Fale Namazin me Xhemat
Hoxha i nderuar Fatmir Latifaj në këtë video këshillon që ti jipet rëndësi namazit me xhemat, për ta dëgjuar këshillën klikoni më poshtë
Namazi me xhemat
Ebu Hurejre r.a. përcjell se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s ka thënë: “Namazi i njeriut në xhemat është më i vlefshëm se namazi i falur në shtëpinë e tij apo në treg për njëzet e disa shkallë. Kush merr abdes në formën më të mirë, pastaj shkon në xhami me të vetmin qëllim që ta falë namazin me xhemat, duke mos i interesuar asgjë tjetër, për çdo hap të tij i shtohet nga një gradë dhe i shlyhet nga një mëkat derisa të hyjë në xhami, e kur të hyjë në xhami, atëherë në namaz është aq sa e ka përfshirë namazi. Secilin prej jush e bekojnë engjëjt, derisa të gjendet në vendin ku është falur namazi, e ata thonë: “O Zot, mëshiroje! O Zot, fale! O Zot, pranoja pendimin”. Engjëjt veprojnë kështu përderisa njeriu të mos fillojë t’i mundojë të tjerët, apo ta prishë abdesin në xhami”. Transmeton imam Muslimi.
Jetëshkrimi i transmetuesit të hadithit:
Ai është Ebu Hurejra, emri i të cilit është Abdurrahman Sahr Ed Deusi. Është njohur me epitetin Ebu Hurejre, sepse ai kishte një kotele për të cilën kujdesej.
Ai e ka pranuar Islamin në fillim të vitit të shtatë të hixhretit, pikërisht në vitin që është çliruar Hajberi. Ka qenë i varfër e pa familje. Për katër vjet rrjesht nuk është ndarë asnjëherë nga profeti (a.s), duke qenë kështu transmetuesi më i madh i haditheve. Numri i haditheve të transmetuar prej tij është 5374. Ebu Hurejra është transmetuesi më i madh i haditheve të profetit (a.s) në sajë edhe të mrekullisë profetike. Vetë Ebu Hurejra tregon: “Njerëzit thonë: Ebu Hurejra është transmetuesi më i madh i haditheve. As muhaxhirinët dhe as ensarët nuk kanë transmetuar aq hadithe sa ka transmetuar ai. Në të vërtetë vëllezërit e mi muhaxhirë kanë qenë shumë të preokupuar me punët e tregtisë, vëllezërit e mi ensarë kanë qenë shumë të preokupuar me çështjen e rriskut, ndërsa unë kam qenë një njeri i varfër nga banorët e Sufës. Shoqërohesha me profetin (a.s), isha prezent me të kur ata mungonin dhe arrija të perceptoja ato gjëra që ata i harronin. Një ditë, profeti (a.s) tha: Kush prej jush do të shtrijë rrobën e tij për të mësuar fjalët e mia? Sepse ai i cili i mëson fjalët e mia, i nguliten në zemër dhe nuk ka për t’i harruar asnjëherë. Unë – thotë Ebu Hurejra, shtriva një rrobë timen. Prandaj unë nuk kam harruar asnjë hadith që e kam dëgjuar nga profeti (a.s)”.
Në periudhën e hilafetit të Omerit, Omeri e vendosi Ebu Hurejren guvernator të Bahjrenit, por më vonë e shkarkoi nga ky post. Më pas Omeri dëshironte që ta emëronte përsëri guvernator, por Ebu Hurejra refuzoi duke thënë: Unë kam frikë nga disa gjëra: Kam frikë që flas pa pasur dije, kam frikë se mos gjykoj padrejtësisht, nuk dëshiroj që dikush të më godasë në shpinë, apo të më ofendojë në nderin tim, si dhe nuk dua që pasuria e ime të sekuestrohet.
Ebu Hurejra ka qenë një adhurues mjaft i devotshëm. Për çdo ditë ai bënte 12000 mijë tesbih. Karakterizohej me moral të lartë dhe ka qenë një njeri mjaft i thjeshtë.
Në çastet e agonisë së vdekjes, filloi të qante: Përse qan? – e pyetën. Nuk qaj se jam duke e braktisur këtë botë, përkundrazi qaj për shkak të udhëtimit të gjatë dhe karburantit të paktë. Unë jam ndërmjet Xhenetit e Zjarrit, dhe nuk e di se pjesë e kujt do të jem – u përgjigj ai.
Ai vdiq në vitin e 57 të hixhretit, është varrosur në Beki. Në xhenazen e tij kanë marrë pjesë Ibnu Umer dhe Ebu Seid El Hudrij.
Allahu qoftë i kënaqur me të.
Shpjegimi i hadithit:
Ky hadith profetik na nxit për faljen e namazit me xhemat dhe dëshmon qartë për unitetin e muslimanëve. Muslimanët, të cilët e falin namazin me xhemat në xhami, janë si një fortesë e vetme, që tullat e saj mbajnë njëra-tjetrën. Ky hadith profetik i nxit muslimanët që më së shumti ta falin namazin në xhami dhe t’i kenë hapat e tyre për në xhami sa më të shpeshta. Vërejmë se fjala “Namaz” në këtë hadith është përmendur 6-të herë, ç’ka dëshmon qartë për rëndësinë e faljes së namazit, për të cilën në një hadith profeti (a.s) ka thënë: “Kur fëmijët janë në moshën 7-të vjeçare, urdhërojini që të falin namazin, e kur të mbushin 10-të vjeç rrihini”. Transmeton imam Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.
Fjala “Salat” në aspektin leksikor do të thotë: lutje, që nënkupton përulje dhe nënshtrim. Ndërsa në termin sheriatik do të thotë: falja e namazit sipas rregullave të përcaktuara nga sheriati. Në këtë hadith profeti (a.s) na lajmëron, se namazi i cili falet në xhami, ka vlerë dhe shpërblim më të madh se namazi i cili nuk falet në xhami.
Thënia e profetit (a.s) “apo në treg” nënkupton gjithashtu se muslimani asnjëherë nuk duhet ta lërë faljen e namazit edhe nëse ai është i zënë me shitblerje. Muslimani nuk duhet të lërë pa e falur namazin kudo që të jetë; në shtëpi, treg, punë, shkollë..etj. Dijetarët janë të mendimit se namazi i cili falet në shtëpi, ka më vlerë se namazi i cili falet në treg, ngase tregu është vendi ku grumbullohen djajtë.
Në këtë hadith nuk përcaktohet me saktësi se në sa gradë më lart qëndron falja e namazit me xhemat ndaj namazit që falet vetëm. Por në hadithe të tjera profeti (a.s) na lajmëron se ai qëndron 25 apo 27 herë në gradë më lart se namazi që falet vetëm.
Pasi profeti (a.s) na lajmëron për vlerën e namazit me xhemat, na lajmëron për mënyrën se si duhet të shkojmë në xhami, që nijeti të jetë i pastër e i sinqertë. Rrugës për në xhami muslimani nuk duhet të nxitojë, por të ecë me ngadalë që të jetë sa më i qetë dhe i predispozuar për të falur namazin ashtu siç duhet. Lind pyetja se përse muslimani duhet të jetë sa më i qetë? Kjo qetësi e ndihmon atë që të jetë sa më i sinqertë e të mos jetë i preokupuar me çështjet e pasurisë, fëmijëve apo çdo gjëje tjetër. Pra qëllimi i tij i vetëm duhet të jetë falja e namazit e asgjë tjetër. Ky qëllim i tij i sinqertë e shoqëron muslimanin përgjatë gjithë këtij adhurimi, rrugës për në xhami, kur është në xhami, kur fal namazin, kur kthehet nga namazi..etj. Nuk ka shpërblim më të madh për myslimanin, i cili nijetin e ka të pastër, shkon në xhami, fal namazin, lexon Kuran dhe i kërkon falje Allahut. Ky shpërblim shumëfishohet deri në 25 apo 27 herë.
Po ashtu ky shpërblim shtohet akoma më tepër, sepse ëngjëjt luten dhe kërkojnë falje për besimtarin, i cili është brenda në xhami. Ëngjëjt e lusin Allahun për mëshirë, falje dhe për pranimin e pendesës. Në një hadith profeti (a.s) thotë: “Natën dhe ditën ka ëngjëj të cilët enden në mesin tuaj. Ata mblidhen në namazin e Sabahut dhe të Iqindisë, pastaj ata të cilët kanë qenë me ju gjatë natës, ngrihen lart në qiell. Allahu i pyet, megjithëse është i informuar: Si i latë robërit e Mi? I lamë duke u falur dhe i gjetëm duke u falur – përgjigjen ata”. Transmeton imam Muslimi.
Hadithi gjithashtu flet edhe për edukatën në xhami. Rregullat e të qëndruarit në xhami janë të shumta, por në këtë hadith profeti (a.s) ka folur në përgjithësi. Ai i cili është ulur në xhami, nuk duhet t’i shqetësojë të tjerët, madje as veten e tij. Po ashtu nuk ka pse ta prishë abdesin brenda në xhami, përkundrazi nëse ai ndien nevojë fiziologjike duhet të dalë jashtë xhamisë e të shkojë në banjë për të kryer nevojat personale. Shprehja e profetit (a.s) që mos t’i mundojë të tjerët dhe mos ta prishë abdesin përfshin dhe përmban të gjitha format e shqetësimit të të tjerëve dhe të gjitha format e prishjes së abdesit. Të dyja këto janë veprime të pahijshme, që muslimani t’i veprojë brenda në xhami, prandaj edhe ëngjëjt nuk luten për të.
Rregulla dhe dispozita fetare:
Falja e namazit me xhemat ka një vlerë mjaft të madhe. Dijetarët kanë thënë: “Namazi me xhemat është domethënia dhe motoja e fesë”.
Në lidhje me dispozitën fetare të faljes së namazit me xhemat, juristët kanë dhënë tre mendime të ndryshme:
Mendimi i Parë: Falja e namazit me xhemat konsiderohet Sunet i Fortë për burrat. Të këtij mendimi janë dijetarët e medh’hebit Hanefi.
Mendimi i Dytë: Falja e namazit me xhemat konsiderohet Farz Ajn. Ai i cili e lë atë ka kryer një mëkat. Të këtij mendimi janë dijetarët e medh’hebit Hanbeli.
Mendimi i Tretë: Falja e namazit me xhemat konsiderohet Farz Kifaje, që do të thotë se nëse një grup e fal atë, bie përgjegjësia e të tjerëve, e nëse nuk e fal askush atëherë që të gjithë janë mëkatarë. Të këtij mendimi janë dijetarët e medh’hebit Shafi’ij e disa dijetarë të medh’hebit Maliki.
Përfitimet e nxjerra nga hadithi:
1 – Motivimi dhe nxitja
2 – Vlera e faljes së namazit me xhemat dhe e hapave për të shkuar në xhami.
3 – Vlera e pritjes së kohës së namazit.
1 – Motivimi dhe nxitja:
Këtë e vërejmë tek fjalët e profetit (a.s), i cili flet për vlerën e namazit me xhemat, hapat e hedhura për të shkuar deri në xhami si dhe për lutjet e ëngjëjve për ata të cilët janë në xhami. Nuk ka dyshim se motivimi dhe nxitja luajnë një rol të rëndësishëm, që njeriu të bëjë sa më shumë vepra të mira, sepse nefsi i njeriut është gatuar i tillë që ta dojë të mirën. Kështu që, njeriu dëshiron që të përfitojë nga ajo mirësi të cilën Allahu e ka përgatitur për robërit e Tij. Ftuesi që ka përvojë të gjatë në ftesë, i fton të tjerët për të kryer vepra të mira, duke i nxitur për të fituar shpërblimin që ka përgatitur Allahu. Për shembull: i fton njerëzit që të besojnë tek Allahu i Lartësuar, apo që të jenë të sinqertë në adhurimin e tyre karshi Allahut, duke i nxitur ata me shpërblimin e pakufishëm që Allahu ua dhuron atyre. Në Kuranin Famëlartë, ka shumë ajete që e nxisin dhe e motivojnë njeriun për të bërë vepra të mira. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë të devotshmit kanë shpëtuar. Për ta ka kopshte dhe vreshta me rrush”. Sure En Nebe’e: 31-32. “Me të vërtetë njerëzit e mirë përjetojnë një kënaqësi mjaft të mirë”. Sure El Infitar:13.
2 – Vlera e faljes së namazit me xhemat dhe e hapave për të shkuar në xhami:
Kjo duket qartë nga fjala e profetit (a.s) i cili thotë: “Namazi i njeriut në xhemat është më i vlefshëm se namazi i falur në shtëpinë e tij apo në treg për njëzet e disa shkallë”. Dijetari i shquar Ibnu Haxher (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Vlera e namazit me xhemat përftohet në shumë mënyra; qysh në momentin kur njeriu i përgjigjet ftesës së muezinit, hyrjes në xhami me lutje, lutjet dhe bekimet e ëngjëjve për të, mbrojtjes nga shejtani në momentin e thirrjes së ezanit dhe ritualeve të tjera të Islamit që kryen në xhami, nënshtrimi dhe përulja që i bëhet shejtanit në momentin kur njerëzit të gjithë së bashku kryejnë adhurimin, eliminimi i moralit të përdhosur të hipokrizisë, lutjet dhe dhikri si dhe shumë e shumë mirësi të tjera”.
Sahabiju i nderuar Ibnu Mes’udi thotë: “Ai i cili dëshiron të takohet nesër me Allahun duke qenë musliman, atëherë le të mos neglizhojë në faljen e namazeve përderisa ju ftoheni për t’i falur ato (nëpërmjet ezanit). Allahu i Lartësuar e dërgoi profetin tuaj me udhëzim të qartë. E falja e namazeve është pjesë e këtij udhëzimi. Nëse ju faleni në shtëpi ashtu siç falen hipokritët, atëherë ju do ta linit pas dore udhëzimin e profetit tuaj. E nëse ju e lini pas dore udhëzimin e profetit tuaj do të humbni. Çdokush prej jush i cili merr abdes në formën më të mirë, pastaj niset me qëllimin për të shkuar vetëm në xhami, për çdo hap që hedh Allahu ia shkruan një sevap, e ngre në gradë të lartë dhe ia shlyen një mëkat. Kemi vërejtur se ata të cilët neglizhojnë ndaj tij janë munfikët, të cilët njihen për hipokrizinë e tyre”.
Feja islame i nxit muslimanët që të shkojnë në xhami e të falin namazin me xhemat, duke folur për shpërblimin, ku për çdo hap të hedhur muslimani ngrihet në gradë dhe i shlyhet një mëkat. Në një hadith profeti (a.s) thotë: “Kush shkon në xhami apo kthehet nga ajo, ai në Xhenet ka një vend të mirë sa herë që shkon dhe kthehet”. Transmeton imam Buhariu dhe imam Muslimi. Në një hadith tjetër profeti (a.s) thotë: “Përgëzoji me një dritë të plotë në ditën e Gjykimit, ata të cilët në errësirë shkojnë në xhami”. Transmeton imam Tirmidhiu. Hadithi është i saktë. Në një hadith tjetër profeti (a.s) thotë: “Njerëzit me shpërblim më të madh janë ata, të cilët bëjnë më shumë hapa për të shkuar në xhami. Po ashtu ai i cili pret që të falë namazin bashkë me imamin ka shpërblim më të madh se ai i cili e fal namazin e pastaj shkon të flejë gjumë”. Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.
Të gjitha këto hadithe si dhe hadithe të tjera tregojnë se muslimani i cili shkon në xhami për të falë namazin, shpërblehet për çdo hap që hedh. Kjo është një mirësi e madhe nga Allahu i Lartësuar për robërit e Tij, të cilët shkojnë tek shtëpia e Tij. Allahu i Lartësuar është Bujar dhe bujaria e tij shfaqet qysh në momentin e parë kur njeriu del nga shtëpia.
3 – Vlera e pritjes së kohës së namazit:
Në hadithin të cilin po e komentojmë, lexojmë: “e kur të hyjë në xhami, atëherë në namaz është aq sa e ka përfshirë namazi. Secilin prej jush e bekojnë engjëjt, derisa të gjendet në vendin ku është falë namazi”. Në një hadith tjetër profeti (a.s) ka folur për vlerën e pritjes së kohës së namazit: “Njerëzit me shpërblim më të madh janë ata të cilët bëjnë më shumë hapa për të shkuar në xhami. Po ashtu ai i cili pret që të falë namazin bashkë me imamin ka shpërblim më të madh se ai i cili e fal namazin e pastaj shkon të flejë gjumë”. Imam ibnu Rexhebi thotë: “ Ky hadith tregon, se muslimani duhet të përpiqet të shkojë i pari në xhami, që të presë imamin e të falet bashkë me të”.
Personi, zemra e të cilit është lidhur ngusht me xhaminë, është prej atyre personave që në Ditën e Gjykimit do të jenë nën hijen e Arshit të Allahut. Profeti (a.s) thotë: “Shtatë grupe njerëzish Allahu do t’i fusë në hijen e Tij, në atë Ditë ku nuk do të ketë hije përveç hijes së Tij; Drejtuesin e drejtë, një i ri i cili rritet me frymën e adhurimit karshi Zotit, personi zemra e të cilit është lidhur fort me xhaminë, dy persona që duhen mes njëri-tjetrit vetëm për hir të Allahut, janë bashkuar me njëri tjetrin vetëm për këtë qëlllim saqë edhe kur ndahen ndahen vetëm për këtë qëllim, njeriu të cilin një grua me pozitë dhe e bukur e fton për të kryer imoralitet, por ai thotë: Unë kam frikë Allahun, njeriu i cili jep sadeka, mirëpo dora e majtë nuk e di se çfarë ka dhënë dora e djathtë, dhe njeriu i cili në vetmi e kujton Allahun e nga sytë i rrjedhin lot”. Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.
Ky hadith flet qartë, se namazi është prej instrumentave më të mira që zemra dhe shpirti i njeriut të pastrohet nga ferrat dhe gjembat e kësaj bote e të materies mashtruese. Ai shtyn njeriun që të shkojë në xhami, që ai të jetë i përmalluar për të falur namazin duke i kujtuar se ëngjëjt e mirëpresin në xhami, në të cilën është përhapur drita e Allahut, shpirti përjeton kënaqësi dhe zemra lidhet me Allahun e Lartësuar.