0.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Eurostat: Veriu i Shqipërisë, më i varfëri në Europë

Më të lexuarat

Të ardhurat e banorëve të Veriut të Shqipërisë janë vetëm sa 24% e mesatares së shteteve të Bashkimit Europian (BE), duke e renditur atë në rajonin më të varfër të Europës. Shifrat janë bërë të ditura së fundmi nga Eurostat në një raport për prodhimin e brendshëm bruto në nivele rajonale dhe i përkasin vitit 2016 dhe janë bazuar në standardet e barazisë së fuqisë blerëse (PPS) në raport me mesataren e 28 vendeve të BE (BE-28 = 100).

Shqipëria është e ndarë në tre rajone, Veriu, Jugu dhe Qendra. Të ardhurat për frymë të Veriut janë vetëm 23.8% të mesatares së BE, shumë më të ulëra sesa rajoni i dytë më i varfër në listë, që është Severozapaden i Bullgarisë, me 29.47%, sipas tabelës së publikuar nga Eurostat dhe të përpunuar nga Monitor.

Rajoni i tretë më i varfër i Europës është Jugu i Shqipërisë, me 29.52% të mesatares së Bashkimit Europian. Më pas renditen Mayotte në Francë (33.27%), dy rajone të Bullgarisë Yuzhen tsentralen (33.53) dhe Severen tsentralen (33.95).

Qendra e Shqipërisë, ndonëse është më e pasur sesa Veriu dhe Jugu, duke pasur të ardhura për frymë sa 34.45% e mesatares së BE, sërish është ndër më të varfërat e Europës, duke u renditur e shtata nga fundi. Në fakt, nga 7 rajonet më të varfëra të Europës, 3 prej tyre janë të Shqipërisë.

Si një e tërë, të ardhurat për frymë të Shqipërisë janë sa rreh 30% e mesatares së BE-së, duke e renditur edhe si shtet si më të varfërin e Europës. Serbia dhe Maqedonia e kanë këtë tregues në rreth 37% dhe 35% përkatësisht, ndërsa në mal të Zi është rreth 40%.

Sipas raportit të Eurostat, pabarazitë që ekzistojnë midis rajoneve të ndryshme të BE-së mund t’i atribuohen një gamë të gjerë faktorësh, duke përfshirë: ndryshimet e sjella nga globalizimi (si zhvendosja dhe kalimi i aktiviteteve prodhuese dhe shërbimeve), trashëgimia e ish sistemeve ekonomike, zhvillimet socio-ekonomike, largësia gjeografike dhe disponueshmëria e burimeve, duke përfshirë ato njerëzore. Këto manifestohen, ndër të tjera, në formën e privimit social, strehimit me cilësi të dobët, kujdesit shëndetësor ose arsim, shkallë më të lartë të papunësisë, ose infrastructure e papërshtatshme.

Një nga detajet më të habitshme të hartës është prania e xhepave të pasurisë relativisht të lartë që janë të dukshme për pothuajse çdo rajon të kryeqytetit. Kjo është më e lartë në një nga dy rajonet e kryeqytetit të Mbretërisë së Bashkuar, Inner London-West, ku të ardhurat për frymë për banor ishin më shumë se gjashtë herë se mesatarja e BE-28 në vitin 2016 (611%). Më pas renditet Luksemburgu (një rajon i vetëm në këtë nivel 258%), Irlanda Jugore dhe Lindore (rajoni i kryeqytetit irlandez, 217%) dhe Rajoni i Brukselit-Bruksel Hoofdstedelijk Gewest (kryeqyteti belg 200%)./MONITOR

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit