4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Erdogan u përgjigjet kritikave të SHBA-së: Në Turqi s’ka manipulime si në zgjedhjet amerikane

Më të lexuarat

“Tek ne s’ka manipulime si në zgjedhjet amerikane”, deklaroi Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, duke theksuar se nuk u kushtojnë aspak rëndësi prononcimeve të SHBA-së në lidhje me zgjedhjet e parakoshme…

 

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të shtunën vonë se kërcënimi ndaj vendi të tij vjen së pari nga partnerët strategjikë.

Duke folur për kërcënimet dhe rreziqet me të cilat Turqia po ballafaqohet, gjatë transmetimit direkt të një kanali televiziv privat turk, Erdogan theksoi se i gjithë Perëndimi është përfshirë në një projeksion kërcënimi.

Ai tërhoqi vëmendjen se vendet perëndimore janë duke e përdorur organizatën terroriste DAESH si justifikim për të mbështetur organizatën separatiste terroriste PKK/PYD-YPG, të cilën e përdorin gjithashtu si mashë kundër Turqisë.

“Kundër kujt janë rreth 20 baza të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Sirinë Veriore? SHBA-ja mund t’u japë organizatave terroriste armë dhe municione. Ajo dërgoi 5.000 mauna dhe 2.000 avionë kargo me armë në zonat veriore të Sirisë. Pavarësisht se me SHBA-në jemi aleatë në NATO, ne s’mund të blejmë me paratë tona armë nga SHBA-ja, por këtyre organizatave terroriste, mjerisht, SHBA-ja dhe forcat e koalicionit mund t’ua japin falas këto armë e municione. Pra, nga vjen kërcënimi? Ai vjen së pari nga partnerët strategjikë. Ka vende në Siri nga ku marrim kërcënime serioze”, u shpreh Erdogan.

Kreu i shtetit turk vuri në pah se ish-presidentit amerikan, Barack Obama, i kanë propozuar që të luftojnë së bashku kundër terrorizmit, por SHBA-ja ka ndjekur një taktikë zvarritëse të vazhdueshme, prandaj Turqia u detyrua më në fund që ta bëjë vetë luftën kundër terrorizmit duke neutralizuar 16.650 terroristë gjatë operacioneve brenda dhe jashtë vendit në 3 vitet e fundit.

Erdogan bëri me dije gjithashtu se ushtria turke ka spastruar Afrinin dhe disa zona veriore të Sirisë nga terroristët duke shtuar se puna e tyre në atë distrikt sirian nuk ka përfunduar ende, pasi dëshira e Turqisë është që banorët e Afrinit të kthehen plotësisht e të vendosen në tokat dhe shtëpitë e tyre.

“Ne duam që t’u falim gëzim dhe lumturi po ashtu banorëve të Afrinit, njëlloj siç vepruam me banorët e Xharabulusit e rrethinave të tij, të cilët po vendosen në qytetin e tyre dhe po jetojnë të lumtur. Refugjatët në kampet tona kanë filluar të kthehen. Tek ne ka rreth 3,5 milionë sirianë. Mes tyre ka jo vetëm banorë të zonës së ekzekutimit të operacionit ‘Mburoja e Eufratit’, por edhe banorë të Afrinit, Idlibit dhe Halepit”, u sqaroi ai.

Presidenti Erdogan nënvizoi po ashtu se takimet e Gjenevës për zgjidhjen e konfliktit sirian nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat, prandaj Turqia, Rusia dhe Irani do të vazhdojnë së bashku përpjekjet duke u fokusuar në zgjidhjen e krizës.

Në vijim, kreu i shtetit turk u ndal mbi kritikat rreth mbajtjes së zgjedhjeve nën regjimin e gjendjes së jashtëzakonshme duke garantuar se gjatë procesit zgjedhor nuk do të ketë asnjë problem.

Erdogan sqaroi se të gjitha forcat politike do të bëjnë një fushatë zgjedhore më të shëndetshme dhe më të lehtë falë gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa vuri në pah se deklaratave të SHBA-së në lidhje me këtë çështje nuk u kushtojnë aspak rëndësi.

“Tek ne s’ka manipulime si në zgjedhjet amerikane”, shtoi ai.

Erdogan njoftoi gjithashtu se në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 24 qershorit, ai do të mbajë një fjalim drejtuar qytetarëve turq në shtet, emrin e të cilit s’mund ta zbulojë tani për tani.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit