-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Familja palestineze pas 45 viteve dëbohet nga shtëpia në Kuds (Jerusalem)

Më të lexuarat

Që nga viti 1978, familja Ghaith-Sub Laban kishte luftuar në gjykatat izraelite kundër dëbimit të tyre nga shtëpia e tyre në lagjen myslimane të qytetit të vjetër të rrethuar me mure.

Policia izraelite ka dëbuar një familje palestineze nga shtëpia e tyre në Kudsin (Jerusalemin) Lindor të pushtuar për t’u hapur rrugë kolonëve të paligjshëm hebrenj pas një beteje të gjatë ligjore, thanë zyrtarët dhe një korrespondent i agjencisë së lajmeve AFP.

Që nga viti 1978, familja Ghaith-Sub Laban kishte luftuar në gjykatat izraelite kundër dëbimit të tyre nga shtëpia e tyre në lagjen myslimane të qytetit të vjetër të rrethuar me mure.

Por, herët të martën (11 korrik), policia mbërriti për të larguar familjen nga shtëpia e tyre pas një urdhri gjykate.

“Ata nuk kanë të drejtë të më dëbojnë nga shtëpia ime”, i tha AFP-së Nora Abu Laban, 68 vjeçe. “Ata janë hajdutë dhe na vjedhin gjithçka, kanë vjedhur shtëpinë, tokat, rininë”.

“Lotët dhe të qarat e mia janë vetëm trishtim për humbjen e shtëpisë sime, po ndahem me gjithë jetën time dhe të gjitha kujtimet e mia që janë në këtë shtëpi. Por, nuk jam e dobët”, tha ajo.

Djali i saj, Ahmad Sub-Laban, tha se familjes iu ndalua rihyrja në ambiente.

“Kur u kthyem para shtëpisë, u përballëm me realitetin e ri se hyrja jonë kryesore ishte mbyllur dhe nuk kemi të drejtë ta përdorim më”, tha ai. “Ata morën çelësin dhe ndryshuan drynin”.

Aktivistët izraelitë dhe palestinezë u përleshën me policinë pas dëbimit.

Njëri mbante një pankartë ku shkruhej “Një familje u dëbua sot” ndërsa kolonët e paligjshëm hebrenj shikonin, treguan pamjet video të filmuara nga AFP-ja.

Të tjerë thërrisnin “Okupim jo më”, ndërsa policia qëndronte pranë. Disa kolonë të paligjshëm hebrenj kërcenin dhe buzëqeshnin ndërsa shikonin familjen e shqetësuar.

Familja Ghaith-Sub Laban tha se autoritetet nuk i lanë të ktheheshin në shtëpi për të rimarrë mobiljet ose ilaçet për nënën. Ata ishin në gjendje të merrnin vetëm një bimë që kishte qenë pjesë e familjes për 17 vjet radhazi.

“Ne vendosëm ta marrim për të kujtuar se ne jetuam këtu, fëmijët tanë u rritën këtu dhe se ne mezi presim të kthehemi në shtëpi”, tha Ahmad Sub Laban.

Në maj, familjes Ghaith-Sub Laban iu dha një njoftim dëbimi dhe iu tha të lironte ndërtesën deri më 11 qershor.

“Familja u dëbua me forcë nga shtëpia e tyre nga policia izraelite”, deklaroi Ajith Sunghay, kreu i Zyrës së Komisarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut për Palestinezët.

Ai tha se 12 aktivistë izraelitë që protestonin kundër dëbimit, shtatë gra dhe pesë burra, u arrestuan.

“Përpjekjet e përbashkëta për të dëbuar palestinezët nga shtëpitë e tyre në Kudsin (Jerusalemin) Lindor të pushtuar mund të përbëjnë transferim të dhunshëm”, tha Sungay.

“Transferimi i dhunshëm është një shkelje e rëndë e Konventave të Gjenevës dhe një krim lufte.”

Lufta sioniste kundër identitetit arab

Bashkimi Evropian shprehu “keqardhje” për vendimin.

Ai i kërkoi “qeverisë izraelite të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe t’i lejojë këto familje të jetojnë aty ku kanë jetuar për dekada”.

Zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qasem, që qeveris enklavën e rrethuar në Gaza në Palestinë, e përshkroi dëbimin si një “krim” dhe pjesë të “luftës sioniste kundër identitetit arab të Kudsit (Jerusalemit)”.

Kolonët e paligjshëm hebrenj janë pjesë e një organizate të quajtur Atara Leyoshna.

Sipas vëzhguesit anti-vendosje, Ir Amim, rreth 150 familje palestineze në qytetin e vjetër të Kudsit Lindor dhe lagjet aty pranë kërcënohen aktualisht me dëbim për shkak të “ligjeve diskriminuese dhe marrëveshjeve të fshehta shtetërore me organizatat e kolonëve [ilegalë]”.

Grupi thotë se dëbime të tilla janë pjesë e “një strategjie për të çimentuar hegjemoninë izraelite të pellgut të qytetit të vjetër, pjesa më e ndjeshme fetare dhe politikisht e Jerusalemit, që paraqet një çështje thelbësore e konfliktit”.

Sot, më shumë se 220.000 kolonë të paligjshëm hebrenj jetojnë në Jerusalemin Lindor të pushtuar, kryesisht në vendbanime të ndërtuara. Shumica e 350.000 banorëve palestinezë të Jerusalemit Lindor janë grumbulluar në lagje të mbipopulluara ku ka pak vend për të ndërtuar.

Izraeli pushtoi qytetin e vjetër të Jerusalemit Lindor në Luftën Arabo-Izraelite të vitit 1967, përpara se ta aneksonte atë në një veprim të konsideruar si të paligjshëm nga OKB-ja.

Muajin e kaluar, Izraeli avancoi planet për ndërtimin e më shumë se 5.700 njësive të vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor të pushtuar mes dënimeve nga palestinezët.

Vlerësimet tregojnë se rreth 700.000 kolonë të paligjshëm izraelitë jetojnë në 164 vendbanime të paligjshme dhe 116 poste në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebraike në territoret e pushtuara konsiderohen të paligjshme.

/trt/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit