3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Erdoğan: Türkiye nuk do t’i miratojë përpjekjet për të bashkëpunuar me Izraelin brenda NATO-s

Më të lexuarat

“Nuk është e mundur që administrata izraelite, e cila ka shkelur vlerat themelore të aleancës sonë, të vazhdojë marrëdhëniet e saj të partneritetit me NATO-n”, tha presidenti Erdoğan në Washington D.C. pas samitit të liderëve të NATO-s

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se përpjekjet për të bashkëpunuar me Izraelin brenda NATO-s janë “të papranueshme”, raporton Anadolu.

“Nuk është e mundur që administrata izraelite, e cila ka shkelur vlerat themelore të aleancës sonë, të vazhdojë marrëdhëniet e saj të partneritetit me NATO-n”, tha presidenti Erdoğan në një konferencë për media në Washington D.C. pas samitit të liderëve të NATO-s.

Aleanca e mbrojtjes ka 32 vende anëtare, por gjithashtu mban marrëdhënie me shumë vende jo-anëtare dhe organizata ndërkombëtare të quajtura partnerë të NATO-s.

Liderët e NATO-s u mblodhën për një samit tre-ditor në Washington D.C. për të shënuar 75-vjetorin e aleancës ushtarake, që përfundoi mbrëmë.

Në konferencën për media, presidenti Erdoğan tha se gjatë bisedimeve të tij në margjinat e samitit, ai theksoi “mizoritë” e vazhdueshme izraelite në territoret e pushtuara palestineze, veçanërisht në Gaza.

Ai tha se administrata e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, me “politikat e saj ekspansioniste dhe të pamatur”, rrezikon sigurinë jo vetëm të qytetarëve të tij, por edhe të të gjithë rajonit.

“Derisa të vendoset një paqe gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme në Palestinë, përpjekjet për bashkëpunim me Izraelin brenda NATO-s nuk do të miratohen nga Türkiye. Është e rëndësishme që anëtarët përgjegjës të bashkësisë ndërkombëtare të bashkojnë duart për një zgjidhje me dy shtete midis Izraelit dhe Palestinës bazuar në kufijtë e vitit 1967”, theksoi Erdoğan.

Ai tha se gjithashtu, pavarësisht nga të gjitha përpjekjet e presionit dhe frikësimit, “jemi shumë të kënaqur që numri i vendeve që njohin Palestinën po rritet”. Ai më tej kërkoi nga vendet e tjera gjithashtu të paraqesin një ankesë kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Siç theksoi presidenti turk, vendi i tij është i gatshëm të marrë çdo iniciativë, duke përfshirë edhe garancinë, fillimisht për shpalljen e armëpushimit dhe më pas për vendosjen e paqes së përhershme në Gaza.

“Unë u bëj thirrje të gjithë aleatëve tanë që të rrisin presionin e tyre ndaj administratës së Netanyahu-t për të siguruar një armëpushim dhe shpërndarjen e pandërprerë të ndihmave humanitare për popullin e Gazës, i cili që nëntë muaj po vuan nga uria”, shtoi Erdogan.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor. Përveç vrasjes së të paktën 38 mijë palestinezëve që atëherë, fushata ushtarake izraelite ka kthyer në gërmadha pjesën më të madhe të enklavës prej 2,3 milionë banorësh, duke lënë shumicën e civilëve të pastrehë dhe në rrezik nga uria.

Izraeli akuzohet gjithashtu për kryerjen e gjenocidit në enklavën e rrethuar palestineze dhe kjo çështje po vazhdon në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

– “Marrëveshjet e shtrembëruara” të aleatëve të NATO-s me organizatat terroriste

Duke iu referuar luftës kundër terrorizmit, presidenti Erdoğan tha se ekziston nevoja për të forcuar bashkëpunimin midis aleatëve të NATO-s në luftën kundër terrorizmit.

“Nuk është e mundur që ne të pranojmë marrëdhënien e shtrembëruar që disa nga aleatët tanë kanë krijuar veçanërisht me PKK/YPG-në, shtrirjen e organizatës terroriste PKK në Siri”, tha ai.

Erdoğan tha se Ankaraja pret solidaritet nga aleatët në luftën kundër terrorizmit, një nga dy kërcënimet kryesore të identifikuara nga NATO-ja, duke shtuar se “ligji i aleancës gjithashtu e kërkon këtë”. Ai u bëri thirrje aleatëve që të braktisin këto “politika të gabuara” që dëmtojnë unitetin dhe integritetin e NATO-s.

Türkiye prej kohësh është ankuar për bashkëpunimin e SHBA-së me PKK-në dhe degët e saj me pretekstin e luftimit të grupit terrorist DEASH. Zyrtarët turq thonë se përdorimi i një grupi terrorist për të luftuar një tjetër nuk ka kuptim.

Ankaraja ka nisur tre operacionesh të suksesshme anti-terroriste që nga viti 2016 përtej kufirit të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe për të mundësuar vendosjen paqësore të banorëve, respektivisht operacionet Mburoja e Eufratit (2016), Dega e Ullirit (2018) dhe Burimi i Paqes ( 2019).

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG/PYD-ja është dega siriane e PKK-së.

Ndërkohë, presidenti Erdoğan tha se ka udhëzuar ministrin turk të Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, që të takohet me presidentin sirian, Bashar al-Assad, për të filluar rivendosjen e marrëdhënieve me Sirinë. Ai u kujtoi gazetarëve se i bëri një ftesë Assad-it që ose të vinte në Türkiye ose të zhvillonte një takim në një vend të tretë.

– Lufta Rusi-Ukrainë

Më tej, presidenti Erdoğan tha se Türkiye ka vazhduar intensivisht përpjekjet e saj që nga dita e parë për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë.

“Është dëshira jonë e sinqertë që të rifillojmë kontaktet që filluam me procesin e Istanbulit dhe e kurorëzuam me Iniciativën e Detit të Zi dhe t’i japim një mundësi diplomacisë”, shtoi ai.

Duke përsëritur mbështetjen e plotë të Türkiyes për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, Erdoğan tha, “Unë ndava sinqerisht këtu pikëpamjet e mia në lidhje me faktin se NATO nuk duhet të lejohet kurrë të bëhet palë në luftën në Ukrainë”.

Ai theksoi se Ankaraja do të vazhdojë të mbajë me vendosmëri qëndrim “të ekuilibruar, gjakftohtë dhe të drejtë” që tregoi që nga dita e parë e konfliktit midis dy fqinjëve.

Erdoğan njoftoi se në margjinat e samitit pati bisedime të shkurtra me liderët e Suedisë, Finlandës, Sllovenisë, Sllovakisë, Spanjës, Polonisë, Rumanisë, Estonisë, Islandës dhe Holandës.

Lidhur me bisedimet e tij me presidentin e SHBA-së, Joe Biden, Erdoğan tha se ai diskutoi çështjen e prokurimit të avionëve luftarakë F-16 me homologun e tij amerikan.

“Unë fola me zotin Biden. ‘Unë do ta zgjidh këtë problem brenda 3-4 javësh’, tha ai”, shtoi Erdoğan.

Kontratat u nënshkruan midis Ankarasë dhe Washingtonit muajin e kaluar për prokurimin e avionëve F-16 nga SHBA-ja dhe puna për detajet ka vazhduar midis delegacioneve përkatëse.

Më 27 janar, Departamenti Amerikan i Shtetit miratoi shitjen e pezulluar prej 23 miliardë dollarësh të avionëve F-16 dhe pajisjeve të modernizimit në Türkiye, pasi Ankaraja dha dritën jeshile për anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Në tetor të vitit 2021, Türkiye kërkoi nga SHBA-ja 40 avionë të rinj ‘F-16 Bllok 70’, si dhe 79 pajisje modernizimi për të përmirësuar avionët F-16 të mbetur në nivelin Bllok 70.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi ofertën e Türkiyes për t’u bërë anëtare e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), Erdoğan tha, “Qëllimi ynë është të bëhemi një anëtar i përhershëm atje, jo një anëtar vëzhgues. Türkiye tani duhet t’i bashkohet ‘Pesës së Shangait’ si një anëtare e përhershme”.

Erdoğan tha se foli për këtë çështje me liderët e Rusisë dhe Kinës.

“Unë fola edhe me presidentin e Kazakistanit dhe kërkova mbështetje nga të gjithë anëtarët e përhershëm për këtë çështje”, shtoi ai.

Në lidhje me pritjen e samitit të NATO-s nga Türkiye, e cila është planifikuar pas pritjes së Holandës në vitin 2025, Erdoğan tha, “Kjo ndoshta do t’i përshtatet Istanbulit. Ne mund ta mbajmë samitin në Istanbul dhe ta përshëndesim botën së bashku me NATO-n”.

/AA/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit