Gjatë vizitës, që përkon me 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike turko-ukrainase, në Kiev do të mbahet takimi i dhjetë i Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë Turqi-Ukrainë me pjesëmarrjen e krerëve të dy shteteve
Ndërsa tensioni mes Rusisë dhe Ukrainës përshkallëzohen, Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) do të shkojë sot në Ukrainë.
Gjatë vizitës së Presidentit Erdoan do të vlerësohen hapat për uljen e tensionit në rritje në Detin e Zi.
Erdoan do të takohet me presidentin ukrainas Vladimir Zelenskiy në Këshillin Strategjik të Nivelit të Lartë që do të mbahet në kryeqytetin e vendit, Kiev. Gjatë vizitës pritet të ndërmerren hapa të rinj bashkëpunimi.
Në kuadër të vizitës është paraparë rritja e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë.
Megjithatë, agjenda kryesore e takimit Erdoan-Zelenskiydo të jetë tensioni i përshkallëzuar mes Rusisë dhe Ukrainës. Të dy liderët do të vlerësojnë se çfarë mund të bëhet për të ulur tensionin në linjën Moskë-Kiev.
Presidenti Erdoan pritet t’i japë Zelenskiy një mesazh për të “ruajtur paqen në rajon, mos e rritur tensionin dhe shmangur konfliktin e armatosur”.
Erdoani së shpejti do të presë në Turqi Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, emri në anën tjetër të krizës, dhe të njëjtin mesazh për vendosjen e paqes do t’i japë edhe Putinit.
Falë mekanizmit të Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë të krijuar në vitin 2011, marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Kievit kanë arritur nivelin e partneritetit strategjik.
Një ditë më parë, kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal njoftoi se gjatë vizitës së liderit turk në Kiev, palët do të nënshkruajnë 12 marrëveshje ndërshtetërore, duke përfshirë edhe marrëveshjen për një zonë të tregtisë së lirë.
Sipas tij, dokumentet e nënshkruara do ta çojnë bashkëpunimin mes dy vendeve në një nivel të ri si në sferën e ekonomisë ashtu edhe në fushën e teknologjive të larta.
Në vitin 2021, tregtia mes dy vendeve arriti në 7,42 miliardë dollarë. Palët synojnë ta çojnë vëllimin vjetor të tregtisë në 10 miliardë dollarë.
Turqia eksporton në Ukrainë çelik, sisteme të ajrit të kondicionuar, mobilie, letër dhe lëndë druri, duhan, fruta dhe perime të freskëta, produkte nga sektori i ndërtimit të anijeve, industria e automobilave dhe industria e mbrojtjes.