Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të mërkurën se do të paguajnë një çmim të shtrenjtë të gjithë ata, që tentojnë të prishin qetësinë dhe rendin e vendit…
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të mërkurën se do të paguajnë një çmim të shtrenjtë të gjithë ata, që tentojnë të prishin qetësinë dhe rendin e vendit.
Kreu i Shtetit turk tërhoqi vëmendjen mbi sukseset e arritura në luftën kundër terrorizmit, gjatë një fjalimi drejtuar pjesëmarrësve në një program elektoral në favor të votës “Po” në referendumin popullor për ndryshimet kushtetuese, organizuar në ambientet e Kompleksit Presidencial.
“Turqia do të jetë një vend shumë më i bukur. Tani po thyejmë terrorizmin në mes; u kemi hyrë në strofka. Po u shkatërrojmë strofkat egërsirave në malet Tendurek, Xhudi, Gabar dhe Besler Dereler. Nën udhëzimin dhe përkujdesjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Suleyman Soylu, të cilin e falënderoj me këtë rast, forcat tona të armatosura, forcat policore dhe rojat e fshatit po e vazhdojnë këtë luftë të gjithë së bashku me vendosmëri. Por jo vetëm brenda vendit, luftën kundër terrorizmit po e kryejmë të vendosur edhe në Siri, në Xharabulus, Al-Rai, Dabik dhe Al-Bab. Po avancojmë në rrugën tonë duke i pastruar të gjitha këto vende nga DAESH-i dhe PYD-ja. Kushdo qofshin ata, që tentojnë të na prishin qetësinë dhe rendin në vendin tonë, do të paguajnë një çmim të shtrenjtë. Turqia do të jetë më e fuqishme në zgjidhjen e problemeve të rajonit tonë. Do të përparojmë më tej në arsim, shëndetësi, drejtësi, ekonomi, transport dhe energji”, theksoi ndër të tjera Presidenti Erdogan.