Protesta e opozitës sot arriti të tërhiqte vëmendjen e shumë mediave të huaja. Mes tyre ishte Euronews, që transmetoi live, duke sjellë disa nga pamjet më të mira nga kamerat e tyre.
Ndërkohë në një kronikë televizive, ata theksojnë se vazhdon zemërimi në Shqipëri.
“Zemërimi nuk njeh qetësim në Shqipëri. Mijëra mbështetës të opozitës së qendrës së djathtë, të udhëhequr nga Lulzim Basha, u mblodhën jashtë selisë së qeverisë në Tiranë, për të kërkuar edhe njëherë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kalimtare për të organizuar zgjedhjet e parakohshme”.
“Protestat filluan shkurtin e shkuar, kur deputetët e opozitës dhanë dorëheqje në masë, duke e akuzuar Ramën për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Akuzat u kthyen te dërguesi. Në të vërtetë, kryeministri ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se ai nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen dhe se demonstratat nuk janë gjë tjetër veçse një përpjekje e opozitës për të ardhur në pushtet”.
“Edi Rama, në mandatin e tij të dytë, ka fituar besimin e popullsisë me një program të bazuar tek hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në kontrast me kriminalitetin dhe korrupsionin galopant në sektorët e shëndetit, arsimit dhe punës. Megjithatë, këto politika kanë rezultuar joefektive, veçanërisht për klasat më të varfra dhe më të dizavantazhuara”.
https://www.youtube.com/watch?v=TR8FQjqRJtY