Vetëm pak ditë na ndajnë nga përvjetori i 30-të i rrëzimit të Murit të Berlinit, ngjarje kjo që solli ndryshime të rëndësishme për shumë vende të Europës Qendrore dhe Lindore, midis tyre edhe për Shqipërinë. Dita e 9 nëntorit të vitit 1989 është kthyer në simbolikën e ndryshimeve politike, në ditën e rrëzimit të mureve dhe “perdes së hekurt”, e cila ndante, në atë kohë, vendet e ish-kampit socialist nga pjesa tjetër e demokracive perëndimore. Pakkush mundet të shkruajë dhe të dëshmojë për atë sesi ndikuan këto ngjarje në përgatitjen e asaj që shpërtheu në dhjetorin e vitit 1991, me pak vonesë edhe, në Shqipëri. Megjithatë, janë të shumtë ata që burimin e shpresës, besimit dhe entuziazmit mbarëpopullor për ndryshimet dhe lindjen e demokracisë në Shqipëri e gjetën, në ato kohë, pikërisht te rruga e bashkimit me vendet e tjera europiane. Thirrja entuziaste, ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’, ishte shprehja më e vërtetë e besimit tek ëndrra për bashkim me familjen europiane.
Pakkush, në ato vite, do të imagjinonte se edhe pas tri dekadave, do ishim përsëri duke u endur në kërkim të portave për të hyrë në Europën e premtuar, si personazhet e dramaturgut spanjoll Fernando Arrabal, në dramën e tij ‘Fando dhe Lis’, të cilët enden në një djerrinë shterpë, postapokaliptike në kërkim të qytetit mitik të Tarit, një vend ku njeriu do të njohë natyrën e vërtetë të përjetësisë dhe do të arrijë ndriçimin. Ndërkohë, në këto tri dekada, pako gjë ka mbetur nga shpresa, besimi dhe entuziazmi i asaj kohe.
Ka vite që thirrja ‘E duam Shqipërinë si e gjithë Europa’ nuk krijon më entuziazëm. Entuziazmin e gjen vetëm te kronikat, dëshmitë dhe dokumentarët e kohës. Sot, pas 28 vitesh, ideja e integrimit dhe e bashkimit me familjen europiane shërben vetëm si ushqim për debatet televizive dhe fushatat politike. Të gjithë ata që besuan të bindur se demokracia është e vetëmjaftueshme për të sjellë ndryshimin, kanë rastin, sot, të kuptojnë arsyen e zhgënjimit me çfarë ka ndodhur këto vite në Shqipëri.
“Demokracitë janë të vdekshme” është shprehur Norbert Lammert, drejtor i Fondacionit “Konrad Adenauer” dhe ish-kryetar i Bundestagut gjerman në një konferencë të organizuar para disa ditësh në Tiranë, duke dashur që të sjellë në vëmendjen tonë rrezikun e vazhdueshëm që u kanoset demokracive. Por, demokracitë, ashtu si edhe ëndrrat, janë jo vetëm të vdekshme, por ato mund të lindin, gjithashtu, edhe të vdekura.
A ishte ëndrra jonë europiane një ëndërr që vdiq rrugës, apo një ëndërr që lindi e vdekur? Kjo është një pyetje e vështirë për të guxuar t’i japësh përgjigje. Duket se ato ngjarje, ashtu siç edhe po ndodh me kalimin e viteve, do vazhdojnë të mbulohen prej misterit, fuqisë së miteve dhe personazheve heroikë. Ndoshta, aktorët e vërtetë që nxitën dhe çuan përpara ato ngjarje, nuk do të zbulohen kurrë. Ajo që mundet të vërejmë është se ka një ndryshim të madh midis asaj se çfarë prodhonte kjo ëndërr në vitet e para pas rrëzimit të sistemit, dhe kësaj që po prekim, dita-ditës.
Nga një dëshirë dhe ëndërr popullore bashkimi me pjesën tjetër të Europës, është kthyer në makthin e një kombi që përpiqet të largohet prej vendit të vet. Nga një aspiratë e zjarrtë që ndizte besim dhe shpresë, është ftohur, squllur dhe spërdredhur si gjuhë politikanësh.
Tri dekada që shkuan është kohë e mjaftueshme për të na dhënë të drejtën të pyesim dhe të dimë se çfarë po ndodh dhe ndoshta, më shumë, se çfarë pritet të ndodhë me kombin shqiptar.
A ka më vend për optimizëm, për shpresë dhe besim, se një ditë do ta kalojmë portën e Europës, apo, mos ndoshta, optimizmin po e zëvendëson skepticizmi për rrugën dhe mënyrën sesi po e presim anëtarësimin?
Ndryshe prej gjithë vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Europian, vendeve në pritje apo në proces anëtarësimi, në Shqipëri mendimi skeptik ndaj rrugës për bashkimin me familjen europiane është tërësisht i padukshëm. Të dalësh me një tezë kundër proceseve të integrimit europian apo të shprehësh dyshime mbi qëllimet dhe interesat e shteteve të caktuara mbi Shqipërinë, ka qenë dhe mbetet deri diku një tabu e konsideruar, deri edhe si tradhti kombëtare. Në Shqipëri nuk ekziston asnjë parti, asnjë organizatë apo lëvizje qytetare me peshë, që të verë në dyshim apo të shtrojë pyetje për vlerën e përpjekjeve tona europianiste. Kaq i lartë ka qenë besimi te ky proces, sa edhe problemet e vërteta si bashkimin kombëtar, rritjen ekonomike, shtetin e së drejtës, shëndetësinë dhe arsimin cilësor, luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, kemi shpresuar se do mund të zgjidhen më lehtë ditën e hyrjes në familjen europiane. Kjo frymë e lartë besimi që kombi shqiptar ka treguar në çdo rast tek Europa është keqpërdorur dhe shfrytëzuar keqazi prej politikës së ditës, duke e kthyer këtë çështje në temën kryesore të debatit, diskutimit dhe garës politike në Shqipëri dhe duke e hequr fokusin e debatit prej problemeve të tjera, prej të cilave është e mbërthyer shoqëria shqiptare. Integrimi europian, nga një ideal kombëtar, është kthyer në një sfidë dhe garë politike. Largimi prej normave morale, ndjeshmërisë sociale dhe dobësimi i rolit edukues të familjes dhe shoqërisë i ka dhënë terrenin e duhur zhvillimit të korrupsionit dhe krimit; atij ordiner dhe të organizuar.
Frymën e skepticizmit, që ka nisur të ndihet brenda shoqërisë shqiptare, e shpjegon jo vetëm lodhja prej pritjes së gjatë apo humbja e besimit në aftësitë e politikës shqiptare për ta mundësuar këtë proces, por edhe vetë vendimet e shteteve, anëtare të BE-së, gjithashtu Refuzimi për hapjen e negociatave, midis të tjerave, na tregoi se vazhdimësia e procesit varet jo vetëm prej asaj çfarë bëmë dhe ofrojmë ne, por po aq edhe nga një numër jo i paktë faktorësh të tjerë brenda vetë familjes europiane.
Euroskeptikët europianë nuk janë si euroskeptikët shqiptarë, gjithnjë nëse ka ndonjë të tillë. Ata janë vendosur përballë proceseve të integrimit dhe zgjerimit, madje edhe kundër vetë idesë së BE-së, duke shprehur dyshime të forta për qëndrueshmërinë dhe dobinë e tij. Ata, vërtet, nuk janë shumicë dhe një grup homogjen, por janë mjaftueshëm të fortë për ta kundërshtuar BE-në dhe për të ndikuar në vendimet që merren aty. Ata gjenden sa në krahun e majtë, po aq edhe të djathë të politikës europiane. Ata ngrenë shqetësime për ekonominë, për rritjen e papunësisë, për ritme të ngadalta zhvillimi, për rritje të emigracionit në vendet e tyre dhe dobësim të sigurisë.
Euroskeptikët janë të bindur se integrimi dëmton dhe rrezikon sovranitetet kombëtare. Ata besojnë se Bashkimi Europian është një organizatë elitare, së cilës i mungon legjitimiteti dhe transparenca demokratike; se është shumë burokratikë e kotë; një organizatë neoliberale që i shërben biznesit elitar në kurriz të gjithë shoqërisë.
Sondazhet që bëhen herë pas here nga eurobarometri me qytetarët e BE-së tregojnë se besimi i tyre për BE-në ka rënë ndjeshëm. Prej sondazhit të vitit 2007, besimi në përqindje është poshtë shifrës 50%. Referendumi për vazhdim apo jo të anëtarësimit në BE që u mbajt në Mbretërinë e Bashkuar, në vitin 2016, rezultoi me 51.9% në favor të largimit nga BE. Raporti i një tjetër sondazhi, organizuar po nga një eurobarometër gjatë viti 2019, tregoi se se gjërat nuk po shkojnë në drejtimin e duhur, si në BE, ashtu edhe në vendet e tyre, ndjenja midis europianëve është rritur në 50%.
Edhe pse jo në shumicë, forcat që janë kundër zgjerimit apo edhe kundër vetë BE-së, janë aty, mjaftueshëm të forta për të ulur dhe ftohur vrullin e çdo politikani shqiptar që do guxojë të tregojë entuziazëm të lartë apo të japë garanci se do mundë të udhëheqë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Europë.
Në udhëkryqe dhe momente vendimesh të rëndësishme, historia tregon se shoqëritë demokratike kanë ditur të prodhojnë lëvizje dhe qëndrime kundërshtuese edhe ndaj vendimeve në dukje me një interes të madh kombëtar. Shembujt vijnë që prej lëvizjeve kundër fillimit të një lufte, si në rastin e luftës në Vietnam, Afganistan, Irak dhe kudo që ajo nxitet e deri te lëvizjet antiglobaliste, kundër vaksinimit apo përdorimit të kafshëve si kavie eksperimentale. Shembujt vijnë edhe prej vendeve të Europës Lindore, si rasti i kundërshtimit që qytetarë polakë bënin në vitin 2004, kohë kur vendi përgatitej të hynte në BE apo në Pragë, kundër samitit të organizuar nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Rasti i Shqipërisë nuk është i ngjashëm me të tjerët, por gjithsesi, është rasti i një shoqërie në udhëkryq.
Është rasti kur marrja e vendimeve është përgjegjësi historike. Është rasti kur shoqëria jo vetëm që nuk mundet të anashkalohet, por duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e saj. Është koha kur, ndoshta, krahas aspiratës europianiste, të mendojmë më shumë për të gjetur rrugën sesi të forcojmë shtetin shqiptar. Është koha për të menduar seriozisht sesi ta përmirësojmë imazhin e kombit tonë në arenën ndërkombëtare. Koha për të ndëshkuar me vulën e tradhtisë kombëtare çdo veprim që nxit dhe synon ndarjen dhe vendosjen e shqiptarit në luftë përballë shqiptarit. Koha për t’i vlerësuar partneritetet strategjike mbi të vërtetat e fakteve historike, veprimeve dhe vendimeve që shtete të ndryshme kanë marrë në dëm apo në interesin tonë kombëtar? Është koha që të mos merremi me Kryeministrin e Francës, aq më pak me gruan apo qenin e gruas së tij, por të themi se dështimi nuk është vetëm i shqiptarëve, por edhe i të gjitha organizatave ndërkombëtare që kanë kërkuar, drejtuar, monitoruar apo edhe vlerësuar reformat e bëra deri tani në Shqipëri. Është koha t’i mësojmë politikës shqiptare se në momentin që harrojnë se misioni i tyre është përgjegjësi dhe jo privilegj, do duhet të hapin rrugën për dikë tjetër. Është koha për të kthyer moralin, parimet dhe dinjitetin në çdo segment të veprimtarisë publike.
Integrimi europian po duket se ishte një ëndërr që u shua rrugës. A nuk është koha për një ëndërr të re; ëndrrën e ndërtimit të një shteti të fortë shqiptar, që të na bëjë krenar dhe dinjitoz brenda dhe kudo jashtë Shqipërisë?