Malet rreth Afrinit janë marrë, vazhdojmë të lëvizim drejt Afrinit, ka mbetur edhe pak”, ka thënë Erdoğan gjatë fjalimit të tij në Bitlis
BITLIS (AA) – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan duke folur rreth operacionit “Dega e Ullirit”, tha se malet rreth Afrinit janë marrë dhe se Forcat e Armatosura Turke vazhdojnë të lëvizin në drejtim të Afrinit, raporton Anadolu Agency (AA).
Erdoğan iu adresua qytetarëve të pranishëm në Kongresin e Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit (Partisë AK) në qytetin turk Bitlis dhe me këtë rast komentoi edhe zhvillimet aktuale. Në fokusin e adresimit të Erdoğan-it ishte operacioni “Dega e Ullirit”.
“Malet rreth Afrinit janë marrë, vazhdojmë të lëvizim drejt Afrinit, ka mbetur edhe pak”, ka thënë Erdoğan.
“Aty ku shfaqen luanët, çakajve nuk u mbetet tjetër, pos të ulin bishtin dhe të ikin. Terroristët të cilët deri dje kishin ku të mbështeten, sulmonin popullin tonë, por sot shohim se si zbrapsen dhe ikin si zvarranikë”, tha Erdoğan.
Presidenti i Turqisë komentoi edhe veprimet e disa përfaqësuesve në Parlamentin Evropian.
“Disa në Parlamentin Evropian që nuk e dinë se çfarë bëjnë dhe ku shkojnë, edhe pse PKK-në e shohin si organizatë terroriste, kanë vajtuar duke mbajtur në Parlament leckat e terroristëve. Do të vajtojnë edhe më shumë, nuk do të arrini asgjë duke mbajtur leckat e tyre rreth qafës. Kjo nuk do të ndryshojë vendimin tonë”, tha Erdoğan.