Stoltenberg, përsëriti se duhet të përmbushen pritjet e Türkiye-s, të cilën ai e quajti një aleate e rëndësishme të NATO-s, për të garantuar sigurinë e saj
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan zhvilloi një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, të cilit i tha se përderisa Suedia dhe Finlanda synojnë anëtarësimin në NATO, shqetësimet e Türkiye-s (Turqisë) për sigurinë bazohen në baza “të drejta dhe legjitime”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas deklaratës së Drejtorisë së Komunikimeve të Türkiye-s, Erdoğan dhe Stoltenberg diskutuan synimet e anëtarësimit në NATO të dy vendeve nordike dhe shqetësimet e sigurisë së Ankarasë për hyrjen e tyre në aleancën ushtarake.
Presidenti Erdoğan i tha kreut të NATO-s se Suedia dhe Finlanda duhet të dëshmojnë se nuk e mbështesin terrorizmin dhe janë të gatshëm të tregojnë solidaritin e aleancës, si dhe të heqin sanksionet kundër shtetit turk.
Stoltenberg, nga ana e tij, përsëriti se duhet të përmbushen pritjet e Türkiye-s, të cilën ai e quajti një aleate e rëndësishme të NATO-s, për të garantuar sigurinë e saj.
Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u anëtarësuar në NATO më 18 maj, një vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt.
Mirëpo, Türkiye, një anëtare e vjetër e aleancës, ka shprehur kundërshtime ndaj tentimeve të tyre për anëtarësim, duke kritikuar vendet për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve terroriste si PKK dhe FETO. Për anëtarësim në NATO nevojitet miratimi unanim i 30 vendeve anëtare të aleancës.
Në fund të majit, Türkiye ishte nikoqire e konsultimeve me delegacionet suedeze dhe finlandeze mbi aplikimet e tyre në NATO. Presidenti Erdoğan tha se takimet nuk kishin qenë “në nivelin e dëshiruar”.