4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

FEJA ISLAME, PËRFAQËSUESJA DHE MBROJTËSJA E DINJITETIT NJERËZOR

Më të lexuarat

Pa më të voglën mëdyshje, mund të themi se Feja Islame përfaqëson në mënyrën më të arrirë vlerat e pastra dhe të natyrshme të qenies njerëzore. Kjo fe, e cila në themel të saj ka vënë ruajtjen e dinjitetit dhe të ndershmërisë, të natyrës së pastër dhe të shëndoshë, të familjes dhe të shoqërisë, kurrsesi nuk mund të pajtohet me shmangiet nga ajo që mendjet e kthjellëta dhe zemrat e pastra e konsiderojnë të mbarë.

Marrëdhënia që ekziston mes Zotit Krijues dhe njeriut, mbi të gjitha është ruajtja e natyrës së pastër të këtij të fundit, pasi kështu, dhe vetëm kështu, ruhet rregullsia me të cilën u bë dhe funksionon çdo gjë.

Askush nuk mund të pretendojë se rendja pas dëshirave të mbrapshta dhe egoiste mund të justifikohet me liritë dhe të drejtat e personit. Sigurisht, nëse shohim me vëmendje si i trajton Feja Islame këto të drejta, do të kuptojmë se nuk ka mënyrë më të përkryer në vlerësimin e tyre. Që te Fjala e Allahut: “Pa dyshim, njeriun e kemi krijuar në formën më të përsosur”, duket qartë se qëllimi i Zotit Krijues, ka qenë dhe mbetet vlerësimi dhe lartësimi i qenies njerëzore. Ndaj për këtë, secili duhet të ndihet krenar, pasi gëzon pozitën më të nderuar mes krijesave, pozitë e cila nuk duhet humbur për asnjë shkak, qoftë ky edhe përmbushje e epsheve dhe pasioneve të sëmura.

Si është e mundur që njeriu i cili gëzon të gjitha mirësitë nga Zoti i tij, njeriu për të cilin Allahu thotë: “Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit, ua kemi bërë të mundur që të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej atyre që kemi krijuar”, ta degdisë veten duke rendur pa fre andej nga e tërheq freri i pasioneve të tij?!

Nëse dikush mendon se të jesh i lirë do të thotë të bësh si të duash dhe çfarë të duash, sigurisht gabohet. Për të tillët vlen më së miri Fjala e Kuranit: “E kush është më i humbur se ai i i cili i shkon pas pasionit të vet, pa pasur kurrfarë udhëzimi nga Allahu”. Sepse nuk mund t’i kuptojmë liritë dhe të drejtat tona deri në atë masë, sa të mos ketë kurrfarë dallimi mes qenies së nderuar që e ka emrin njeri dhe pasioneve të tij të mbrapshta e shtazarake. Nëse Zoti i dha njeriut mirësinë dhe begatinë e të qenit i nderuar dhe i respektuar, përse ky njeri duhet ta çojë veten drejt përçudnimit dhe poshtërimit? Apo se ndoshta dikujt i pëlqen të jetë edhe më keq se shtazët!

Kurrsesi nuk mund të lejojmë që në emër të lirive dhe të drejtave, të nëpërkëmben vlerat e shoqërisë, të familjes dhe akoma më shumë ato vlera kombëtare të cilat na i trashëguan të parët tanë dhe na i lanë amanet. Nuk ka logjikë që njeriu ta mendojë të drejtën e tij duke mëkatuar ndaj Zotit. Për të tillët shërbimi më i mirë do të ishte që ata të orientohen te ajo që është e pastër dhe e natyrshme, te ajo që është e ndershme dhe dinjitoze për krijesën së cilës iu përulën engjëjt.

Sot, fatkeqësisht, shohim dhe dëgjojmë që në emër të të ashtuquajturës demokraci, po tentohet të shkelet mbi ligjet e Zotit, me të cilat Ai ka vënë rregullsinë në gjithësi. Në emër të lirive dhe të drejtave të njeriut, po tentohet të shkatërrohet shoqëria, të shkatërrohen vlerat kombëtare dhe familjare.

Nuk ka njeri me logjikë të pastër dhe natyrë të shëndoshë të pranojë devijimet nga natyrshmëria me të cilën Zoti e krijoi njeriun. A është e ndershme që të ngrihemi dhe të ligjërojmë atë që Allahu e ka dënuar dhe ndëshkuar? A është e ndershme që jetën tonë ta ndërtojmë duke dalë kundër pastërtisë me të cilën Zoti na lartësoi? A është e ndershme që për hir të një pakice që kanë dalë jashtë çdo morali, të shkatërrojmë vlerat dhe mirësitë që gëzojmë?

Feja Islame, e sheh njeriun si qenien më të vlerësuar dhe më të nderuar dhe nuk mund të pranojë kurrë poshtërimin dhe përçmimin e saj. Për këdo që i ka dhënë besë Zotit, dinjiteti njerëzor, vlerat e familjes, të shoqërisë dhe të kombit mbeten të shenjta. Si të tilla ato duhen ruajtur, zhvilluar dhe kultivuar që të mbeten të përjetshme ashtu siç është e përjetshme kjo Fe, me të cilën Zoti Krijues i dha njeriut kuptimin e ekzistencës së tij.

“Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë”! Ja pra, kjo është natyra me të cilën Zoti e krijoi njeriun, natyra te e cila gjen vend familja, natyra me të cilën ruhet kombi dhe shoqëria. Çdo gjë tjetër jashtë kësaj është vetëm djallosje dhe përçudnim!

Ndaj është detyrë për këdo që beson te Zoti, te vlerat e familjes dhe të kombit, te shoqëria e shëndetshme dhe e mbarë, që të ngrejë fort zërin e protestës kundër çdo orvatjeje për t’i rrënuar këto vlera. Nuk mund të ketë njeri të ndershmën, i cilitdo besim qoftë ai, të pranojë qoftë edhe në heshtje atë që Zoti e urren. Le ta mendojë secili se në këtë mënyrë të gjithë bashkë bëhemi mëkatarë dhe përgjegjës para Zotit. “Dhe ruajuni ndëshkimit, i cili nuk i godet vetëm ata të cilët bëjnë padrejtësi”.

Le t’i themi njëzëri ndal së keqes! Le t’i themi njëzëri ndal të mbrapshtës dhe të poshtrës! Le t’i themi njëzëri ndal kryeneçësisë dhe mosbindjes ndaj Zotit. Kushdo që e ndjen se vlerat e familjes dhe të shoqërisë nuk duhen përçudnuar dhe përdhosur, le t’i thotë jo çdo përpjekjeje djallëzore. E sa për ata që flasin dhe ngrenë zërin në emër të lirive dhe të drejtave, le t’u kujtojmë se këto liri dhe të drejta nuk mund të shkojnë përtej logjikës së mbarë dhe natyrës së pastër!

Mos të bëhemi shkaktarë të shkatërrimit tonë vetëm e vetëm për të arritur një qëllim. Qëllimi i secilit mbi gjithçka duhet të jetë rendja dhe afrimi te Zoti që e ka krijuar dhe i ka dhuruar mirësitë e pafundme dhe jo rendja pas epsheve dhe pasioneve shtazarake.

Nuk mund të lë pa përmendur atë që Profeti i Allahut, Muhamedi alejhi selam, ka thënë: “Ju do t’i ndiqni ata këmbë pas këmbe, e hap pas hapi, deri sa edhe sikur ata të futen në vrimën e hardhucës ju do të rendni pas tyre”.

Është koha që secili prej nesh të kthehet bindshëm te Zoti i tij, pasi vetëm kështu do të mund të gëzojmë nderin dhe respektin e krijesave, vetëm kështu familja do të vazhdojë të mbetet bërthama e shëndoshë e shoqërisë, vetëm kështu shoqëria do të jetë prehja e këndshme e vlerave të besimit dhe të kombit.

Është koha që të mos heshtim ndaj çdo epidemie dhe pandemie morale që ka goditur njerëzimin. Nëse sot bota po i ruhet fort gripit të derrit, më tepër se kaq ajo duhet t’i ruhet asaj epidemie të keqe që e ka emrin shthurje dhe denigrim i natyrës njerëzore. Nëse sot po tentohet të sigurohen kura kundër sindromave të tilla si SIDA, më parë le të tentojmë të mbyllim çdo shteg që çon te e keqja. Përpara se t’u mësojmë njerëzve si të ruajnë veten duke mëkatuar në nder dhe moral, le t’u mësojmë atyre s’i ta ruajnë moralin dhe nderin pa mëkatuar. Sepse Zoti thotë: “Dhe mos iu afroni kurvërisë, sepse ajo është poshtërsi dhe rrugë tepër e keqe”.

Ne kemi nevojë të jemi të shëndetshëm jo vetëm trupërisht, por edhe shpirtërisht, jo vetëm materialisht, por edhe moralisht. Dhe ky shëndet arrihet kur secili prej nesh e vë veten në pozitë llogarie para Zotit që e ka krijuar. Vetëm kështu nuk do të ketë kurrë përdhosje dhe shfrenim, shthurje dhe denigrim.

Kujtim Hasani
Burimijetes.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit