Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë ka shpreh shqetësim ndaj rritjes së numrit të incidenteve ndëretnike të cilat kanë ndodhur javëve të kaluara në Kosovë.
“Akti i fundit kriminal ndodhi në veri të Mitrovicës në lagjen te ‘Tre rrokaqiejt’ që rezultoi me vrasjen e Selver Haradinajt dhe lëndimin e tre anëtarëve të familjes së tij. Vrasja e Slever Haradinajt është kulmi në ciklin e ushtrimit të dhunës së motivuar etnikisht në këtë pjesë të Kosovës kohëve të fundit. Sulmet fizike, përcjellja nga grupet kriminale, frika për të lëvizur lirshëm është shndërruar në përditshmëri”, thuhet në reagimin e Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë.
FDH në Kosovë, dënon gjithashtu sulmin fizik ndaj Vladimir Denovic, nga Suhodolli i Mitrovicës, i sulmuar nga tre persona identiteti i të cilëve ende mbetet i panjohur për Policinë e Kosovës.
Vladimir Denovic ka pësuar lëndime të rënda trupore. Sipas viktimës, në mbrëmjen e 8 prillit duke u kthyer në shtëpi është ndaluar dhe sulmuar nga tre persona të nacionalitetit shqiptar.
“….Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë apelon tek organet e rendit dhe ndjekjes që të ndërmarrin të gjitha veprimet që janë në përputhje me kompetencat e tyre në mënyrë që kryerësit e këtyre veprave të shëmtuara të arrestohen, të dorëzohen para organeve të drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, thuhet në reagimin e FDH-së.