3.4 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Evolucioni, një teori sa e vjetër, utopike dhe e diskredituar!

Më të lexuarat

Nga Miron Çako

“Teoria e Evolucionit”, që si fjalë vjen nga latinishtja “evolutio” u shfaq në botë shek. XIX dhe mban si pionier dhe themelues të saj britanikun Çarls Darvin (1809-1882). Ai mbasi dështoi të studionte për mjekësi në Universitetin e Edinburgut, mbaroi në Kembrixh studimet për teologji në 1831. Pavarësisht studimeve për teologji, ai nuk shërbeu asnjë ditë në Kishën Anglikane. Rastësisht përfundon si natyralist në anijen “HMS Bigell”, në një ekspeditë 5-vjeçare në bregun e Amerikës së Jugut në ishullin tropikal të Galapakos. Duke vënë re breshkat dhe disa zogj (trishtilat) dhe nën ndikimin e një sëmundjeje ethesh tropikale, filloi të hamendësojë se brenda specieve ekzistojnë dhe kanë ndodhur ndryshime të mëdha gjenetike plotësisht natyrore, nga një qelizorët deri tek shumë qelizorët, duke përfunduar tek njeriu me prejardhje nga majmuni, nëpërmjet përzgjedhjes natyrore për miliona vjet. Sipas tij, e gjitha kjo shumëllojshmëri speciesh që gjallojnë në botë janë thjesht një produkt i rastit që ai e quajti seleksionimi natyror. Mbas një pune rreth mbi 20-vjeçare, Darvini guxon dhe i paraqet gjithë botës në vitin 1859 idenë e tij në librin me titull “Origjina e Specieve me anë të Seleksionimit Natyror”, teori që quhet ndryshe “Origjina” ose “Evolucioni”. Kjo teori mori një popullaritet të madh dhe amplifikim të pazakontë, në rrethet shkencore të kohës dhe mbas një shekulli ky libër do të quhej “libri që tronditi botën” dhe Darvini do të cilësohej më vonë nga ateistët, si njeriu që “vrau Perëndinë Krijues”. Kjo teori u duk për gati një shekull sikur tronditi themelet e doktrinës shekullore të teizmit monoteist Biblik, që dëshmon se të gjitha speciet janë të krijuara drejtpërdrejt dhe veçanërisht nga Zoti Perëndi me urdhrin (Fjalën), “bëhu edhe ato u bënë”, në 6 ditët e para të krijimit .

Kjo teori që u shpall si e re nga Darvini dhe pasuesit e tij, në të vërtetë është shumë e vjetër dhe vjen që nga lashtësia apo nga filozofët ateistë grekë të antikitetit. Filozofi i lashtë Anaksimandri (610-547pr. Kr) besonte se organizmat e gjallë u zhvilluan nga balta e ekspozuar në diell. Dhe Aristoteli i cili e pranoi këtë ide, mësonte se insektet dhe krimbat kishin lindur nga vesa dhe balta, se minjtë ishin krijuar nga dheu i lagur dhe se ngjalat e peshqit dolën nga rëra ose balta dhe algat e kalbura. Edhe poeti romak, Lukreci (95-55pr.Kr.) e shikonte tokën si nënë, sepse të gjithë dolën prej saj. Të gjithë këta filozofë ateistë të antikitetit në të përbashkëtën e tyre kishin materien e “përjetshme”, si shkakun dhe fillimin e çdo qenieje nga më të voglat deri tek njeriu. Edhe premisa bazë e teorisë së “evolucionit” është hipoteza se gjërat e gjalla janë prodhuar dhe mund të prodhohen nga gjëra jo të gjalla, nga kombinime të elementëve kimikë, kjo një proces i përfitimit të rastësishëm në natyrë.

Por, kjo teori e pavërtetuar shkencërisht, që u besua për shekuj dhe u rikonfirmua nga Darvini, ishte hedhur poshtë nga vetë studimet shkencore shumë përpara Darvinit. Një shkencëtar i njohur italian, Françesko Redi në vitin 1688 vendosi ta eksperimentojë këtë gjë. Ai vuri jashtë disa plehra (mbetje organike) dhe i mbuloi me një rrjetë shumë të hollë në mënyrë që mizat apo minjtë të mos i preknin. Pavarësisht kohës që kaloi, nuk doli asgjë e gjallë prej tyre, sepse mizat nuk patën mundësi të vendosnin vezët e tyre dhe kështu nëpërmjet tyre të formoheshin larvat. Por përsëri në rrethet shkencore mbas dy shekujsh kishte dyshim për krijimin e botën mikroskopike të baktereve dhe algave? Këto mikro-organizma dukej sikur vinin nga hiçi dhe shumë besonin se ishin gjeneruar nga materia në të cilën ishin gjetur. Shkencëtari i madh Lui Paster, themeluesi i mikrobiologjisë moderne nuk kishte këtë mendim, ai ishte i bindur se ligji themelor i biologjisë se nga jeta lind jetë, është i vlefshëm për çdo gjallesë. Kështu, në 1860 para një publiku skeptik bëri një eksperiment. Mori një enë dhe hodhi supë të sterilizuar dhe e mbylli hermetikisht dhe asnjë bakter nuk u formua.

Këto dy eksperimente të Françeskut dhe Pasterit të njohura botërisht dhe të pranuara në rrethet shkencore deri më sot, vërtetojnë se as një specie e gjallë edhe mikrobet nuk vijnë nga kombinime kimike të rastësishme, siç pretendonte teoria e evolucionit e vjetër që nga antikiteti. Sot të gjitha dëshmitë vrojtuese shkencore të biologëve, vërtetojnë se gjërat e gjalla burojnë nga jeta e gjallë, pra jeta vjen nga jeta paraekzistuese dhe në fushën e biologjisë kjo njihet zakonisht si (ligji i biogjenezës). Kështu është vërtetuar se ajo që e mbart dhe e rikopjon jetën është qeliza.

Qeliza përshkohet nga biologët si njësia bazë e jetës, sado shkenca ka përparuar në teknologji nuk ka arritur dot të krijojë një qelizë të gjallë nëpërmjet procesit të rastësishëm kimik. Qeliza mund të vijë vetëm nga qeliza që janë tashmë ekzistuese. Të gjitha organizmat e gjalla përbëhen nga qeliza dhe një qelizë është struktura më komplekse e njohur nga njeriu. Ajo prodhohet kur një spermatozoid pllenon një vezë, ato pastaj shkrihen për të krijuar një qelizë, pastaj qeliza fillon edhe ndahet vazhdimisht duke krijuar organet e trupit. Trupi i njeriut përbëhet nga 100 miliardë qeliza të veçanta, qeliza përmban miliarda molekuala, këto molekula janë blloqe ndërtuese strukturorë për struktura komplekse të panumërta, që kryejnë me saktësi vargje reaksionesh biokimike komplekse. Një qelizë në vetvete është një qytet kompleks me të gjitha sistemet e tij të veprimit, komunikimit dhe të qeverisjes. Ka centralë energjetikë që krijojnë energjinë e qelizës, fabrikat që krijojnë enzimat dhe hormone thelbësore për jetën, sisteme komplekse transporti që udhëheqin kimikate të veçanta nga një vend në një tjetër, proteina membranore që veprojnë si barrikada për të kontrolluar importin dhe eksportin e materialeve nëpër membranën qelizore etj. Pa kompletin e plotë të të gjitha strukturave, qeliza nuk mund të funksionojë, në fakt keq funksionimi edhe më i vogël brenda qelizës mund të shkaktojë mbarimin e menjëhershëm të ekzistencës së saj. Bërthama është zona brenda qelizës që përmban molekulat e ADN-së e trashëgimisë, të cilat përbëjnë kopjen e jetës. I gjithë informacioni i koduar, i kërkuar për zhvillimin e tërë trupit tonë buron nga ADN-ja e kësaj qelize të parë. Molekula e ADN-së funksionon si një kompjuter tepër kompleks dhe me përsosmëri. Të pretendosh se kjo qelizë me gjithë kompleksitetin e saj është krijuar vetë dhe rastësisht është shumë e tepërt për t’u besuar nga një mendje racionale.

Teoria e evolucionit është një utopi e pabazuar në fakte shkencore, sepse ajo vë re me kujdes botën e organizmave të gjalla dhe shikon se disa janë të thjeshta, ndërsa të tjerat janë më komplekse, pastaj i rregullon ato dhe i klasifikon gjërat e gjalla në një vazhdimësi nga më të thjeshtat deri tek kompleksja si “pema e madhe e evolucionit”, duke hamendësuar se zhvillimi i formave të reja të jetës varet nga ngjarja e mutacioneve të ribashkuara në një proces të quajtur përzgjedhje natyrore. Por, mutacioni është një ndryshim i kodit gjenetik dhe mutacionet shpesh përshkruhen si gabime që ndodhin në molekulën e ADN-së, që është përgjegjëse për kopjimin e jetës, shkencërisht nga 99.9% të gjitha mutacionet shkaktojnë përfundime të dëmshme ose dhe vdekjeprurës. Si është e mundur të sugjerohet se 0.1% është faktori përgjegjës për formimin e provave të jetës? Në eksperimente për ndryshimet gjenetike janë vërejtur variante të shumta mutacionesh, por asnjëherë nuk është krijuar një krijesë e re. Për shembull, shkencëtarët në eksperimentimin me mizat e mollës kanë vërejtur varietete të shumta mutante, që përfshijnë ndryshimet në ngjyrën e syve, përmasën e fletëve, shenjat e barkut rregullimin e qimeve. Megjithatë, gjithmonë nuk është prodhuar asgjë tjetër veçse një mizë frutash. Por edhe fosilet e gjetura na tregojnë se mutacionet natyrale nuk kanë bërë ndryshime në specie të tjera, psh. një mushkonjë, e gjetur e fosilizuar në një qelibar, e datuar si “40 milionë” vjet, edhe një milingonë e datuar si “100 milionë” vjet më parë, janë identike me mushkonjat dhe milingonat e sotme.

Profesor Roberto Fondi, specialist i paleontologjisë që jep mësim në universitetin e Sienës në departamentin e shkencave të natyrës, në një intervistë të tij në dokumentarin “Evolucioni, fakte apo besim?” thotë: “Rezultatet e marra nga biologjia molekulare dhe gjenetika kanë treguar se ajo që pretendon evolucionizmi, që mutacionet janë detyruar nga selektimi natyror është thjesht false… Organizmat e vjetër duke u zhdukur nuk lindën organizma të tjerë. Në këtë pikë të gjithë biologët janë dakord. Asnjë nuk thotë se gjitarët rrjedhin nga dinozaurët. Kjo nuk është e mundur. Është krejtësisht e gabuar. Fakti që shikojmë në të shkuarën ekzistencën e qenieve të gjalla dhe të ndryshme nuk tregon që rrjedhin prej tyre. Teoria e evolucionit që disa organizma më primitive se bakteret kanë evoluar deri tek njeriu për një kohë shumë të gjatë është qesharake dhe e pamundur. Nuk ka asgjë që të lejojë një organizëm të vogël që të kthehet në njeri… Nuk ekziston asnjë provë që njeriu rrjedh nga ndonjë kafshë e mëparshme. Ajo që mund të themi duke vëzhguar kromozomet ose ADN-në e njeriut duke e krahasuar me ato të specieve të tjera, është që njeriu nuk rrjedh nga asnjë specie tjetër. Ideja e njeriut si një krijesë e fundme, i cili rrjedh nga një formë primitive e ndryshme, sot nuk mundet absolutisht të pranohet nga gjenetika”. Ajo që e bën teorinë e evolucionit të dështuar, duke e vënë në një pozicion të vështirë për të mbrojtur tezën e saj të procesit evolutiv milionavjeçar, janë mungesat e formave tranzitore, që tregojnë përparimin nga një lloj specieje në tjetër. Sado që janë përpjekur evolucionistët për të gjetur fosile të ndërsjella, nuk kanë arritur të gjejnë as edhe një, edhe ato që pretendohet se janë gjetur nuk janë gjë tjetër veçse hamendësi ose spekulime. Për shembull, një krijesë e quajtur (Koelakanti) që evolucionistët e shpallën si krijesë mes peshqve dhe amfibëve, që sipas tyre ishte zhdukur 70 milionë vjet më parë, para 90 vjetësh në vitin 1939 u kap i gjallë përtej brigjeve të Madagaskarit në brigjet e Afrikës, që nga ajo kohë janë vërejtur shumë syresh të tillë. Edhe (arkeopteriksi) që për evulocionistët mendohet si hallka e tranzicionit midis zvarranikëve dhe zogjve, si fakt teorik u rrëzua, sepse në 24 shtator 1977 u gjet fosil i një zogu në Kolorado, datimi i tij nëpërmjet teknikave radiometrike u përcaktua në moshën më shumë se “140 milionë vjet”, domethënë jetonte në të njëjtën kohë ose më i vjetër se (arkeopteriksi). Kështu arkeopteriksi nuk përbën më hallkën faktike ndërmjetëse, midis zvaranikëve dhe zogjve.

Shumë shkencëtarë evolucionistë e konsiderojnë si provën më të fortë të evolucionit shtresat e tokës. Sipërfaqja e tokës përbëhet nga shtresa të quajtura (strata). Këto shtresa sipas teorisë “uniformitarizmit” formohen në mënyrë graduale uniformë, gjatë periudhave të gjata kohe “miliona vjetësh”. Në këto shtresa sipas evolucionistëve duhet të ishin fosilizuar specie nga më të thjeshtat në shtresat më të poshtme dhe ato më të zhvilluarat në shtresa më të larta, psh. (trilobitet) ishin të vendosur në fund të kolonës gjeologjike duke përcaktuar edhe kohën e shtresës së quajtur kambriane të tokës të datuar 600-230 miliona vjet më parë. Por fosilet e trilobitit janë gjetur në shtresa më të larta dhe kështu gjithë hamendësimi për trilobitin si specie primitive nga të parat që përcakton edhe shtresat e tokës del i gabuar dhe të gjithë hamendësitë për datimin e shtresave të tokës nuk janë të sakta. Për shembull, shtrati fosil Bërxhes Shejll pranë Fildit, Kolumbia Britanike, Kanada që është përshkruar si një nga vendet më të pasura me fosile, por bashkë me tribolitet, janë gjetur kafshë edhe bimë të tjera që mendoheshin të ishin në shtresa më të larta. Bllokimi i pashpjegueshëm i kaq specieve në një shtresë, i ka bërë shkencëtarët evolucionistë ta rishikojnë pikëpamjen e tyre mbi evolucionin. Pavarësisht se evolucionistët sipas teorisë “uniformitarizmit” pretendojnë se shtresat e tokës janë formuar prej miliona vjetësh, katastrofa natyrore si ajo 19 marsit 1982 në malin shën Elenë, që formoi një kanion me shtresëzime prej disa orësh nga shpërthimi vullkanik, hedhin poshtë teorinë e shtresëzimit miliona vjeçar dhe japin argumente për vërtetësinë e katastrofave natyrore të regjistruar në Bibël si ajo e përmbytjes globale në kohën e Nohes, e cila ndryshoj shpejt relievin e gjithë tokës dhe bëri të mundur fosilizimin e shpejt të specieve të ndryshme në mënyrë të çrregullt siç gjenden edhe sot.

Por ajo që e vështirëson më tepër teorinë e evolucionit është gjetja e fosileve ndërmjetëse të majmunit me njeriun, të cilat sipas evolucionistëve na tregojnë evolucionin nga majmuni tek njeriu, si psh., njeriu i Nembraskës 1922, ku një gjeolog amator me emrin Harold Cook gjeti një dhëmb, që u datua 1.7 deri në 5.5 milionë vjet i lashtë. Kjo gjetje u quajt si hallka jetike e njerëzimit, por 6 vjet më vonë u zbulua se ai ishte dhëmbi i një derri, që mendoi se ishte zhdukur 10 mijë vjet më parë, ose kafka e “Njeriu Arrëthyes” i gjetur në Afrikën Lindore 1959 që gjoja kishte jetuar 1,75 milionë vjet më parë, doli se ishte kokë e një australopiteku majmunët e zhdukur, ose “Lusi” skeleti i gjetur në Etiopinë e Jugut i datuar mbi 3 milionë vjet më parë dhe mendohej si hallka midis majmunit dhe njeriut primitive, doli se fosilet ishin gjetur në shtresa të ndryshme shumë larg njëra-tjetrës, duke spekuluar me kombinimin dhe paraqitjen e skeletit. Raste të tilla që janë përgënjeshtruar publikisht si gjetje dhe fakte shkencore, diskretitojnë teorinë e evolucionit të species, nga një qelizorët si ameba te majmuni deri tek njeriu si një hipotezë aspak e bazuar shkencërisht, madje qesharake, sepse deri më sot nuk ka pasur asnjë fosil që të tregoj një lidhje në linjën e evolucionit të majmunit me njeriun, sepse fosilet të gjitha janë ose thjesht majmun ose thjesht njeri.

Është spekuluar shumë në këtë teori hipotetike, e cila jo vetëm në vende me një arsimim të imponuar në regjimet totalitare ateiste, por edhe në perëndimin e lirë, “evolucioni” u bë fatkeqësisht mbisundues në programet mësimore. Dhe çdo ide teiste e cila e shpjegonte njeriun të krijuar si një imazh të Zotit Krijues, u hodh poshtë me arogancë dhe dhunë, madje edhe teistët me talente të veçanta, që lanë nga pas kryevepra në art, letërsi, por edhe në shkencë, nga evolucionistët u quajtën njerëz me kufizime ideore ose siç mund ta shprehim popullorshe me një “dërrasë mangut”. Nuk do na dilte koha t’i numëronim këta korifenj të shkencës si psh. astronomi gjerman Johanes Kepler (1571-1630) babai i astronomisë së fizikës modern ose matematikani, filozofi dhe shkencëtari francez Blaise Paskal (1623-1662), shkencëtari danez Niels Steno (1638- 1686) themeluesi i gjeologjisë moderne ose matematikani dhe fizikani anglez Lord Isak Njutoon (1642-1727), Louis Pasteur(1822-1895) themeluesi i mikrobiologjisë moderne, ose James Klert Makuell (1831-1879), ai i cili parashikoi ekzistencën e valëve të radios dhe është quajtur babai i fizikës modern, deri më i dëgjuari i shekullit të XX, Albert Eistein (1879-1955) etj., deri më sot, që njihen në mbarë botën si nga shkencëtarët më të mëdhenj që kanë jetuar ndonjëherë. Të injorosh bindjet fetare të këtyre shkencëtarëve që janë formuar në shkollat më të mira botërore dhe themeluan shkencën moderne nuk është përparim shkencor, por e kundërta, një cinizëm, egoizëm në marrëzi, siç i cilëson Bibla të tillët: “Tha i marri në zemrën e tij nuk ka Perëndi”.( Psalmi 14:1)

Profesori Makiej Giertych i Institutit të Dendrologjisë së Akademisë të Shkencave Polake që jep mësim mbi gjenetikën e popujve në qytetin Torun në një intervistë thotë: “Një shkencëtar i mirë është ai që nxjerr konkluzionet e veta nga faktet shkencore. Shkencëtarët që studiojnë gjenetikën, citologjinë, anatominë, ose fusha të tjera të shkencës eksperimentale janë të sinqertë dhe të besueshëm pavarësisht se çfarë mendojnë për evolucionin. Kështu funksionon shkenca. Problemet fillojnë kur dikush fillon të quajë veten ekspert në evolucion… “Sepse evolucioni nuk është shkencë, është një filozofi. Që kur shkencëtarët filluan t’i besojnë njëri-tjetrit, shpesh ndodh që ata të pranojnë deklarimet e evolucionistëve sipas të cilëve evolucioni është shkencë. Por nuk është e vërtetë. Që teoria e evolucionit është shkencë e besojnë vetëm teoricienët e biologjisë dhe filozofët”.

Prandaj të gjitha këto dhe shumë të tjera fakte shkencore tregojnë se teoria e evolucionit nuk është aspak shkencë, por një teori spekulative, e cila fillon 150 vjet më parë dhe sot është një teori sa utopike, aq në krizë dhe e diskredituar. Ata që e mbështesin dhe mbahen fort mbas kësaj teorie sipas “fijes së kashtës” janë ateistët, të cilët të mbushur me egoizëm “eusforike” kërkojnë ta bëjnë veten “zot” dhe duke mohuar Zotin Krijues dhe ligjvënësin e dashurisë, sepse të gjitha regjimet totalitare ateiste, donin të përligjnin urrejtjen klasore dhe shfrytëzimin e njeriut nga njeriu, në sisteme diktatoriale çnjerëzore, por edhe në vende demokratike, ateistët duke mbështetur “evolucionin” largojnë Zotin moral nga skena e jetës njerëzore, për të përligjur lakminë dhe imoralitetin e tyre në nivelin shtazor deri në perversion. Ashtu si edhe Dostojevski shkruan në romanin e famshëm “Vëllezërit Karamazov”: “Nëse Perëndia nuk ekziston, atëherë gjithçka mund të lejohet”.

Por, në fund nuk mund të themi asgjë tjetër veçse atë që tha edhe apostull Pavli për paganët dhe ateistët. “Meqenëse ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre. Në fakt, cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm. Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan, as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua. Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pakalbshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të kalbshëm, të shpendëve, të kafshëve katërkëmbëshe dhe të rrëshqanorëve… që e ndryshuan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë. Amin. (Rom. 1:19-25)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit