Të dhënat e autoriteteve hetimore nga Bashkimit Evropian
Europol ka indikacione se armët po kontrabandohen nga Ukraina në Bashkimin Evropian, thuhet në letrën e Europolit drejtuar Këshillit të Bashkimit, transmeton Deutsche Welle.
“Jemi në dijeni të rasteve të shitjes së armëve të zjarrit dhe pajisjeve ushtarake në tregun ilegal”, tha zëdhënësi i Europolit, Jan Op Gen Oorth, duke konfirmuar kështu raportin e shërbimit publik gjerman SWR.
Autoritetet hetimore nga vendet e Bashkimit Evropian kanë mbledhur të dhëna edhe për kontrabandën e armëve të rënda.
“Ekziston një rrezik i madh që këto armë të bien në duart e krimit të organizuar”, tha një zëdhënës i Europol.
Në raportin e saj, SWR citon dosjet e brendshme të Europolit, sipas të cilave “rrjetet kriminale në rajon janë aktive dhe kryejnë dhe përgatisin kontrabandën e sasive të mëdha të armëve të zjarrit dhe municionit”.
Armët, në këmbim të parave ose favoreve
Ka gjithashtu indikacione se armët e destinuara për transport të mëtejshëm po ruhen fshehurazi përgjatë kufirit ukrainas-polake.
“Anëtarët e bandave kalojnë kufirin legalisht dhe më pas shkojnë në magazina sekrete për të marrë armët”, citohen dosjet e brendshme.
Në raport thuhet gjithashtu se vendet që kanë pranuar një numër të madh refugjatësh kanë frikë se shumë prej atyre që kanë kërkuar ndihmë kanë sjellë armë me vete.
“Refugjatët duan të shesin armë ose t’i përdorin ato për të paguar shërbimet. Tashmë ka pasur raste që refugjatët kanë tentuar të paguajnë transportin me taksi me armë”, thuhet në raport.
Sipas zëdhënësit të Jan Op Gen Oorth, ofertat janë shfaqur në Darknet për shitjen e raketave antitank Javelin të prodhimit amerikan. Megjithatë, theksohet se këto oferta duhet të kontrollohen me kujdes dhe të përcaktohet nëse janë oferta reale apo propagandë ruse.
“Këto oferta mund të jenë pjesë e propagandës ruse për të krijuar ndjenja negative ndaj dërgesave të armëve perëndimore në Ukrainë”, tha zëdhënësi. /tesheshi.com/