-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024


Evropa drejt një krize të re financiare?

Më të lexuarat

Vendet me sinjale negative dhe ato me model suksesi

Nga Ralph Schoellhammer, Unherd

Skenarët apokaliptikë janë shumë të kërkuara këto kohë në Evropë, një qasje kjo e kuptueshme në kushtet kur nuk mungojnë lajmet e këqija. Parashikimet mbi rritjen ekonomike të Gjermanisë, u rishikuan sërish javën e kaluar me një prirje në rënie.

Tani parashikohet një rritje të dobët e PBB-së prej vetëm 0.1 për qind. Edhe Franca, ekonomia e dytë më e madhe në Bashkimin Evropian, e ka humbur me sa duket kontrollin mbi financat e saj publike, dhe aktualisht ka një nivel borxhi që e tejkalon 100 për qind të PBB-së së saj.

Me një problem të ngjashëm përballen edhe Greqia, Italia, Portugalia, Spanja dhe Belgjika.

Thënë thjesht, disa nga ekonomitë kryesore të Evropës janë në një trajektore ekonomike të paqëndrueshme, me një hendek në rritje midis shpenzimeve qeveritare dhe të ardhurave.

Megjithatë, ka disa arsye për të qenë optimistë. Për shembull Polonia, ka përjetuar një “mrekulli ekonomike” prej tre dekadash, gjatë së cilës PBB-ja u trefishua. Dhe nëse matet për frymë është thuajse katwrfishuar.

Kjo është një histori suksesi unike, e cila nuk merr vëmendjen që meriton, kryesisht sepse politikanët perëndimorë me prirje të majtë druhen se suksesi ekonomik i një vendi tejet konservator, mund të forcojë konkurrencën e tyre të brendshme.

Megjithatë, kjo tregon se rritja ekonomike është e mundur, edhe në një BE shpeshherë sklerotike. Por Polonia nuk është e vetmja me një sukses të tillë. Suedia i ka lidhur pensionet shtetërore me jetëgjatësinë e përgjithshme të qytetarëve të saj, duke siguruar kështu që sasia e aseteve t’i tejkalojë ato të detyrimet ndaj sistemit kombëtar të pensioneve.

Ndërkohë, Danimarka miratoi në vitin 2007 një reformë, e cila e reduktoi numrin e komunave nga 271 në 98, ku një komunë duhej të përfaqësojë minimumi 20.000 qytetarë. Kjo i dha mundësi qeverisë së Kopenhagës t’i bënte më efikase shërbimet publike dhe më të qëndrueshme nga ana fiskale.

Shqetësimet në rritje se Evropa po shkon drejt një krize të re financiare janë të justifikuara. Por në sfond ka një sërë zgjidhjesh të mundshme, të cilat po ndiqen tashmë nga shtetet më të vogla anëtare të BE-së.

Një nga problemet kryesore, është paaftësia e Parisit dhe Berlinit për të reaguar si duhet ndaj rënies së ekonomive të tyre si dhe mosgatishmëria e Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz për të adresuar shkaqet, që në përgjithësisht janë krijuar nga vetë këto vende.

Burokracia dhe rregulloret duhet të shkurtohen dhe jo të zgjerohen, në mënyrë që të krijohen stimuj për formimin e kapitalit dhe për inovacionet teknologjike. Duhet të rritet mosha e daljes në pension, sidomos pasi politikat e dështuara mbi migracionin, të cilat kanë tërhequr kryesisht një fuqi punëtore të pakualifikuar, nuk do t’i japin zgjidhje krizës demografike që po rrezikon edhe sistemet e pensioneve.

Së fundi, njerëzit duhet të nxiten të punojnë, dhe të mos mbështeten vetëm tek bujaria e qeverisë, një problem ky që është thelluar nga qeveria aktuale e koalicionit në Gjermani. Ekonomisti Herbert Stein shpiku Ligjin Stein, i cili thotë se “nëse diçka nuk mund të vazhdojë përgjithmonë, do të ndalet në një moment”.

Sfida me të cilën përballet Evropa nuk është nëse do të ketë reforma, por kur do të ndodhin ato, pasi trajektorja aktuale nuk mund të vazhdojë përgjithmonë. Siç e kemi parë, disa vende kanë filluar tashmë korrigjimet e nevojshme të kursit. Tani i takon të tjerave që të ndjekin shembullin e tyre.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit