-0.5 C
Pristina
Thursday, November 21, 2024

F a l e n d e r i m i

Më të lexuarat

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit

Falenderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç Allahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.

 “O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!” (Ali Imran, 102)

“O besimtarë! Kini frikë Allahun dhe thonii fjalë të drejta. Ai (Allahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet tuaja ,e kush respekton Allahun dhe të dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh.”(El-Ahzab, 70:71)

Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (salallahu alejhi ue selem). Veprat më të këqia janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje të çon në zjarr…

Vëllezër besimtarë!

Të falenderoj, faleminderit, ia di për faleminderit, këto shprehje, fjalë të bukura, përdoren për të shprehur mirënjohje.

Ç’është falenderimi? Si të falendërojmë? Kë të falenderojmë?

Të mirat e Allahut (subhanehu ue teala) janë të shumta sa që nuk mund të numrohen dhe të përcaktohen. Allahu i Lartësuar ka thënë:

Po edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë (të mirat) e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përcaktoni ato. Me siguri Allahu shumë fal dhe shumë mëshiron.”  (Nahël, 18)

Jemi të obliguar ta falenderojmë Allahun për këto dhunti. Falenderimi mund të bëhet në disa mënyra:

  1. Falenderimi me zemër
  2. Falenderimi me gjuhë
  3. Falenderimi me vepër

Falenderim me zemër do të thotë bindje e fuqishme se Allahu është Zot, Krijues, Sundues, Furnizues, i Pastër, Mbikëqyrës, Mbizotërues dhe kështu bën konfirmim të brendshëm për të mirat e pakufishme. Mirënjohja që duhet të bëhet me anë të gjuhës është shprehje dhe paraqitje e asaj që është në brendësi. Falenderimi me vepër arrihet duke i përdorur dhuntitë e Allahut në formën më të mirë. Këto janë llojet që kërkohen të manifestohen te njeriu, por ajo esenciale është veprimi ku shton bindjen në zemër.

Falenderimi ka një pozitë të rëndësishmë në fe, ku nëpërmjet ajeteve dhe haditheve të Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) mund ta kuptojmë edhe më mirë. Allahu i Madhëruar ka thënë:

 “Allahu ju nxorri nga barqet e nënave tuaja (si foshnje) që nuk dinit asgjë. Ju pajisi me (shqisa për) të dëgjuar, me të parë dhe me zemër, ashtu që të jeni falënderues.” (Nahël, 78)

Njeriu i paisur me shqisat e të dëgjuarit, me të parë dhe me zemër, këto janë dhunti të dhuruara që të dëgjohet e vërteta, të studiohet dhe në fund të shprehet falenderimi.

S’ka dyshim se falenderimi është i lidhur ngusht me imanin-besimin, gjithashtu ai do të jetë mirënjohës ose përbuzës. Allahu i Lartësuar ka thënë:

“E falenderuat dhe i besuat. Allahu është mirënjohës i dijshëm.” (Nisa, 147)

 “Ne e udhëzuam atë në rrugë të drejtë, e ai do të jetë: mirënjohës ose përbuzës.” (Insan, 3)

Allahu i Lartësuar njeriun e porositi që ai të jetë mirënjohës ndaj Krijuesit si dhe ndaj prindërve.

“Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mira ndaj) prindërit të vet, sepse nëna e vet atë e barti me mund pas mundi dhe pas dy viteve ia ndau gjirin. (e porositëm) Të jeshë mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve të tu, pse vetëm tek Unë është kthimi juaj.” (Llukman, 14)

Allahu i Lartësuar na nderoi me të mira të shumta, njeriu është mëse i nevojëshëm që t’i ruaj duke shprehur falenderim dhe mirënjohje. Kur të manifestohet harresa në një popull dhe përbuzë të mirat e dhuruara, Allahu sjell dënimin dhe mbeten të dështuar dhe të pikëlluar.

Meqë lanë pas dore atë me të cilin u këshilluan (t’i drejtohen Zotit), Ne ua hapëm dyert e çdo gjëje (begatie) derisa kur u gëzuan për atë që ju kishte dhënë, i kapëm befas, e ata mbetën të zhgënjyer.” (Enam, 44)

Muslimanë të nderuar!

Tradita e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) na motivon për mirënjohje dhe falenderim.

Nga Aishja (radiallahu anha) transmetohet: “Muhamedi (alejhi selam) ngrihej natën për namaz aq gjatë, saqë këmbët i patën ënjtur nga dhembja, atëherë unë i thashë: ‘Përse po vepron kështu, o i Dërguari i Allahut, kur t’i ka falur ty Allahu mëkatet e mëparshme dhe të pastajmet?’ Ai tha: ‘A nuk duhet të jem rob falenderues?’”. (Transmeton Muslimi)

Sipas një transmetimi tjetër të Aishes thuhet: “ I Dërguari i Allahut, shpeshherë, thoshte në ruku dhe në sexhdet e tij: “Subhanek Allahumme rabbena ue bihamdike, Allahummagfir li” Falenderimi të qoftë Ty, Krijuesi ynë dhe qofsh i falenderuar, o Allahu im, më fal. ..” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Transmetohet nga Enesi (radiallahu anhu) se i dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Allahu është i kënaqur me robin i cili kur ha diçka e falenderon Allahun, e poashtu edhe kur të pijë diçka e falenderon Allahun.” (Transmeton Muslimi)

O rob i Allahut!

Mendo dhe falendëro!

Fjalët e Allahut (subhanehu ue teala) dhe mësimet e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) na tërheqin vëmendjen në përkujtimin e të mirave të Allahut (subhanehu ue teala) që ato na rrethojnë.

Përkujto mirësitë e Allahut (subhanehu ue teala) që ato po të vijnë nga të gjitha anët. Shëndeti në trup, ushqimi, veshmbathja, ajri, uji e gjithë dunjaja në shërbim, por përsëri nuk e di. Dy sy për të parë, gjuha, buzët, duart, këmbët… Mendon që është leht të ecësh me këmb, pyete ata që nuk i ka. Ke nevojë për mbështetje apo për të mbajtur me dorë, pyete ate që nuk e ka dorën. Gjumin nuk e peshon dhe nuk ia din rëndësinë, pyete atë që nuk mund të flejë, për shkak të dhimbjeve apo sëmundjes. Ushqimin e merr dhe e fut në stomak, mendoje këtë dhe falendero. Mendo për sytë dhe nuk je i verbër. Mendo për lëkurën që e ke në trup dhe sëmundje të lëkërës nuk ke. Mendo në mendjen që e ke, a pajton të mbetesh i çmendur!

A e ndërron të shikuarit me një kodër ari?! A e shet të dëgjuarit për një kilogram ari?! A e shet gjuhën, dorën dhe të mbetesh pa të, për një pallat të mirë?!

O njeri, mendo për të gjitha këto!

Mendo për veten tënde, për familjen, për shtëpinë, për punën, për shëndetin, për shokët dhe dynjanë!

Kur të zgjohesh mos e prit mbrëmjen, mendo se do të jetosh vetëm sot, andaj përpiqu dhe puno për ditën që e ke, mos mendo për ditën e djeshme as për të nesërmen.

Ditën e sotme ndaje në orë dhe puno, minutat llogariti vite, sekondat muaj, mbille hajrin, të mirëm, kërko falje nga Allahu (subhanehu ue teala)! Përkujtoje Allahun dhe përgatitu për botën e ardhshme! Jeto i gëzuar dhe i qetë, kënaqu me rrizkun me atë që ta ka ndarë Allahu (subhanehu ue teala).

 “..Merr atë që të dhash dhe bëhu mirënjohës!.” (Araf, 144)

Falenderojeni Zotin tuaj! Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botërave.

(Hytbja e dytë)

Falenderimi i takon vetëm Allahut. Atë e falenderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi  Muhamedin, familjen, shokët e tij dhe mbi ata që e pasojnë sunetin e tij.

 “Është e vërtetë se Allahu dhe melaiket e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam.” (Ahzab, 56)

–    Allahu im! Të falenderoj për falje, mëshirë, udhëzim, shëndet dhe furnizim!

–    Allahu im! Të falënderoj për mbrojtjen që ma ofrove nga presionet e sprovave, nga thellësitë e fatkeqësisë!

–   Allahu im! Të falendëroj për udhëzimin tim në dritën e imanit!

–   Allahu im! Të falenderoj për përkryerjen e fesë sime, mbrojtjen e jetës sime!

–   Allahu im! Sundues i Arshit të madh, më ndihmo në falenderim!

Përgatiti: Ulvi Fejzullahu

03.04.2006

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit