-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Eruditët e familjes El-Uskubi (Shkupi/Shkupjani) në Medine të Arabisë Saudite

Më të lexuarat

ERUDITËT E FAMILJËS EL-USKUBI (SHKUPI/SHKUPJANI) NË MEDINE TË ARABISË SAUDITE

Jam i lumtur të ndaj me ju një gjetje të këndshme që ndoshta do t’ju gëzon!

Prej familjeve më të shquara medinase – që, gjysh e stërgjysh i kanë dhënë Medinës personalitete të shquara, është edhe familja shqiptare EL-USKUBI – SHKUPI/SHKUPJANI.

Se kjo familje ishte shqiptare, e thonë vetë studiuesit arabë që kanë shkruar për ta; kështu thotë ➢ Enes Jeakub El-Kutubij (vigani i gjenealogjisë së familjeve të qytetit profetik), që kur flet për Hasen El-Uskubin ai nënvizon se: “Ai ishte me origjinë arnaute!”; të njëjtën e pohon edhe eruditi ➢ Hajrudin Ez-Zirikli (1893-1976) [2], që për Ibrahim El-Uskubin thotë: “Ai ishte me origjinë shqiptare (elbāniju’l-aṣli), i atribuohet Shkupit – një vend në Jugosllavi; gjyshi i tij Husejni u shpërngul nga aty për në Medine!” Kurse ➢ Zeki Muhamed Muxhahid (1904-1980) [3], thotë për të se: “Gjyshërit e tij ishin shpërnguluar nga Shqipëria për në Medine Munevere; E SHKUPI ËSHTË NJË VEND NË SHQIPËRI 🇦🇱”.

Për kë po flasim?!

❒ IBRAHIM IBN HASEN EL-USKUBI (SHKUPI) (1848-1913) –

i njohur ndryshe si “Poeti i Jethribit (Medinës)”. Lindi në Medine, aty e fitoi lavdinë – si poeti më i dalluar i shekullit të nëntëmbëdhjetë në Medine, Hixhaz e në krejt Gadishullin arabik, dhe aty vdiq. Ai është autor i disa veprave dhe i një divani [4] me poezi. Nga babai i tij e kishte trashëguar postin e hatibit dhe imamit [5] në xhaminë e Profetit (sal-lallahu alejhi ue selem!); ai, pasi i kishte mbushur tw tridhjetat, ai iu rrekedhe mësimdhënies po në atë xhami – ku jepte mësime rreth fikhut, hadithit, tefsirit, logjikës dhe letërsisë. Krahas arabishtës, e njihte shumë mirë edhe turqishtën, persishtën dhe urdishtën. Ai ishte pjesë e zërave të kohës që e kritikonin Portën e Lartë, ku për shkak të poezisë së tij “O osmanë!” – të shkruar gjatë qëndrimit të tij në Turqi, ai edhe u burgos, po edhe në sajë të saj arriti famë të madhe. Ai ishte i biri i:

❑ HASEN IBN HUSEJN IBN REXHEB EL-ESKUBI (SHKUPI) (1821-1886) –

i cili ishte imam, hatib dhe mësimdhënës në xhaminë e Profetit (sal-lallahu alejhi ue selem!). Shejh Haseni ka lindur në qytetin e Shkupit, nga ku – në moshën shtatë vjeçare, bashkë me babain e tij shpërngulet në qytetin e Medinës. Ai diturinë e kishte marrë në xhaminë profetike dhe te babai i tij Husejn El-Uskubi – një intelektual i thelluar në shkencat e matematikës, inxhinierisë dhe astronomisë.

Besoj se është e udhës që katedrat tona të orientalistikës – në Prishtinë, e Tetovë, t’i qasen kësaj familje dhe trashëgimisë së tyre letrare, kulturore e fetare, për ta ndriçuar e përkthyer atë, si dhe për ta prezantuar denjësisht përpara shoqërisë shqiptare, që një ditë këto personalitete të bëhen pjesë e librave tona shkollore, që, krahas poetëve arbëreshë, bejtexhinjë, e të tjerë, fëmijët tanë të mësojnë edhe për këta poetë e intelektualë të çmuar shqiptarë.

Mirsim Maliqi

P.S.
– – –
[1] Në librin e tij rreth eruditëve medinasë “E’alāmun min erḍi’n-nubuve”, v. 2, f. 189.
[2] Në librin e tij “El-e’alām”, v. 1, f. 35; e, për Hasenin El-Uskubin thotë: “arnaut”, po aty, v. 2, f. 186.
[3] Në librin e tij “El-‘alāmu’sh-sherḳijje”, v. 2. f. 226.
[4] “Divani” – PDF: http://waqfeya.com/book.php?…
[5] Makkah newspaper, Muhamed Ed-Debisi, 24.4.2014.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit