Këshilli i Lartë Ushtarak (KLU) i Republikës së Turqisë u mblodh sot në Ankara.
Përpara mbledhjes, anëtarët e KLU-së vizituan varrin monumental të Ataturkut nën drejtimin e Kryeministrit Rexhep Tajip Erdoan.
Krahas kreut të ekzekutivit, pjesëmarrës në mbledhjen e KLU-së janë Shefi i Shtatmadhorisë Gjeneralarmate Nexhdet Ozel, ministri i Mbrojtjes Kombëtare Ismet Jëllmaz, komandantët e forcave, komandanti i përgjithshëm i Xhandarmërisë dhe oficerët më të lartë të Forca të Armatosura të Turqisë (FAT).
Në këtë mbledhje nuk do të diskutohen gradimi i kolonelëve, gjeneralëve dhe admiralëve, zgjatja e afatit të detyrave të këtyre të fundit dhe procedurat e pensionimit të personelit ushtarak, pasi këto çështje trajtohen në takimet e KLU-së, që zhvillohen në muajin gusht.
Pika kryesore e kësaj mbledhjeje do të jetë përjashtimi i personelit të FAT-it për shkelje të rënda disiplinore e morale, por edhe çështje të tjera në interes të FAT-it.
Të tjera çështje që do të shqyrtohen në mbledhjen e KLU-së janë situata aktuale në kufirin turko-sirian dhe masat, që do të merren për të parandaluar trafikun ilegal në vijën kufitare.
Seanca e paradites u mbyll rreth orës 12.00 dhe Kryeministri Erdoan me anëtarët e tjerë të KLU-së iu drejtuan Pallatit Presidencial Çankaja, për të marrë pjesë në drekën e shtruar nga Kreu i Shtetit, Abdullah Gyl.
Vendimet, që do të dalin pas seancës së pasdites nga mbledhja e KLU-së, në orët e mbrëmjes do t’i dërgohen për miratim Presidentit Gyl./trt/kohaislame.com