Kreu i Këshillit Evropian Rohingya (ERC) Hla Kyaw, tha se pesë fshatra në Mianmar përballen me nevojë urgjente për ushqim meqë banorët e tyre janë nën sulme të vazhdueshme të ushtrisë dhe budistëve
– Duke ikur nga dhuna e ushtruar javëve të fundit në Mianmar, muslimanëve të Arakanit me të hyrë në Bangladeshin fqinj, iu dha rasti që përsëri pas nëntë ditësh të konsumojnë ushqim, shkruan Anadolu Agency (AA).
Gjatë udhëtimit nga Mianmari për në Bangladesh shumë familje të cilat nuk kishin marrë ushqim me vete janë përballur me drama të vërteta gjatë “rrugës së shpëtimit”, disa nga këto drama madje u publikuan edhe në rrjetet sociale.
Anëtarët e njërës prej këtyre familjeve duke rrëfyer për golgotën e përjetuar, thanë se gjatë nëntë ditëve sa u ka zgjatur udhëtimi, nuk kishin ngrënë asgjë, përveç gjetheve të gjetura në pyll.
“Sot arritëm të gjemë pak oriz”, rrëfen familja muslimane nga Arakani.
Kreu i Këshillit Evropian Rohingya (ERC) Hla Kyaw, tha se pesë fshatra në Mianmar përballen me nevojë urgjente për ushqim meqë banorët e tyre janë nën sulme të vazhdueshme të ushtrisë dhe budistëve.
“Këto fshatra janë plotësisht të izoluara, ato janë të mbyllura për hyrje dhe dalje. Ndihma nuk vjen atje”, tha Kyaw. Ai kërkoi ndihmë urgjente për njerëzit e uritur në këto fshatra.
Rohingya-t janë pakica etnike më e diskriminuar në botë e cila për vite, së fundmi për javë të tëra i është nënshtruar një vale të re të dhunës në rajonin e Arakanit në Mianmar.
Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare. Organizatat e shoqërisë civile në Arakan bëjnë të ditur se numri i civilëve që kanë humbur jetën ka kaluar mbi një mijë, ndërsa disa të tjera pohojnë se bilanci është disa mijëra.
Në sulme janë djegur mbi 150 fshatra nga ushtria dhe nacionalistët budistë. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen ende të largohen nga rajoni për shkak të mungesës së sigurisë për jetën. Civilët e larguar nga Mianmari kalojnë në Bangladesh nëpërmjet rrugëve në rajonet malore, lumit Naf ose nëpërmjet rrugës detare.