2.6 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Falja e namazit midis shtyllave

Më të lexuarat

Nga Abdulhamid ibn Mahmud transmetohet të ketë thënë: “U falëm pas një emiri (princi), por njerëzit na shtynin e ne u falëm midis dy shtyllave (të xhamisë), kur mbaruam namazin, Enes ibn Malik na tha: ‘Në kohën e profetit (alejhi selam) nuk e vepronim këtë gjë.’” Transmetuan: Imam Ahmedi, Tirmidhiu, Ebu Daudi, Nesaiu.

Disa dijetarë për Abdulhamid ibn Mahmud  kanë thënë se ai është i dobët (në transmetimin e haditheve).

Muauijeh ibn Kurrah transmeton nga babai i tij: “Ne na ndalonin nga falja e namazit midis shtyllave e ne i largonim ata (njerëzit që i ndalonin).” Në zinxhirin e transmetimit të këtij hadithi një person rezulton i panjohur nga dijetarët.

Në librat e Buhariut dhe Muslimit ekziston një hadith i transmetuar nga Ibn Umer se profeti (alejhi selam) kur është futur në Qabe është falur midis dy shtyllave.

Thëniet e dijetarëve për këtë çështje:

-Disa dijetarë e kanë urryer faljen e namazit midis shtyllave. Imam Tirmidhiu thotë: “Hadithi i Enesit është hasen-sahih. Disa dijetarë e kanë urryer radhitjen e safit midis shtyllave. Prej tyre kanë qenë imam Ahmedi dhe Is’haku, por disa dijetarë e kanë lejuar këtë.”

-Ebu Hanife, Maliku, Shafiu janë të mendimit se ky veprim është i lejuar.

-Said ibn Xhubejri, Ibrahim et Tejmi, Suejd ibn Gafle faleshin imam ndërmjet shtyllave të xhamisë.

Mendimi më i saktë është ai i imam Ibnu el Arabij në të cilin thuhet se nuk ka kundërshtim në lejimin e këtij veprimi, nëse vendi në xhami është i ngushtë, nuk mjafton për të gjithë; ndërsa në një xhami në të cilën ka vend të bollshëm ky veprim është mekruh (i urryer) në faljen me xhemat. Përsa i përket namazit që falet vetëm, falja midis shtyllave është e lejuar, në bazë të hadithit që gjendet në dy librat e saktë të haditheve.

 

Shënim:

Asnjë prej dijetarëve nuk është i mendimit se namazi i cili falet midis dy shtyllave është i pavlefshëm. Ata kanë shkuar deri në mendimin se kjo gjë është e saktë, por e urryer dhe jo e ndaluar.

 

Përktheu: Erion Sula

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit