0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Erdogan: Jam si në shtëpinë e dytë, ‘Kumanova’ të zgjidhet me dialog

Më të lexuarat

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti Presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan, i cili mbërriti në vendin tonë këtë të mërkurë për një vizitë zyrtare. Në orën 12:47, dy presidentët, Nishani dhe Erdogan dolën në konferencë të përbashkët për shtyp.
Presidenti Bujar Nishani, pasi falënderoi Turqinë për mbështetjen e vazhdueshme për shqiptarët në rajon, vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e sigurisë mes Tiranës dhe Ankarasë.
 
“Marrëveshja për çështjen e sigurisë e nënshkruar sot mes dy ministrave të Brendshëm të vendeve tona, i shërben bashkëpunimit dhe infrastrukturës në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit. Kjo marrëveshje forcon bashkëpunimin dypalësh mes dy vendeve aleate në NATO në këtë fushë dhe i shërben aspiratave tona integruese e forcon pozitat tona në aleancën tonë të përbashkët”, deklaroi Nishani.
 
“Një mik për Shqipërinë dhe shqiptarët, na nderon me vizitën zyrtare në Tiranë”, tha Nishani.
 
Presidenti Nishani vlerësoi marrëdhëniet Shqipëri- Turqi si të vendosura mbi baza të konsoliduara dhe mbi interesat strategjike që bashkëndajnë dy shtetet. “Cilësia e bashkëpunimit ka vend për t’u përmirësuar”, nënvizoi Nishani duke theksuar se “ka hapësira ende të pashfrytëzuara për rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve tregtare. Mirëpresim investimet e kompanive turke në sektorët strategjikë si energji dhe infrastrukturë”.
 
Nishani foli edhe për ngjarjet në Kumanovë, duke kërkuar zbardhjen e tyre, pasi theksoi se ato kanë shumë hije. Nishani tha se nuk duhen përshkallëzuar gjërat.
 
Duke folur për një konflikt të paqenë etnik dhe sërish për një episod të paqartë, Nishani foli për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe u bëri thirrje shqiptarëve për vetëpërmbajtje.
 
Në fjalën e tij, Presidenti turk tha se në Shqipëri ndjehen si në shtëpinë e tyre të dytë. “E ndjejmë veten në Shqipëri, si në shtëpinë e dytë, dhe se bashkëpunimi politik mes dy shteteve po forcohet”, tha Erdogan.
 
Ai tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë historike. Erdogan theksoi se me presidentin Nishani pati “bisedime frytdhënëse në të gjitha fushat e bashkëpunimit”, por shprehu dëshirën që “marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve të zhvillohen më me shpejtësi”.
 
Erdogan tha në Tiranë se në Ballkan ka nga ata që duan të cenojnë paqen dhe sigurinë. Në lidhje me çështjen e Kumanovës, Erdogan deklaroi se “acarimet duhet të zgjidhen përmes dialogut”. Erdogan kryeson një delegacion zyrtarësh dhe investitorësh turq të interesuar për investime në Shqipëri.
 
Në orën 15:00 Erdogan do të përurojë nisjen e punimeve në Xhaminë e Namazgjasë, ku Komuniteti Mysliman turk ka dhënë 30 milionë euro për ndërtimin e saj.
 
Xhamia do jetë rreth 10 mijë metra katrorë dhe është xhamia më e madhe në Ballkan. Xhamia do akomodojë 4500 persona.
 
Më pas, në orët e pasdites Erdogan dhe Nishani do të marrin pjesë në forumin e përbashkët të biznesit Shqipëri-Turqi. /Telegrafi/ 
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit