Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha se programi i shpallur dje për të sjellë kursin e këmbimit në një nivel që përputhet me realitetet e vendit brenda rregullave të një ekonomie të tregut të lirë ka arritur qëllimin e tij.
Presidenti dhe lideri i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) Recep Tayyip Erdogan mbajti një fjalim në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë së tij.
Pasi theksoi se Turqia është sprovuar në çdo mënyrë dhe metodë që mund të imagjinohet në 10-vjeçarin e fundit dhe u bënë kërcënimet publike ndaj ekonomisë, u ngritën kurthet tinëzare, Erdogan tha: “U bënë përpjekje që vendi ynë të shkatërrohet me lojërat financiare që nisën në mesnatë dhe vazhduan pa ndërprer. Me ndihmën e Allahut dhe mbështetjen e kombit gjatë të gjithë procesit luftuam çdo pengesë që na doli para. Vazhduam rrugën me vendosmëri duke prishur të gjitha lojërat e çështjeve sociale, politike, psikologjike dhe kurthet ekonomike. Ne nuk e larguam vendin nga objektivat e tij, nuk jemi larguar kurrë nga rruga e ndërtimit të një Turqie të madhe dhe të fortë.”
Erdogan deklaroi se nuk do ta shtypin popullin me interesa të larta dhe inflacion, ndërsa shtoi se po luftojnë për të.
“Ne kemi filluar një iniciativë të re dhe do të arrijmë rezultatet që duam”, tha ai.
Duke kujtuar se mjeti i “Depozitave me afat në lira turke të mbrojtura me kursin e këmbimit” është vënë në zbatim, Erdogan tha: “Programi i shpallur dje për të sjellë kursin e këmbimit në nivelin në përputhje me realitetet e vendit tonë brenda rregullave të ekonomisë së tregut të lirë e ka arritur qëllimin e tij. Ne përpiqemi të sigurojmë që tregu i lirë të funksionojë sipas rregullave të veta duke bërë që spekulatorët keqdashës të heqin dorë nga vendi ynë. Fitues këtu nuk është vetëm ai që ka para në bankë apo eksporton, por i gjithë vendi ynë, secili anëtar i 84 milionëve. Ne jemi të vendosur të mos lejojmë asnjë qytetar të humbasë fitimet e tij nën presionin e kursit të këmbimit dhe inflacionit.” /trt