3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Euro prek nivelin më të ulët që nga fillimi i pandemisë

Më të lexuarat

Euro ra të mërkurën në nivelin e 122.85 lekëve, duke prekur nivelin më të ulët që nga fillimi i pandemisë.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro ka rënë poshtë nivelit të mëparshëm më të ulët të këtij viti, që ishte shënuar më datë 12 maj.

Në fakt, që prej muajit mars, leku ka qëndruar në pozita të forta dhe të qëndrueshme ndaj euros, pranë nivelit të 123 lekëve. Në analizën e ecurisë së kursit të këmbimit gjatë muajve të parë të 2021, Banka e Shqipërisë ka arritur në përfundimin se leku ka krijuar një tendencë sezonale mbiçmimi kundrejt euros edhe në pjesën e parë të vitit. Që prej vitit 2015, muajt mars dhe prill karakterizohen nga një mbiçmim mujor i lekut ndaj euros, prej mesatarisht 0.2% dhe 0.4%. Përjashtim nga kjo sjellje bëri viti 2020, kur tregu valutor pësoi një goditje afatshkurtër nga pasiguria, me përhapjen e pandemisë në vend.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e parë të vitit deficiti i llogarisë korrente arriti në 309 milionë euro. Kjo shifër është rreth 30% më e lartë krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, por 12% më e ulët krahasuar me tremujorin e fundit 2020. Mbështetur në këtë fakt, mbiçmimi i lekut ndaj euros mes tremujorit të fundit 2020 dhe tremujorit të parë 2021 (si edhe nënçmimi krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë) mund të gjejë një lloj mbështetje, të paktën pjesërisht, në faktorët fondamentalë që përcaktojnë ecurinë e tij.

Por, në kahun tjetër oferta e lekut në treg është në nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë, për shkak të politikës monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Agregati monetary M2 është në rritje vjetore dyshifrore dhe një zgjerim i ofertës së monedhës vendase, në teori, duhet të ushtronte presione nënçmuese mbi kursin e këmbimit. Në fakt, një e gjë e tillë nuk po ndodh.

Operatorët e këmbimit valutor përgjithësisht kanë vërejtur një kërkesë të ulët për euro, si shpjegim kryesor të tendencës mbiçmuese të lekut në kursin e këmbimit.

Një faktor, me ndikim të rëndësishëm në kursin e këmbimit valutor ngelen edhe të ardhurat nga aktivitete të paformalizuara apo të paligjshme. Ecuria e tyre është tyre është e pamundur të matet me saktësi dhe as përmasa e ndikimit të tyre në kursin e këmbimit. Sidoqoftë, në vitet e fundit perceptohet se shuma të mëdha të paformalizuara po investohen në sektorin e ndërtimit, duke sjellë një rritje të këmbimeve dhe të euros në treg.

Me fillimin e sezonit veror, leku po jep sinjale të mëtejshme mbiçmimi, një tendencë e zakonshme sezonale, e lidhur me rritjen e ofertës së valutës së huaj gjatë muajve të verës. Këtë vit Shqipëria ka hequr të gjitha kufizimet për udhëtarët e huaj, me qëllim nxitjen e turizmit hyrës. Ky faktor mund të ketë filluar të japë një ndikim në flukset valutore hyrëse, sidomos nga vizitorët e vendeve të rajonit. Shpesh, në fundjava këtë vit kanë qenë tipike dyndjet e vizitorëve nga Kosova drejt Shqipërisë. Në analizat e saj, Banka e Shqipërisë ka vënë në dukje se zgjatja e sezonit turistik ka bërë që ndikimi i këtij faktori në kursin e këmbimit të jetë më i shpërndarë, duke prekur sidomos edhe qershorin dhe shtatorin.

Pas goditjes që pësoi në momentin e parë të pandemisë, kursi i këmbimit euro lek u stabilizua shpejt, edhe me ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë. Në vazhdim, tendenca e kursit ka qenë kryesisht në favor të lekut. Po t’iu besojmë tendencave historike, gjasat janë që mbiçmimi i lekut do të vazhdojë gradualisht edhe gjatë muajve të verës, që shoqërohet me shtim të flukseve valutore hyrëse dhe përmirësim të pozicionit të jashtëm të ekonomisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit