O ju musliman, xhamitë janë shtëpitë e Allahut. Muret e saj janë ndërtuar dhe themelet e saj janë ngritur për hir të Tij, të adhurohet dhe të njësohet, të madhështohet dhe të lavdërohet, t’i bie robi në ruku dhe poashtu t’i bie në sexhde Atij: “ Xhamitë i janë kushtuar vetëm Allahut, prandaj mos iu lutni askujt, krahas Allahut!”. Xhin 18.
Allahu urdhëroi në ndërtimin dhe ngritjen e tyre, në përkujdesjen dhe ruajtjen e tyre dhe në përmendjen e emrit të Tij në to: “Në xhamitë, që Allahu ka urdhëruar të ngrihen e të përmendet aty emri i Tij, Atë e lavdërojnë në mëngjes dhe mbrëmje”. Nur 36.
Ndërtimi i tyre është një nga afrimet më madhështore kah Allahu, për atë që e përmison nijetin e tij dhe shpreson shpërblim. Othmani, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të ketë thënë: “Kush e ndërton një xhami për hir të Allahut duke shpresuar me të fytyrën e Allahut, Allahu do t’ia ndërton atij një shtëpi në Xhenet”.
Allahu ka urdhëruar që ato të pastrohen, të lahen e të parfymosen. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, thotë se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, urdhëroi të ndërtohen xhami nëpër fise dhe ato të pastrohen dhe parfymosen.
Xhamitë janë vendet më të pastra dhe më të dashura. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Vendet më të dashura tek Allahu janë xhamitë, dhe ato më të urryera tek Allahu janë tregjet”.
Për hir të vlerës së xhamisë dhe pozitës së lartë të saj tek Allahu, u ligjësuam për atë që i synon ato, rregulla dhe dispozita, sjellje dhe etika, gjë që i bën ato të ruhen dhe të rikujtohen të drejtat e tyre.
O ju musliman, pëlqehet për atë që e synon xhaminë të zbukurohet për namazin e tij me atë që ka mundësi nga rrobat, parfymi dhe misvaku. Allahu i Madhëruar thotë: “O bijtë e Ademit, vishuni përshtatshëm kudo dhe kurdo që të faleni!”. Earaf 31.
Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur nga ta, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nëse ndonjëri nga ju falet le t’i vesh rrobat e tij më të mira, Allahu është më meritor për t’iu zbukuruar”.
Nuk lejohet për muslimanin të falet me rroba shumë të holla të cilat e paraqesin lëkurën e trupit (qëllimi është paraqesin lëkurën e trupit në pjesët të cilat fetarisht konsideron nga aureti) apo të ngushta që i përshkruajnë pjesët e turpshme apo të shkurta që nuk e plotësojnë kushtin e mbulimit të trupit për në namaz. Poashtu nuk lejohet namazi me rroba ku në to ka foto apo vizatime të cilat bien në kundërshtim me besimin dhe ideologjinë e muslimanit. Falësi i namazit poashtu duhet t’i ik erërave të keqe në veshje apo në ushqimin, me qëllim që të mos i dëmton dhe pengon vëllezërit e tij me erën e tij të keqe nga goja, apo me erën e djersëve të tij. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Kush han qepë, hudhër dhe pras (bime me erë sikurse te hudhrës) le të mos i afrohet xhamisë sonë ngase melaiket gërditen nga ajo qe gërditet edhe njerëzimi“.
Aisha, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon: “Vinin njerëz nga shtëpitë e tyre dhe nga Avali (rrethinat e Medines rreth katër milje e më shumë larg) dhe kalonin nëpër shkretëtirë me pluhur duke u bërë me djersë e pluhur saqë u kullonte djersa. Vjen njëri prej tyre tek i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili ishte tek unë. Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha atij: “Do të dëshiroja që të mbaheshi të pastër në këtë ditë tuajën (duke u larë)“.
Muslimani del nga shtëpia për në namaz i qetë dhe me hapa të ngadalta dhe nuk ngutet. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kur ta dëgjoni thirrjen për namaz shkoni ne namaz por me qetësi dhe urtësi; mos nxitoni ngase çka arrini faleni e çka iu kalon plotësojeni“.
Pëlqehet të shkohet më herët në xhami me qëllim të zihen safet e para në xhami. I Dërguari i Allahut. lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Po ta kishin ditur njerëzit se çfarë shpërblime ka në ezan dhe safet e para(se kush do ta thirr ezanin dhe do të ulet në safin e parë) dhe nuk do kishin mundësi ta arrin atë vetëm se përmes shortit, do ta bënin atë”.
Në xhami muslimani hyn me këmbën e djathtë dhe i dërgon salavate të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe thotë: “O Zot, m’i hap dyert e mëshirës Tënde”. Kurse kur del nga xhamia i dërgon salavate të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe thotë: “O Allah, unë kërkoj nga mirësitë e Tua, o Allah më mbroj nga shejtani i mallkuar”.
Nuk ulet në xhami derisa nuk i fal dy rekate për përshëndetjen e xhamisë. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nëse ndonjëri nga jush hyn në xhami le t’i fal dy rekate para se të ulet”.
Kush hyn ditën e Xhuma dhe imami është duke e mbajtur hutben, nuk ulet derisa nuk i fal dy rekate sipas mendimit më të saktë të dijetarëve. Ato i fal të shkurta dhe me nuk vonohet në faljen e tyre. Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, tregon: “Ndërsa Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, po mbante hytben përpara njerëzve ditën e Xhuma, dikush hyri në xhami (dhe u ul). Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, (e pa atë dhe) i tha: “A u fale, o filan?” Ai u përgjigj: “Jo”. Ai , lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha: “Ngrihu dhe fal dy rekatë namaz.” Nëse ndonjëri prej jush hyn në xhami ditën e Xhuma, ndërkohë që imami mban hytben, le të falë dy rekate të shpejta”.
Kush hyn ditën e Xhuma dhe myezini ndërkohë është duke e thirrur ezanin, le të përshpejton me faljen e dy rekateve dhe mos ta pret myezinin deri sa të përfundon me thirrjen e ezanit. Kjo, për arsye që t’i fal para se të fillon imami me hytben dhe dihet se qetësia dhe heshtja janë detyrim gjatë mbajtjes së hytbes.
Nëse thërret ikameti ndalohet rreptësisht falja e namazeve vullnetare, duke iu bazuar hadithit të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ku thotë: “Nëse thërret ikameti, nuk ka namaz përveç se ato të detyruara”.
Nga gabimet e disa muslimanëve është hyrja në xhami për namazin e sabahut në veçanti, duke qenë imami në namaz dhe ata nuk i lidhen imamit me fal farzin po fillimisht e falin synetin e sabahut. Kjo padyshim se është vepër e palejuar dhe risi e keqe e cila nuk ka bazë. Vepruesi i saj e kundërshton urdhrin e Muhamedit, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.
Përcillet se erdhi një njeri dhe Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte duke e falur farzin e sabahut me xhemat. Hyri në xhami dhe filloi t’i fal dy rekate synet të sabahut dhe pastaj u lidh me xhemat për ta falur farzin e sabahut. Pasi që u kreu namazin Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha: “O filan, cila nga ato dy namaze është i yti, të cilën e fal vet apo e fal me ne?!!”.
Ibën Abdulber, Allahu e mëshiroftë, thotë: Kjo ka qenë një qortim dhe mohim nga ana e Pejgamberit, lavdia dhe paqja Allahut qofshin mbi të, për atë vepër. Nuk lejohet për asnjërin të fal diç nga namazet vullnetare në xhami kur të thirr ikameti për ta falur farzin.
Atij që i ik syneti i sabahut, pëlqehet t’i fal ato30 minuta pasi të lind dielli, duke u bazuar në hadithin e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ku thotë: “Kush nuk i ka falur dy rekate synet të sabahut, le t’i fal ato pasi të linde dielli”.
Nëse i fal ato pas farzit të sabahut pa lindur ende dielli, lejohet. Argument e kemi hadithin e Kajs ibën Amru, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, i cili thotë se Pejgamberi, lavdia dhe paqja Allahut qofshin mbi të, e pa një njeri i cili fali dy rekate pas namazit të sabahut dhe i tha: “Namazi (farzi) i sabahut është vetëm se dy rekate”. Njeriu i tha: O i Dërguar i Allahut, unë nuk munda t’i fali ato dy rekate që janë para saj, pra synetet, dhe për këtë arsye i fala tani. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, heshti dhe nuk foli asgjë.
O ju musliman, falësit e namazit në xhami janë të njëjtë. Kush vjen i pari dhe e zënë një vend, ai është më meritori për të. Nëse vjen tjetri dhe i thotë të ngrihet, kjo nuk lejohet dhe nuk është e drejta e tij. Pejgamberi, lavdia dhe paqja Allahut qofshin mbi të, thotë: “Mos ta ngrit njeriu tjetrin nga mexhlisi i tij, e pastaj të ulet aty”. Nuk lejohet askujt që të rezervon vend në xhami duke vendosur diçka në të si sixhade apo rroba apo shkop, etj, para se të prezanton në xhami, apo ta len si zëvendës tjetrin që ta bën këtë. Nëse vendos diçka lejohet të hiqet dhe të falet në atë vend. Nëse ndonjëri e zënë një vend në xhami e pastaj largohet për ta ripërtërirë abdesin apo diçka tjetër, nuk i merret e drejta që vendi t’i takon atij dhe kur të kthehet i lejohet ta ngrit tjetrin i cili është ulur në vendin e tij.
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se Pejgamberi, lavdia dhe paqja Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush ngrihet nga mexhlisi i tij e pastaj kthehet, ai është më meritori për atë vend”.
Pëlqehet që të merret në xhami sutre dhe të afrohet afër saj edhe nëse nuk ka frikë nga ajo se do të kalon ndokush gjatë faljes. Nëse ndonjëri dëshiron të kalon para falësit, duhet ta pengon kalimin e tij duke ia venduar dorën, e nëse refuzon atëherë duhet ta shtyn duke u ruajtur që mos të vjen çështja deri në fitne dhe probleme të mëdha. Pejgamberi, lavdia dhe paqja Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nëse falet ndokush le te falet tek sutreja dhe le te afrohet afër saj e le te mos e lejoje askë te kalojë para tij. Nëse vjen dikush dhe do te kalojë luftojeni ngase ai është djall”.
Ndalohet kalimi para atij që falet edhe nëse kalimtari nuk gjen rrugëdalje tjetër, përveç se nëse ka nevojë shumë të madhe të cilën nuk ka mundësi ta largon dhe duhet patjetër të kalon. Përcillet se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të ketë thënë: “Kalimtari sikur ta dinte se fare rreziku ka te dal para njeriut gjate faljes do te ishte me mire për të priste 40 se sa te kalonte para tij. Thotë transmetuesi: Nuk e di a tha 40 dite, muaj apo vjet“.
Nuk lejohet të falet mes shtyllave përveç se nëse ka shumë njerëz dhe nuk ka mundësi të falet në vend tjetër, atëherë nuk është problem.
O ju musliman, ai që synon xhamin duhet ta din se nuk lejohet t’i dëmton njerëzit në xhami duke ecur mbi shpinat dhe kokat e tyre me qëllim të daljes në safet e para, apo ngushtimit të tyre dhe mosdhënia e hapësirës për tu falur më i lirë duke pasur hapësirë të mjaftueshme, apo duke u lutur dhe lexuar Kuran me zë të lartë. Ebu Seid el Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte në itikaf në xhami dhe i dëgjoi disa zëra që lexonim me zë të lartë. E largoi perden dhe tha: “Ju të gjithë i luteni Zotit të juaj, mos e pengoni njëri-tjetrin, mos ia ngritni njëri-tjetrit zërin në lexim”. Apo tha: “Në namaz”.
Nga pengesat tjera që u bëhen xhematlive nëpër xhami dhe i dekoncentron në namaz janë zërat që dalin nga celularët ku në shumicën e rasteve janë muzikë. Çdo musliman duhet të jetë i kujdesshëm dhe ta din se muzika është haram dhe se xhamitë janë vende ku përmendet Allahu dhe lexohet Kuran dhe bëhet dua, e nuk është vend i gjynaheve dhe dëfrimeve.
O ju musliman, në xhami ndalohet shitblerja. Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nëse e shihni dikë qe shet apo blen ne xhami thoni: Mos te sillte Allahu fitim në tregtinë tënde. Nëse shihni dikë qe kërkon gjene e humbur ne xhami thoni: Allahu mos ta ktheftë atë!“.
Xhamia duhet të ruhet nga fjalët e fëlliqura dhe thashethemeve dhe nga zërat e lartë. Seid ibën Musejeb, Allahu e mëshiroftë, thotë: Kush ulet me një mexhlis, le ta din se e shoqëron Zoti i tij, për këtë arsye se nuk e meriton të flet përveç se mirë.
Gruas e cila është me menstruacione i ndalohet qëndrimi në xhami dhe i lejohet kalimi nëpër të për nevojë që të len diçka apo të merr diçka. Umu Atije, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, thotë se e kam dëgjuar Pejgamberin, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, duke thënë: “Gruaja me menstruacione mos t’i afrohet faltores”.
Poashtu atij që është xhunub i ndalohet të qëndron në xhami dhe i lejohet vetëm se të kalon nëpër të për nevojë që të merë apo len diçka. Allahu i Madhëruar thotë: “as kur jeni të papastër (xhynyb) – përveçse nëse jeni duke udhëtuar, derisa të laheni“. Nisa 43.
SHEJH DR. SALAH EL BUDEJR
Nga arabishtja: Irfan JAHIU