1.6 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Erdogan: Ndaluam atentatorin, por Belgjika nuk na dëgjoi

Më të lexuarat

“Njëri prej autorëve të sulmeve terroriste që tronditën Brukselin një ditë më parë, u ndalua nga ne, u deportua në Belgjikë, e cila u paralajmërua për prirjet e tij terroriste”. Kjo ishte deklarata e bujshme e presidentit turk, Recep Taip Erdogan pasditen e së mërkurës.

Presidenti turk thotë se terroristi u kap në kufi me Sirinë, në qytetin Gaziantep, qershorin e vitit të kaluar dhe iu dorëzua autoriteteve belge së bashku me paralajmërimin se ai mund të ishte një militant i lidhur me ISIS-in. Por autoritetet belge, sipas Erdogan, injoruan këto informacione dhe e lanë të lirë atë.

“Pavarësisht paralajmërimeve tona se ky person ishte një terrorist, Belgjika dështoi të gjejë ndonjë lidhje terrorizmi me të”, shton Erdogan.

Mediat ndërkombëtare hamendësojnë se Erdogan i referohej Khalid el-Bakraoui, njëri prej dy vëllezërve që hodhën veten në erë në aeroportin e Brukselit, emri i të cilit gjendet edhe në faqen e internetit të INTERPOL-it, ku rezulton i kërkuar për aktivitet terrorist. Khalid, nga sa pohon RTBF-ja, ishte arrestuar një herë në 2011-n për grabitje, ndërsa Brahimi 30-vjeçar kishte përfunduar prapa hekurave tetorin e 2010-s, pasi kishte qëlluar mbi policinë.

Roli i Khalid el-Bakraouit në sulmin në aeroport u konfirmua përmes analizave të ADN-së, ndërsa atentatori i dytë nuk është identifikuar ende.

Mbi 31 persona gjetën vdekjen dhe dhjetra të tjerë u plagosën nga katër shpërthime, dy në aeroport dhe dy në metro, që goditën Brukselin paraditen e së martës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit