5.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

“Është qesharake” që Kosova të shtyhet për kufi

Më të lexuarat

Eksperti për Ballkanin, Daniel Serwer, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova nuk duhet të shtyhet me Malin e Zi për çështjen e kufirit, pasi Mali i Zi shpejt do të bëhet anëtar i NATO-s dhe do të ketë fuqinë e vetos për pranimin e Kosovës.

Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins, flet edhe për dialogun Kosovë-Serbi, për Gjykatën Speciale dhe për ndikimin e Rusisë në Ballkan.

Radio Evropa e Lirë: Kosova dhe Serbia kanë hyrë në një të ashtuquajtur periudhë të ngrirë të normalizimit të marrëdhënieve. Negociatat në nivelin teknik po ashtu po hasin në vështirësi. A mendoni se duhet ndryshuar diçka?

Danier Serwer: Ju e dini, Kosova është shtet sovran, Serbia është shtet sovran. Në rrethana normale, shtetet sovrane vendosin vetë se si duan të ndërveprojnë në baza bilaterale. Sikur amerikanët, edhe evropianët duhet të tërhiqen heshturazi nga ky proces. Do të ketë gjithmonë momente kur ndihma evropiane dhe amerikane është e nevojshme, por marrëdhëniet midis shteteve normale sovrane kërkojnë dialog pothuajse të vazhdueshëm për çështjet që i prekin ato. Nuk duhet të ketë diçka që do të paraqiste shqetësim për Uashingtonin në baza ditore.

Radio Evropa e Lirë: Dialogu, i cili po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, nuk i ka përmbushur kërkesat e qytetarëve kosovarë – këtu mendoj sidomos për liberalizimin e vizave me BE-në. A mendoni se edhe BE-ja duhet të ndryshojë qëndrimin e saj?

Daniel Serwer: Koha kur Kosova ka kërkuar heqjen e vizave nuk ka qenë shumë e mirë, sepse ka ndodhur në mes të krizës me migrantët nga Lindja e Mesme. Po ashtu ka ndodhur kur shumë njerëz nga Ballkani kanë shkuar në mënyrë të paligjshme në Bashkimin Evropian. Mendoj se Kosova duhet të dëshmojë se mund të veprojë në përputhje me kërkesat për heqjen e vizave dhe të mos dërgojë njerëz në mënyrë të paligjshme në Evropë. Amerikanët do t’i kishin shqetësimet e njëjta, nëse Kosova do të kërkonte heqjen e vizave me SHBA-në – çfarë shpresoj se do të ndodhë një ditë.

Radio Evropa e Lirë: Situata në Kosovë dhe qasja e Serbisë ndaj saj varen në masë të madhe se si Rusia luan me letra. Cili mendoni se është qëllimi përfundimtar i Kremlinit në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi?

Daniel Serwer: Mendoj se Kremlini po përpiqet t’i bëjë lëmsh gjërat në Ballkan sa më shumë që mundet – në radhë të parë për të parandaluar anëtarësimet në NATO dhe në radhë të dytë anëtarësimet në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi në BE nuk është një çështje e menjëhershme, por anëtarësimi në NATO është. Rusët kanë shpenzuar shuma të mëdha parash në Mal të Zi, në përpjekje për ta bllokuar atë, por kanë dështuar. Është e qartë se do të dështojnë edhe në Kosovë. Nuk kam dyshim. Sapo Kosova t’i bëjë forcat e saj të sigurisë në përputhje me NATO-n, pres që ajo t’i përmbushë edhe kriteret e tjera që kërkon anëtarësimi. Mendoj se 95 për qind e qytetarëve të Kosovës e duan anëtarësimin në NATO. Ndryshe është në Serbi, natyrisht. Por, sapo të bëhet Mali i Zi anëtar i NATO-s, e shpresoj që edhe Maqedonia, edhe Kosova, nuk do të kishte kuptim për Serbinë që të mos bëhet anëtare. Rusia ka frikë se po e humb betejën në Ballkan.

Radio Evropa e Lirë: Në Kosovë, që një vit, tensionet midis partive në pushtet dhe opozitës janë të larta. Opozita kundërshton fuqishëm demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Tash për tash, ky proces duket në qorrsokak. Si e shihni ju?

Daniel Serwer: Nuk shoh asnjë rëndësi në mosmarrëveshjen me Malin e Zi. Nuk besoj se njerëzit seriozë në opozitë shohin ndonjë problem serioz në kontestin kufitar me Malin e Zi. E gjithë kjo ka të bëjë me politikën e brendshme të Kosovës, jo me Malin e Zi. Sipas mendimit tim, politikanët e zgjuar do ta pranonin këtë kufi. Është çmenduri të ketë shqetësime për të. Është edhe më çmenduri të mendohet se dikush në Uashington do të shqetësohet për të. Shtetet sovrane i zgjidhin çështjet me shtetet fqinje sovrane. Kosova e ka bërë këtë me Maqedoninë dhe i ka përmirësuar shumë marrëdhëniet me Maqedoninë. Pres që e njëjta gjë të ndodhë me Malin e Zi. Mali i Zi do të bëhet anëtar i NATO-s dhe është qesharake për Kosovën, që po ashtu synon NATO-n, të shtyhet me një anëtar të NATO-s për kufirin. Mali i Zi, me t’u bërë anëtar i NATO-s, do të ketë fuqinë e vetos për pranimin e Kosovës. Nuk kanë kuptim grindjet për këtë çështje. Çështja e kufirit vetëm po shfrytëzohet politikisht.

Radio Evropa e Lirë: Përveç demarkacionit, Kosova po ashtu përballet me sfidën e Gjykatës Speciale për Krime Lufte, e cila pritet të nisë punën së shpejti. Ka pasur shumë spekulime që nga lajmi për themelimin e saj… Aktakuzat pritet t’i rrisin tensionet, pavarësisht se për kë bëhet fjalë. A mund t’i dëmtojnë aktakuzat të arriturat politike në Kosovë?

Daniel Serwer: Natyrisht se do të shkaktojë disa tensione të menjëhershme politike në Kosovë, por asnjë qytetar nuk duhet të kundërshtojë mbajtjen përgjegjës të njerëzve të dyshuar për krime lufte ose krime kundër njerëzimit nga një gjykatë e drejtë. Do të shohim se cilat do të jenë aktakuzat. Nuk e di se si mund të jenë.

Por, qëndrimi im ndaj tyre është njësoj si për veten time. Nëse dikush më akuzon mua, unë duhet të shkoj dhe të mbroj veten në gjykatë. Kështu pres edhe nga njerëzit tjerë. Disa njerëz të shquar në Kosovë e kanë bërë një gjë të tillë në të kaluarën dhe ata meritojnë të vlerësohen për këtë. Por, është e qartë se kjo gjykatë ka qëllim të zgjidhë disa probleme me mbrojtjen e dëshmitarëve në veçanti, por edhe me kufizimet në juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, e cila nuk i mbulon ngjarjet pas luftës. I akuzuari do të duhet të shkojë të mbrojë veten dhe dikush mund të jetë i suksesshëm. /REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit