5.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Erdogan: NATO-ja është një organizatë sigurie, jo një organizatë që i bën iso terrorizmit

Më të lexuarat

Presidenti Recep Tayyip Erdogan vlerësoi të mërkurën se NATO-ja është një organizatë sigurie, jo një organizatë që i bën iso terrorizmit, duke iu referuar kërkesës së Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në Aleancë.

Kreu i shtetit turk mbajti një konferencë të përbashkët shtypi me Presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, pas takimeve kokë më kokë, mes delegacioneve dhe ceremonisë së nënshkrimit të disa marrëveshjeve në Kompleksin Presidencial, në kryeqytetin Ankara të vendit.

Pyetjes së një gazetari “nëse i kanë kërkuar një takim liderët e Suedisë dhe Finlandës, vende që kanë aplikuar për anëtarësim në NATO e kanë nevojë për mbështetjen e Turqisë; dhe nëse ende jo, cila do të ishte përgjigjja që do të merrnin për një kërkesë të tillë”, Presidenti Erdogan iu kthye me këto fjalë: “Fillimisht, ne duhet ta ngulitim mirë në kokë që NATO-ja është një organizatë sigurie, jo një organizatë që i bën iso terrorizmit. Siç e dini, Suedia është aktualisht një vend ku të gjitha organizatat terroriste, sikurse dhe PKK/PYD/YPG-ja, shijnë si kali në lëmë. Madje ajo (Suedia) ka terroristë edhe në parlament. Për sa kohë që këta terroristë vazhdojnë të jenë anëtarë të parlamentit të saj, për sa kohë që këto organizata terroriste manifestojnë vazhdimisht në rrugët e Stokholmit me posterat e liderëve të organizatave terroriste dhe këtë e bëjnë nën mbrojtjen e policisë suedeze, për sa kohë që intervistat e krerëve të terroristëve transmetohen ekskluzivisht në televizionin shtetëror suedez, ne s’mund t’i themi «ejani, vazhdoni dhe hyni në NATO». E njëjta gjë vlen gjithashtu për Finlandën. Për fat të keq, Finlanda është aktualisht e përfshirë në mjaft struktura të ngjashme me këtë.”

Ai tërhoqi vëmendjen se Turqia nuk dëshiron të jetojë me Suedinë dhe Finlandën të njëjtën përvojë që ka pasur në të kaluarën me Greqinë dhe Francën gjatë procesit të anëtarësimit të tyre në NATO.

“Greqia doli nga NATO-ja dhe pararendësit tanë i hapën rrugën për t’u rihyrë. Ajo u fut përsëri në NATO. Franca gjithashtu hyri për herë të dytë. E çfarë ndodhi pastaj? Ku janë (5+4) 9 baza amerikane tani? Ato u ngritën në Greqi. Mirë, po kundër kujt po ngrihen këto baza? Përgjigja e tyre është «kundër Rusisë». Na vjen keq, por ne s’i hamë këto”, deklaroi Presidenti Erdogan.

Kurse Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, tha se Turqia ka një potencial të madh dhe luan një rol shumë të rëndësishëm në botë.

“Turqia ka një ndikim politik të madh. Ne kështu e shohim. Dhe jo vetëm sepse ne e mendojmë kështu, ky është një fakt përtej këtij këndvështrimi që kemi ne. Turqia ka një potencial shumë të rëndësishëm. Ajo është një potencial i madh për një botë të rilindur”, u shpreh lideri venezuelas mes të tjerash.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit