“Akoma jam duke vuajtur traumën nga një goditje jo e vogël dhe, më falni për emocionin, por është paraqitja ime e parë publike pas asaj ngjarjeje”, ka thënë deputetja shqiptare e Maqedonisë dhe është shkrehur në vaj në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë.
Konferenca rajonale e grave parlamentare ishte zgjedhur nga Ermira Mehmeti për daljen e parë publike, pas publikimit të një bisede që pretendohej se ishte mes saj dhe Musa Xhaferrit.
Qetësinë që la ngashërima e Ermira Mehmetin, e mbushi duartrokitja e grave në sallë.
Me lot ndër sy dhe në ngashërim Mehmeti vazhdoi të flasë: Ajo që mbetet të them është si fitohet një betejë e tillë? Nëse mund të fitohet… nuk mund ta them”, ka mundur të thotë Ermira Mehmeti duke theksuar se biseda e publikuar e saj ishte një montazh, pasojë e një përplasjeje të fortë politike në Maqedoni.