-4.3 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Familje e madhe 2

Më të lexuarat

Nga: Amer Halid

Familje e madhe 2

Secili prej nesh ka disa nevoja, ku disa prej tyre janë materiale e të tjerat shpirtërore.
Ambienti familjar i siguron njeriut shumë nga nevojat e tij, ndër të cilat:
1.      Në radhë të parë, familja dhe farefisi të sigurojnë përkatësinë dhe identitetin. Të rinjtë, sidomos në moshën 13 – 14 vjeçare, kanë nevojë të identifikohen me dikë. Këtë nevojë të të rinjve, Zoti e ka realizuar në një mjedis tepër të ngrohtë, në rrethin familjar.
“dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin.” (Huxhurat, 13)
Këtë nevojë përkatësie dhe identiteti, ia ofron familja në mënyrën më të natyrshme. Nëse një të riu i mungon ky institucion ku ai realizon përkatësinë dhe identitetin e tij, ai do të orvatet ta realizojë diku tjetër. Kështu, një të ri të tillë mund ta tërheqin krejt kollaj grupet ekstremiste. Në këtë moshë, ai është i gatshëm të hidhet në krahët e kujtdo që ia realizon këtë nevojë. Edhe nëse familjarët e tij ushtrojnë presion që të distancohet prej këtyre njerëzve, ai insiston në të tijën, pasi aty ai plotëson nevojat psikologjike të tij.
Nëse nuk bie pre e grupeve terroriste, ai do të bjerë pre e pijeve alkoolike, drogave dhe veprave të shëmtuara.
I dashur prind! Nëse i do fort fëmijët e tu, nëse ke frikë se në moshën e adoleshencës mund të bien pre e grupeve terroriste dhe drogave, përpiqu t’ia plotësosh këtë nevojë të natyrshme të tyre.
2.      Mbrojtja e fesë dhe e moraleve tona. Rrjeti familjar, në vetvete është një rrjet vlerash dhe moralesh. Bashkimi dhe mirëkuptimi brenda familjes, gjithmonë ka qenë, është dhe do të jetë çelës të mirash dhe jo e kundërta.
Ka të rinj, të cilët nuk kryejnë vepra të shëmtuara dhe të dënueshme në lagjen e tyre, thjesht sepse aty janë njerëzit e tij të gjakut dhe i duket sikur shkel mbi shenjtërinë e këtyre lidhjeve. Një thënie e mençur e Uthmanit r.a. thotë: ”Zoti ndryshon me sulltanet (pushtet), atë që nuk e ndryshon me Kuran.” Në këtë rast, fjalën “sulltan” unë dua ta interpretoj si forcën dhe pushtetin që ushtrojnë lidhjet e gjakut tek njerëzit.
Pra, shohim që një familje e madhe dhe në harmoni, mbron në mënyrë perfekte moralet dhe vlerat.
“Nëse ju i ktheni shpinën besimit, atëherë do të bënit ngatërresa në Tokë dhe do t’i shkatërronit lidhjet farefisnore.” (Muhamed, 22)
Forma e parë e ngatërresave dhe shkatërrimit në tokë, është prerja e lidhjeve të gjakut. Sinjali i parë i ngatërresave dhe problemeve mbi faqen e tokës, është prishja e lidhjeve farefisnore.
3.      Lehtëson dhimbjen e fatkeqësive. Ne jemi dëshmitarë të fatkeqësive të shumta që karakterizojnë jetën e njeriut. Ka zonja të cilave u vdesin bashkëshortët, duke lënë pas fëmijët pa asnjë mbështetje. Por nëse familja është e bashkuar, fëmijët nuk marrin kot, pasi kanë gjyshin, xhaxhain, dajën etj…
Kam një shok që nëna e kishte lënë që në moshë të vogël. Ai shpesh herë shprehet se të shoqen e xhaxhait, e sheh si nënën e tij, pasi ajo e ka rritur dhe edukuar.
Kurse sot ka ndryshuar gjithçka, të gjithë mendojnë vetëm për veten, pa u interesuar për të tjerët. Sot i vjen zor një zonje ti kërkojë të shoqit që djali i motrës së saj të vdekur, të jetojë bashkë me ta, pasi pak a shumë e di përgjigjen negative.
Amine bintu Vehb, i vdiq i shoqi, duke e lënë shtatzënë me një djalë, profetin Muhamed a.s. Megjithatë, me të lindur, ai gjeti një mjedis të ngrohtë familjar, sa tek gjyshi tek xhaxhai. Veç kësaj, ajo ndërmerr një udhëtim të gjatë prej pesëqind kilometrash, për ta prezantuar djalin e vet me dajat e tij. Ditën që Profeti a.s mbërriti në Medinë, të gjithë njerëzit e kapnin devenë e tij për kapistre dhe e ftonin në shtëpitë e tyre për të bujtur, por ai u thoshte: ”Lëreni devenë se është e urdhëruar!” Dhe vendi ku deveja qëndroi, ishte vendi i dajave të tij.
Kur Profetit a.s i vdiq dhe e ëma, nuk gjeti asnjë vështirësi të shkojë në shtëpinë e gjyshit, e kur i vdiq edhe ky, ai jetoi në shtëpinë e xhaxhait. Ajo që përkujdesej më së shumti për Profetin a.s ishte gruaja e xhaxhait të tij, Fatime bintu Esed. Ai kurrë nuk ia harroi të mirën Fatimes. Kur Fatimeja ndërroi jetë në Medine, Profeti a.s hyri në varrin e saj, e mbështolli me xhyben e tij dhe e përqafoi për herë të fundit.
Sot, shumë njerëz të thonë: ”Mua më intereson vetëm vetja dhe fëmijët e mi!!” E kush e ka siguruar se ai nuk mund të vdesë? Kush do përkujdeset për fëmijët e tij?
Ashtu siç Profeti a.s u rrit dhe u edukua në shtëpinë e xhaxhait, kushëriri i tij Ali ibnu Ebi Talib u rrit në shtëpinë e Profetit a.s. Profeti a.s u vendos në shtëpinë e xhaxhait të tij në moshën tetë vjeçare. Po ashtu, kushëriri i tij Aliu u vendos në shtëpinë e tij në të njëjtën moshë.
Në një familje të madhe dhe në harmoni, asnjë prej pjesëtarëve të familjes nuk ndihet keq, edhe nëse ai vetë nuk ka fëmijë. Duke qenë se ai ka përreth fëmijët e vëllezërve e të motrave, ai nuk e ndjen fort privimin nga fëmijët.
4.      Familja e madhe të bën të ndihesh i fuqishëm dhe krenar. Për Zotin mua më vjen keq për të rinjtë e kësaj kohe, të cilët dalin në jetë dhe nuk i njohin vlerat e familjes së madhe. Ata nuk kanë njerëz të cilët përkujdesen për ta, me të cilët bisedojnë dhe qajnë hallet, të cilët u japin eksperiencën e tyre të jetës, të cilët u japin kurajë dhe zemër. Ka të rinj të cilët duan të kontribuojnë për mirëqenien e vendeve të tyre, por nuk kanë njerëz që i mbështesin.
A e dini kush ishte personi i parë që e mbështeti Profetin a.s në mesazhin e tij? Ishte pikërisht xhaxhai i tij Ebu Talibi. Që kur Profeti a.s ishte gjashtë vjeç, gjyshi Abdul Muttalibi, i kishte thënë Ebu Talibit: ”Ky djalë do të bëjë emër, prandaj mbështete!”
Edhe pse Ebu Talib nuk e pranoi islamin, e mbështeti Profetin a.s dhe mesazhin e tij si askush tjetër. Për të, lidhjet e gjakut ishin të shenjta. Në një moment të vështirë për Profetin a.s, ai i pati thënë: ”O nipi im! Vepro sipas porosive që merr, se mua do të më kesh me vete!”
Kur kurejshët deklaruan se donin ta eliminonin Profetin a.s, Ebu Talibi mblodhi urgjentisht familjarët dhe u tha: ”Kurejshët duan të vrasin Muhamedin.” Menjëherë të gjithë u vendosën në një lagje dhe Profetin a.s e vendosën në mesin e banesave të tyre, me qëllim që ta mbrojnë. Duke parë këtë, kurejshët i bojkotuan për tre vite, as nuk u blinin ushqim dhe as nuk u shisnin. Megjithatë, asnjë nga familjarët nuk u shpreh se nuk ishte mysliman dhe nuk kishte përse të vuajë për hir të Muhamedit.
Çdo natë, Ebu Talibi i kërkonte Profetit a.s të ndryshojë bujtinën, nga frika se mos depërtojnë kurejshët dhe e vrasin.
Kur vdiq dhe Ebu Talib, ia la amanet djalit të tij Abasit, që të kujdeset dhe ta mbrojë Profetin a.s.
Gjatë tre viteve të bojkotit, një nga të afërmit e Hadixhes, Amr ibnu Hisham, ngarkon një deve plot me ushqime. Natën vonë, ai i afrohet lagjes ku banonte Profeti a.s dhe myslimanët dhe e drejton devenë me ushqime drejt tyre, ndërkohë që vetë fshihet diku. Ai e bënte këtë sepse mes tyre ishte dhe Hadixheja, një nga familjarët e tij. Por kurejshët e diktojnë dhe pasi e keqtrajtojnë, e lënë të lirë duke e kërcënuar rëndë nëse do e përsërisë aktin. Jo më gjatë, por një ditë më pas ai mbushi një deve tjetër dhe e nisi në drejtim të myslimanëve, thjesht ngase me ta ishte dhe Hadixheja.
Me këtë akt, Amr ibnu Hisham si jomysliman, u jep një shuplakë të rëndë pasanikëve myslimanë të cilët i kanë harruar të afërmit e tyre fukarenj, duke i kujtuar veçse në festa apo raste të rralla.
Kurejshët, e kapën sërish ditën e dytë dhe e pyetën: ”Mos je bërë mysliman që dëshiron ti ndihmosh?!”Ai u tha: ”Jo.” Kurejshët e pyetën: ”Po atëherë, çfarë dreqin ke që u dërgon ushqime?!”Ai u tha: ”Sepse mes tyre ndodhet gjaku im.”Ebu Sufjani iu drejtua kurejshëve të tjerë dhe u tha: ”Atëherë lëreni rehat! Ai thjesht kërkon të ruajë lidhjet e gjakut.” Këto fjalë i thoshte një nga armiqtë më të egër të myslimanëve. Mandej, ai shtoi: ”Mos i prishni vlerat dhe moralet që na kanë mbetur!”
Ebu Sufjani dhe Ebu Talibi as i dëgjonin ajetet e Kuranit dhe hadithet që flasin për lidhjet e gjakut dhe as u besonin atyre. E megjithatë, lidhjet e gjakut i respektonin dhe u jepnin prioritet.
A e kuptoni tani vlerën e familjes së madhe? Ajo të qetëson se edhe po vdiqe, ka kush kujdeset për fëmijët e tu. Ajo të qetëson se edhe nëse vajzës tënde i kalon mosha e martesës, të gjithë të afërmit do të vihen në lëvizje për ti gjetur një njeri të përshtatshëm.
Kush prej jush është gati të formojë fondin e familjes, fond i cili do të mbështesë fukarenjtë e rrethit familjar? Profeti Muhamed a.s thotë: ”Sadakaja (lëmosha) që i jepet një fukarai, është thjesht sadaka. Kurse ajo që i jepet një të varfëri nga familjarët e tu, është sadaka dhe forcim i lidhjeve të gjakut.”
Një herë, Profeti a.s u tha myslimanëve: ”Ah ç’ burra të mirë janë Esharinjt! Sa herë që niseshin për beteja, ose vuanin nga zia e bukës, mblidhnin gjithë ushqimin që kishin në shtëpi, mandej e ndanin në mënyrë të barabartë. Unë jam njeriu i tyre dhe ata janë njerëzit e mi. Unë jam njeriu i tyre dhe ata janë njerëzit e mi. Unë jam njeriu i tyre dhe ata janë njerëzit e mi.”
Nëse Zoti të ka dhënë pasuri dhe dëshiron që Profeti të të rendisë tek njerëzit e tij, bëhu nismëtar i projektit të fondit familjar. Shko tek burri më me ndikim në familje, paraqitja këtë projekt dhe premtoji ndihmën tënde personale.
“Jepuni të afërmve të drejtën e tyre…” (Isra, 26)
Dy forma kontributi:
1.      Bëje nijet që tani se do të bësh ç’mos që familja të bashkohet dhe të shtohet solidariteti mes jush. Që tani, nuk do të jenë dasmat dhe rastet e ndryshme ato që do u bashkojnë. Kjo duhet ti përkasë të shkuarës, pasi që sot do të bëhesh shkak që familja të mblidhet qoftë dhe një herë në muaj.
Gjatë lëvizjeve të shpeshta jam njohur me një familje tepër të nderuar në Mekë. Nëna e djemve për të cilët po flas, ka kohë që ka ndërruar jetë. Pak para se të ndërrojë jetë, ajo shkroi testamentin e saj. Është ndër testamentet më të çuditshëm që kam lexuar. Ajo shkruante: ”Në këtë testament, u lë amanet fëmijëve dhe nipërve të mi, që pasi të kem vdekur të mblidhen këtu në shtëpinë time çdo të xhuma!!!”
Tregojnë fëmijët e saj, se e gjithë familja, mblidhen çdo të premte në shtëpinë ku ndërroi jetë nëna e tyre. Më e bukura, është se të gjithë fëmijët e saj, kanë shkruar në testamentin e tyre të njëjtin amanet të nënës së tyre.
Vallë sa familje prej nesh mund ta hedhin një hap të tillë? Sa prej nesh jemi të gatshëm për një vepër kaq të fisme dhe dinjitoze, e cila kënaq Zotin?
2.      Fondi i familjes. Pasi të arrihet takimi mes familjarëve, duhet të mendoni të hapni një fond të familjes. Familjarët të bëjnë një listë me emrat e personave që kanë nevojë për ndihmë, mandej sipas mundësive secili të kontribuojë për përmirësimin e jetesës së tyre.
Këtë që po them, unë e kam parë me sytë e mi të konkretizuar në një familje. Ideja ishte e njërit prej të rinjve, gjatë festës së bajramit. Duke parë mundësitë ekonomike të disa prej të afërmve të tij, ai kishte hedhur propozimin e një fondi familjar. Këtë ide ia kishte mbështetur xhaxhai i tij dhe të gjithë kishin filluar të hedhin të holla sipas mundësive. Menaxhimin e këtij fondi ata ia kishin besuar më të madhit në familje dhe me të mbështesnin familjarët në nevojë. Me këtë fond, një nga familjarët e tyre mbuloi shpenzimet e kurimit në spital.
Familja Hafiz në Xhide nuk u mjaftuan vetëm me takimet familjare. Ata kishin hapur një dosje familjare, në të cilën kishin shënuar takimin e parë të familjes, komisionin familjar dhe emrat e atyre që kishin marrë pjesë. Komisioni familjar ishte mbledhur dhe kishin caktuar objektivin e familjes: Një familje fetare, e bashkuar dhe harmonike.
Hapi tjetër, ishte botimi i një broshure të vogël, ku gjendeshin paraardhësit e familjes, mundësisht dhe fotot e tyre, histori të veçanta etj… broshurë të cilën ua kishin shpërndarë të gjithë të rinjve të familjes. Projektin e broshurës, e kishte pasuar ngritja e grupit të sythave të vegjël (fëmijëve), grupi i të rinjve, grupi i pajtimit (nëse mund të lindin pakënaqësi dhe mëri), grupi financiar, argëtues dhe kulturor.
Këta nuk janë njerëz të papunë, përkundrazi, janë biznesmenë të fuqishëm dhe tepër të zënë, por janë nga ata myslimanë të cilët nuk e kanë harruar familjen dhe rëndësinë e saj në edukimin e brezave.
Në një kornizë, e cila gjendet në shtëpitë e të gjithëve, ata kanë letrën që babai u ka shkruar, në të cilën u tregon zanafillën e këtij takimi javor të familjes. Takim i cili kishte avancuar me kalimin e viteve. Ndër të tjera, ai u tregon se babai i tij i kishte kërkuar ta organizojë këtë takim shumë vite më parë.
O umet i Muhamedit! Gjendja e nderë në të cilën gjendemi, nuk ka ardhur si rrufe në qiell të hapur. Jemi ne fajtorët e kësaj dekadence që ka përfshirë umetin.
“Nëse ju i ktheni shpinën besimit, atëherë do të bënit ngatërresa në Tokë dhe do t’i shkatërronit lidhjet farefisnore.” (Muhamed, 22)
Në fund, e lus Zotin që këto fjalë të shndërrohen në iniciativa në çdo familje myslimane! Amin!

Rating: 1.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit