Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u ka telefonuar liderëve të Katarit, Rusisë, Kuvajtit dhe Arabisë Saudite, për t’i ulur tensionet, pasi që fuqitë arabe i ndërprenë marrëdhëniet me Katarin duke e akuzuar atë se po i përkrah militantët islamikë, njofton Presidenca e Turqisë.
“Rëndësia e paqes dhe stabilitetit rajonal është theksuar gjatë bisedimeve. Po ashtu, është theksuar edhe rëndësia e fokusimit në rrugën e diplomacisë dhe dialogut për t’i ulur tensionet aktuale,” ka thënë Presidenca turke.
Dje, Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni i prishen marrëdhëniet me Katarin, duke e krijuar mosmarrëveshjen më serioze në vitet e fundit mes disa prej shteteve më të fuqishme të botës arabe.
Turqia ka marrëdhënie të mira me Katarin si dhe me disa nga fqinjët e saj të Gjirit Arab. Zv/kryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmus, ka thënë para gazetarëve dje pas një mbledhjeje të kabinetit se Ankaraja dëshiron të ndihmojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjes.
Pas bisedës mes Putinit dhe Erdoganit, Kremlini ka thënë se të dy liderët kanë bërë thirrje për dialog dhe kompromis.
Erdogan do të vazhdojë kontaktet rreth kësaj çështje.