0.7 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Erdogan: Kudsi Lindor është kryeqytet i Palestinës

Më të lexuarat

“Kudsi Lindor është kryeqyteti i Palestinës”, pavarësisht nga të gjitha hapat e ndërmarra për të njohur Kudsin si kryeqyteti i Izraelit, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

Komentet e Erdoğan erdhën gjatë një darke të organizuar nga Fondacioni TURKEN në kryeqytetin britanik Londër.

Duke folur për vendimin e qeverisë amerikane për të zhvendosur ambasadën në Kuds, një hap që pritet të ndodhë sot, Erdoğan tha se 128 vende votuan qartë kundër këtij vendimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

“Kudsi, mbi të gjitha, Kudsi Lindor, është kryeqyteti i Palestinës. Si botë islame, ne e pranojmë ashtu siç është”, tha Erdoğan.

– Kriza e refugjatëve

Erdoğan tha se “kriza e refugjatëve bëri që maskat të bien nga fytyrat e disa vendeve, të cilat herë pas here guxojnë të na japin mësime rreth të drejtave të njeriut, dhe të shfaqen fytyrat e tyre të vërteta”.

“Gjersa Turqia po kalonte në një prej sprovave më të vështira humanitare të 25 viteve të fundit, shumica e vendeve perëndimore që janë apostuj të demokracisë nuk kanë arritur ta kalojnë testin”, shtoi Erdoğan.

“Disa vende vëllazërore si Siria, Iraku, Jemeni, Libia dhe Afganistani janë bërë dërrasë eksperimenti ku fuqitë imperiale masin forcat me njëri-tjetrin. Për fat të keq, muslimanët kanë paguar dhe ende po paguajnë koston e kësaj lufte të përgjakshme për kontrollin e naftës dhe thesareve nëntokësore. Klithmat trishtuese të të shtypurve po rriten në qytetet tona, të cilat për shekuj ishin vende të sigurisë, shkencës dhe urtësisë”, shtoi më tej presidenti turk.

– Islamofobia, racizmi, ksenofobia

Duke nënvizuar se gati 13 milionë sirianë, duke përfshirë 3,5 milionë në Turqi, u detyruan të iknin nga shtëpitë e tyre për të kërkuar strehim në vende të tjera, Erdoğan tha se ata që kanë kërkuar shpëtim në vendet evropiane janë përballur me një skenë që ata kurrë nuk kishin imagjinuar.

“Ata u përballën me racizmin, islamofobinë dhe ksenofobinë në ato vende që pretendojnë të jenë djepi i demokracisë”, shtoi ai.

Duke folur në lidhje me solidaritetin me Turqinë pas tentativës së organizatës terroriste FETO për grusht shteti më 15 korrik të vitit 2016, Erdoğan tha se kryeministrja britanike Theresa May dhe sekretari i jashtëm Boris Johnson kishin shprehur solidaritetin e tyre përmes thirrjeve telefonike pas tentativës.

Ai kujtoi se Alan Duncan, ministri i Britanisë për Europën dhe Amerikën, ishte politikani i parë i nivelit të lartë i cili vizitoi Turqinë vetëm pesë ditë pas tentativës për grusht shteti.

“Unë besoj se marrëdhëniet Turqi-Britani do të bëhen edhe më të forta pas kësaj vizite tonë”, shtoi Erdoğan.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit