i personave që i përkasin besimit katolik, besimi i dytë më i madh pas Ortodoksisë në Evropën Lindore, ka vazhduar të zvogëlohet që nga viti 1991 e këtej.
Krahas kësaj, Çekia dhe Estonia spikasin si vende me numrin më të madh të personave që janë deklaruar se nuk ndihen të lidhur me asnjë fe.
Besimi fetar ndikon edhe në politikë
Derisa tërheq vëmendje fakti se ortodoksët frekuentojnë më rregullisht kishat në krahasim me katolikët, thuhet se ortodoksia ndikon më shumë në botëkuptimin politik të individëve krahasur me katolicizmin.
Sipas raportit, ortodoksët në Evropën Lindore ndihen të afërt me Rusinë në aspektin politik, social dhe kulturor, ndërsa katolikët janë më të distancuar kundrejt Rusisë.
Raporti potencon se fenomenet si krenaria kombëtare, ruajtja e strukturës familjare tradicionale dhe kundërshtimi i homoseksualizmit janë rritur në mënyrë direkte proporcionale me besimin ortodoks, kurse personat nën moshën 35 vjeçare kanë botëkuptime më liberale.
Rusia dhe këndvështrimi ndaj Perëndimit
Gjatë hulumtimit, pjesëmarrësve nuk u është bërë pyetje direkte lidhur me këndvështrimin ndaj Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s. Megjithatë, sipas raportit, në pyetjen nëse është e nevojshme një Rusi e fuqishme për të balancuar ndikimin e Perëndimit, në Rusi dhe shtetet që konsiderojnë veten aleate të Rusisë ka spikatur përgjigja “Po”. Edhe në Greqi dhe Bullgari, shtete anëtare të BE-së, mbi 50 përqind janë përgjigjur me “Po”.
Po ashtu, në shtetet me shumicë ortodokse mbizotëron mendimi se Rusia është mbrojtëse e të krishterëve ortodoksë. Megjithatë, rezultat i kundërt ka dalë në Ukrainë, Rumani dhe Gjeorgji.
Edhe krahas kësaj, mbi 50 përqind e pjesëmarrësve në anketë janë shprehur pro bashkëpunimit të shteteve të tyre më SHBA-të dhe Perëndimin.
Ortodoksët më të moderuar kundrejt muslimanëve
Hulumtimi ka hetuar edhe këndvështrimin në këto shtete kundrejt Islamit, ku ortodoksët, në krahasim me katolikët, kanë rezultuar të jenë më të moderuar kundrejt muslimanëve.
Po ashtu, 68 përqind e popullsisë në vendet ku me shumicë ortodokse i konsiderojnë muslimanët si shtetas dhe individë të shteteve të tyre.
Ndërkaq, një pjesë e konsiderueshme e popullatës në shtetet me shumicë ortodokse kanë rezultuar të kenë qasje të dyshimtë ndaj demokracisë. Përjashtim bën Greqia, ku theksohet se 77 përqind e popullsisë janë në favor të demokracisë.