4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Escobar: Qeveria e Kosovës nuk po e trajton SHBA-në si partnere

Më të lexuarat

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Qeveria e Kosovës, me mospërmbushjen e kërkesës amerikane për çështjen e dinarit serb, nuk po e trajton Uashingtonin si partner.

“Nuk dua të flas se cilat janë të gjitha pasojat, por mendoj se deklaratat tona publike kanë treguar qartë se ku po shkojnë raportet tona diplomatike dhe politike. Ne jemi shumë të shqetësuar sepse Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner, ata nuk punojnë me ne për stabilitetin rajonal dhe minojnë dialogun, proces për të cilin SHBA-ja është e përkushtuar plotësisht. Mendoj se ambasadori [amerikan në Kosovë, Jeffrey] Hovenier e ka thënë më së miri: kjo ndërlikon kapacitetin tonë për të ndihmuar Kosovën që të integrohet në komunitetin transatlantik”, tha Escobar në një intervistë dhënë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe.

Në Kosovë ka hyrë në fuqi që nga 1 shkurti një rregullore e re e Bankës Qendrore të Kosovës e cila parasheh që vetëm euroja të jetë valuta për kryerjen e pagesave me para të gatshme.

SHBA-ja ka kërkuar shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi, duke argumentuar se ai është miratuar pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative te komuniteti serb në Kosovë, që përdor valutën kombëtare të Serbisë.

Escobar tha se mospërfillja e kërkesave amerikane vështirëson punën e SHBA-së që ta ndihmojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare përfshirë Këshillin e Evropës, NATO dhe Bashkim Evropian.

“Sa herë që ne flasim për Kosovën me partnerët e tjerë, veçmas me ata që nuk e njohin atë, ata e shohin se Kosova nuk përmbush obligimet e saj të dialogut që është nën ombrellën e BE-së, që përfaqëson të gjithë BE-në. Prandaj, na bëhet e vështirë që të mbrojmë në çfarëdo mënyre argumentet e Kosovës, përfshirë anëtarësimin në BE dhe NATO, në Këshillin e Evropës dhe në shumë organizata të tjera”, tha Escobar.

Sipas zyrtarit të lartë amerikan, Kosova duhet të zbatojë marrëveshjen e arritur në dialogun e Brukselit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai tha se përmes këtij asociacioni, do të mund të zgjidhej edhe çështja e përdorimit të dinarit serb.

Escobar tha se një zgjidhje për dinarin përmes Asociacionit, do të duhej të bëhej përmes një procesi transparent dhe në përputhje me ligjet e Kosovës.

Më herët gjatë këtij muaji, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka deklaruar se SHBA-ja mund të mos e trajtojë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të.

Pas kësaj deklarate të zyrtarit të lartë amerikan, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk po rrezikohet partneriteti me SHBA-në.

Por, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka thënë se vendimi i ndalimit të dinarit, veçse ka ndikuar në cilësinë e raporteve mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi më herët gjatë të premtes se se çështja e ndalimit të dinarit serb në Kosovë mund të zgjidhet brenda vendit dhe se ajo nuk është dashur të shkaktonte përplasje mes Prishtinës dhe aleatëve të saj.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

BQK-ja ka thënë se rregullorja do të zbatohet përmes një tranzicioni të lehtësuar, që do të zgjasë jo më shumë se tre muaj. Ndërkaq, nga ekzekutivi kosovar kanë thënë se së shpejti do të dalin me një listë prej dhjetë masash lidhur me mënyrat se si qytetarët të mos dëmtohen gjatë fazës kalimtare të zbatimit të vendimi.
/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit