5.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Është feja opium për popullin?

Më të lexuarat

Teza e famshme e Karl Marksit feja është opium për popullin njihet në të gjithë botën, dhe kudo ajo sponsorizohet nga marksistët, por here-herë edhe nga vetë besimtarët. Feudalizmi në Europë dhe më specifikisht në Rusi kishte shtrirë pushtetin e tij kudo dhe ushtronte dhunë dhe represion. Mijëra vetë ndërronin jetë çdo vit prej urisë, dhe miliona të tjerë prej tuberkulozit dhe sëmundjeve të tjera, po aq ndërronin jetë prej acarit, ndërsa feudalët talleshin me djersën e punëtorëve dhe jetonin në luks të paimagjinuar.

Në këto kushte sa herë që punëtorët ngrinin krye ndaj padrejtësisë dhe shtypjes, fetarët nxitonin t’ju kujtonin citatet e shenjta “Kush të godet në faqen e djathtë ktheji faqen tjetër”, ndërsa ne muslimanët kujtojmë hadithin profetik “Mos ngri krye ndaj të parit edhe nëse të godet shpinën dhe të konfiskon pasurinë!”. Këto doza të mbushura me citate të shenjta përdoren si drogë për shoqërinë, që ajo të mos e djejë dhimbjen. Njerëzit e mpirë dhe të droguar nuk mund të revoltohen për hallet e tyre dhe nuk përballen me zullumqarët.
Shpesh herë përdoren edhe begatitë e Botës Tjetër, të cilat u janë premtuar durimtarëve dhe atyre që kënaqen me fatin e tyre si justifikim. Kur propaganda me begatitë e Botës Tjetër nuk pi ujë ajo zëvëndësohet me kërcënime të tilla; ai që kundërshton ka dalë kundra Zotit dhe Kishës, në vende ku feja e krishterë luan rol, dhe është bidatçi dhe ka kundërshtuar urdhërin e Zotit në vendet ku luan rol Feja Islame.

Por kur as propaganda as kërcenimet nuk pinin më ujë atëherë aplikohen dënime dhe tortura të ndryshme në emër të fesë dhe edukimit të bidatçive a kundërshtarëve të kishës dhe Zotit.
Kjo sjellja ka bërë që feja të shndërrohet në armik për shoqërinë në vende dhe kohë të ndryshme përgjatë historisë, sidomos në Europë gjatë periudhës së mesjetës.

Të njëjtën taktikë kanë përdorur pushtetarët zullumqarë në vendet islame, ju premtonin durimtarëve Xhenetin, që të pranonin gjendjen fatkeqe në të cilën ndodheshin, ndërsa zullumqarët vazhdonin të shijonin jetën plot luks të qetë dhe të sigurtë.
Kujto këtu rastin e Egjiptit dhe mbretin Faruk, disa nga hoxhallarët e Ez’herit përdoreshin për të amortizuar pakënaqësitë e shoqërisë. Ata i puthnin dorën, e quanin mbret i drejtë dhe luteshin për të. Interpretonin sipas dëshirës ajetet kuranore, dhe ndryshonin parimet universale të Islamit në favor të pushtetit në mënyrë që ta siguronin atë. Në të njëjtën kohë e kërcënonin me argumente fetare popullin e pakënaqur, duke i konsideruar ata që rebeloheshin si persona që nuk respektojnë urdhërat e Zotit mes të cilave bindja ndaj pushtetarit.

Madje përdornin edhe argumente kuranore për të përligjur ligësitë e tyre, demek vetë Islami e konfirmon një zullum të tillë: “Mos i lakmoni ato gjëra, me anë të të cilave Allahu i ka bërë disa nga ju të dallohen mbi të tjerët” Nisa 32 dhe “Mos e hidh shikimin në të mirat kalimtare, që Ne ua kemi dhënë disave prej tyre, si stoli të jetës së kësaj bote, për t’i vënë ata në provë! Shpërblimi i Zotit tënd është më i mirë dhe më i qëndrueshëm.” Taha:131

Në fakt, fetarët që i shërbejnë pushtetit nuk bëjnë asgjë më shumë se gazetarët, analistët, poetët dhe shkrimtarët, të cilët e kanë shitur dinjitetin e tyre dhe janë përulur para pushtetit në këmbim të mirave materiale, të cilat përveç se janë të përkohshme, janë edhe haram.

Por zullumi i fetarëve është edhe më i madh se zullumi i gazetarëve dhe analistëve të paguar, sepse në duart e tyre gjendet libri i Zotit, ata i lexojnë ajetet e Tij por i deformojnë ato, pra bëjnë tregëti me librin e Zotit, por ajo që shtijnë në barqet e tyre është veç zjarr.
Fatkeqësia e shoqërisë sonë është injoranca, mosnjohja e filozofisë së fesë, sepse veç kjo do të mjaftonte si arsye për të zbrapsur çdo dyshim të hedhur mbi fenë si opium për shoqëritë.

Në përgjithësi lëvizjet çlirimtare kanë qenë fetare, në këtë kuptim feja s’mund të jetë opium për popullin?! Lëvizja për çlirimin e Egjiptit nga okupatori francez ka qenë lëvizje e udhëhequr nga hoxhallarët. Po ashtu lëvzija çlirimtare në Sudan kundra Anglisë, lëvizja kundra pushtimit Italian në Libi, dhe kundra Francës në Marok, po ashtu lëvizja indoneziane kundra okupatorit hollandez.
Të gjitha këto lëvizje janë dëshmi e qartë se feja është fuqi çliruese jo ilaç që qetëson dhimbjet për të përballuar zullumin dhe poshtërimin.

Nuk mund të jetë opium për popullin një Islam që kërcënon se do të përfundojnë si mos më keq ata që qëndrojnë duarkryq përballë zullumit dhe nuk e luftojnë atë?!
Ja si thotë Zoti në Kuran “Kur engjëjt ua marrin shpirtrat atyre që e kanë ngarkuar veten me faje, u thonë: “Ku ishit?” Ata përgjigjen: “Ishim të pafuqishëm në Tokë”. (Engjëjt) do t’u thonë: “A nuk qe Toka e Allahut e gjerë që të mërgonit në të?” Këta janë ata (njerëz), vendbanimi i të cilëve është Xhehenemi; eh, sa i keq është ai vendbanim! Me përjashtim të meshkujve të pafuqishëm, grave dhe fëmijëve, të cilët nuk kanë as fuqinë e as mundësinë të drejtohen në rrugë, mbase Allahu i fal, se Allahu, me të vërtetë, është Shlyes dhe Falës i gjynaheve.” Surja el-Nisa:97-99.
Pra është krim që nuk pranon justifik, është krim që njeriu të kënaqet me zullumin dhe pastaj justifikohet se është i pafuqishëm në tokë.
Allahu i quan në Kuran zullumqarët e vetes, kur ata pranojnë për veten e tyre tjetër status përveç dinjitetit.
Urdhëri për hixhret është një zgjidhje specifike, dhe në fakt hixhreti është veç një nga format e përballjes së zullumit.
Zoti e përçmon një person që kënaqet me padrejtësitë deri në atë masë sa edhe e ndëshkon në xhehenem. Nga ky status përjashtohen veç meshkujt e pafuqishëm, gratë dhe fëmijët, ndërsa të tjerët janë të ftuar të luftojnë kundra padrejtësisë.

Qëndrimi duarkryq përballë zullumit prodhon veç zullum, dhe Islami nuk mund të nxisë për padrejtësi, nuk mund të nxisë njerëzit të jenë të kënaqur me fatin e tyre dhe të heshtin me shpresën se kështu do të kënaqin Zotin, ndërsa Zoti thotë në Kuran: “Ata izraelitë që ishin mohues, u mallkuan me gjuhën e Dautit dhe të Isait, të birit të Merjemes, për shkak se kundërshtonin, shkelnin çdo kufi. dhe nuk e ndalonin njëri-tjetrin të bënin vepra të këqija. Eh, sa të shëmtuara ishin veprat që bënin ata!” Maide 78-79.
Ndërsa i dërguari i Zotit thotë: “Kush shikon një të keqe le ta ndryshojë!” dhe “Përpjekja ma e madhe është të thuash të vërtetën në sy të pushtetarit tiran.”

Në qoftë se në botë ekziston një fe që vlen si opium për popullin me siguri që ajo nuk është Islami, sepse Islami i lufton të gjitha format e padrejtësisë, ndërsa zullumqarët i kërcënon me pijen e hidhur të kupës së dënimit.

Hoxhë Dorian Dalliu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit