2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Erdoğan: PKK është mjet i fuqive të huaja

Më të lexuarat

“Ne po hyjmë në stinën e dimrit…Operacioni po vazhdon. Nuk do të ndalemi, po do t’i zmbrapsim ata. Askush nuk duhet të ndihet i ofenduar”, tha Erdoğan

ANKARA (AA) – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha të martën se operacionet antiterroriste të Turqisë kundër organizatës terroriste PKK do të vazhdojnë tutje dhe se kjo organizatë është mjet i fuqive të huaja për të prishur paqen në rajon, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne po hyjmë në stinën e dimrit…Operacioni po vazhdon. Nuk do të ndalemi, po do t’i zmbrapsim ata. Askush nuk duhet të ndihet i ofenduar”, tha Erdoğan në takimin e grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti).

Deklarata e presidentit Erdoğan vjen disa ditë pasi shtatë ushtarë dhe dy roje të fshatit ranë dëshmorë në luftimet me terroristët e PKK-së në provincën juglindore Hakkari.

Ndërkohë, Ministria e Brendshme njoftoi të martën se të paktën 46 terroristë të PKK-së janë vrarë në operacionet ushtarake në Turqinë lindore.

Erdoğan rikujtoi se komandantët e ushtrisë turke janë duke i rishikuar trupat ushtarake që gjenden përgjatë kufijve juglindorë të Turqisë.

Ai tha se PKK është mjet i fuqive të huaja për të prishur paqen në rajon, ndërsa organizata terroriste DEASH është një organizatë e përgjakshme terroriste e cila nuk ka lidhje me Islamin.

PKK, e cila konsiderohet si organizatë terroriste edhe nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), e rifilloi fushatën e saj të armatosur kundër Turqisë në korrik të vitit 2015.

Që atëherë, ajo ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se një mijë e 200 pjesëtarëve të sigurisë turke dhe civilëve, duke përfshirë gra dhe fëmijë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit