Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan u bëri thirrje të gjitha partive politike në parlament të ndajnë draftet e tyre për një kushtetutë të re, raporton Anadolu Agency (AA).
“Një kushtetutë e re, e cila do të përgatitet me konsensusin e asamblesë sonë, nëse është e mundur, do të jetë dhurata më e mirë që mund t’i japim kombit tonë në vitin 2023 (në 100-vjetorin e Republikës)”, tha Erdoğan në hapjen e sesionit të ri legjislativ i parlamentit.
Erdoğan shfaqi shpresën se partitë politike në parlament së shpejti do të ndajnë draftet e tyre.
“Ne filluam nismën (për një kushtetutë të re), ne po bëjmë përgatitjet tona”, tha ai.
Kushtetuta aktuale turke u krijua pas një grusht shteti ushtarak në vitin 1980 dhe Erdoğan ka shtyrë që një kushtetutë e re të hartohet nën sundimin civil.
Në fillim të këtij viti, presidenti turk u bëri thirrje të gjitha partive politike të jenë pjesë e procesit, një thirrje e mbështetur nga Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), aleate e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në Aleancën Popullore.
Erdoğan kohët e fundit tha se Partia AK planifikon të bëjë publike draftin e saj për një kushtetutë të re civile në fillim të vitit 2022. /aa