Presidenti i Turqisë Recep Recep Tayyip deklaroi se “Pavarësia, integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës janë të padiskutueshme”, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti Erdoğan dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kanë mbajtur konferencë të përbashkët për media, pas takimit që u zhvillua në rezidencën presidenciale kokë më kokë dhe mes delegacioneve.
Erdoğan theksoi se me Kosovën kanë lidhje të thella historike dhe kulturore dhe se Kosova ka vend të veçantë në mesin e popullit të Turqisë. Siç tha Erdoğan, Turqia është shteti i cili pas pavarësisë, ka mbështetur Kosovën në çdo fushë dhe i ka konsideruar çështjet e saj si çështje të veta.
Ai rikujtoi se përmes TIKA-s, Drejtorisë së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB), Institutit Junus Emre, komunave, universiteteve dhe organizatave të shoqërisë civile, gjithnjë kanë qenë në anën e kosovarëve, duke shtuar se edhe përmes ushtarëve në kuadër të forcave të NATO-s kanë ofruar dhe do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për sigurinë e Kosovës.
“Pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës janë të padiskutueshme”
Duke theksuar se si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta sot Kosova është partner i besueshëm i komunitetit ndërkombëtar dhe siguri për stabilitetin në rajon, Erdoğan tha se “Pavarësia, integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës janë të padiskutueshme”.
Erdoğan rikutjoi se deri më tani Kosovën e kanë njohur 113 shtete dhe shtoi se janë duke vazhduar përpjekjet e tyre para shteteve relevante për rritjen e kësaj shifre.
“FETO paraqet rrezik të madh për të gjitha shtetet ku zhvillon veprimtari”
Presidenti i Turqisë Erdoğan njoftoi se gjatë takimit me homologun e tij Thaçi dhe takimin mes delegacioneve kishin rastin të diskutonin në lidhje me atë se çfarë mund të bëhet në sferën politike, ushtarake, tregtare dhe ekonomike. Erdoğan më tej vazhdoi:
“Folëm për tentativën tradhtare për grusht shteti, luftën kundër FETO-s dhe pritjet tona në këtë luftë nga shtetet mike. Siç e dini, fatkeqësisht Kosova është vendi ku organizata terroriste FETO ka rrjetin më të dendur të organizimit në Ballkan. Edhe njëherë, dua të theksoj se kopetë terroriste si FETO, PKK, YPG, DHKP-C ve DEASH nuk kanë aspak dallim për ne. Luftën kundër këtyre po e vazhdojmë dhe do ta vazhdojmë si brenda vendit, ashtu edhe jashtë. Pa dyshim që në kuadër të ligjit do të kërkojmë llogari për vrasjet dhe gjakun e derdhur të njerëzve të pafajshëm. Kudo që të ikin, ne asnjëherë nuk do të pushojmë së ndjekuri krerët dhe militantët e organizatave terroriste, sepse çdo tradhtar është tradhtar në çdo vend dhe terroristi është terrorist në çdo vend. FETO nuk paraqet rrezik të madh vetëm për Turqinë, por për të gjitha shtetet ku zhvillon veprimtari. 15 Korriku dhe ngarjet pas saj e treguan qartazi këtë të vërtetë”.
“Të mos brengosen aspak vëllezërit tanë kosovarë”
Duke uruar që të përfundojë procesi i largimit të fëmijëve dhe gjeneratave të reja nga duart e strukturës së FETO-s, Erdoğan u shpreh: “Besoj që edhe vëllezërit tanë nga Kosova do të tregojnë ndjeshmërinë e duhur. Vëllezërit tanë kosovarë të mos brengosen aspak nga kjo. Përmes Fondacionit Maarif dhe së bashku me bashkëpunëtorët në Kosovë, plan-programet aktuale dhe botëkuptimi aktual i procesit arsimor mund të bëhet më cilësor”.
Presidenti i Turqisë Erdoğan tha se ndihet i gëzuar nga hapat e Kosovës në rrugën e integrimeve euroatlantike dhe se mbështesin procesin e dialogut Prishtinë-Beograd, duke shtuar se deri më tani kanë dhënë çdo përpjekje të mundshme për zhvillimin e Kosovës.
Ai bëri të ditur se gjithnjë i motivon biznesmenët të investojnë në Kosovë. Sipas presidentit Erdoğan, vlera e investimeve turke në Kosovë ka arritur në 350 milionë dollarë.
Sipas tij, sipërmarrësit turk zhvillojnë veprimtari në shumë fusha dhe se këto kompani kanë punësuar 10 mijë kosovarë.
Erdoğan tha se vëllimi i tregtisë dypalëshe ka arritur vlerën prej 221 milionë dollarëve në dhjetë muajt e parë të vitit 2016. “Këtë shifër nuk e shohim si të mjaftueshme dhe jemi të vendosur ta rrisim edhe më lartë. Procesi i miratimit të marrëveshjes për tregti të lirë të cilën e nënshkruam në vitin 2013, u plotësua në Turqi vitin e kaluar. Me homologun tim të nderuar diskutuam dhe ramë dakord rreth përfundimit të procesit të miratimit edhe në Kosovë. Me theks të veçantë biseduam për këtë marrëveshje e cila do të jetë pikë kthese për qëllimet tona në fushën e tregtisë. Shpresoj që shumë shpejt t’i shohim rezultatet”, theksoi Erdoğan.
Siç tha Erdoğan, komuniteti turk në Kosovë dhe qytetarët me prejardhje kosovare në Turqi kanë detyrën e një ure midis dy shteteve. “Në të njëjtën mënyrë, vëllezërit shqiptarë në Kosovë dhe vëllezërit shqiptarë në Turqi kanë detyrën e një ure”, tha Erdoğan, për të shtuar më tej ky solidarizim reciprok duhet forcuar dhe vazhduar edhe më tej.
Erdoğan më tej theksoi se viti 2016 është shpallur viti i Kosovës nga YTB. Ai theksoi se ajo ka organizuar shumë aktivitete kulturore që kanë shtuar afërsinë dhe solidarizimin mes dy shoqërive. “Besoj që ky proces të kurorëzohet me vizitën e presidentit të nderuar dhe mendoj se ky takim zyrtar dhe takimet që zhvilluam do ta forcojnë edhe më tepër vëllazërinë tonë”.
Erdoğan falënderoi Thaçin dhe delegacionin e tij për vizitën dhe uroi që ajo të sjellë dobi për dy shtetet.